Botë

Një turist vritet dhe një tjetër plagoset në një sulm në Paris

Një turist dyshohet se është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një sulmues me çekiç pranë Kullës Eifel në Paris, raportoi të dielën “The Sun”.

Siç mësohet, ata janë sulmuar teksa po ecnin nëpër qytet në lagjen e 15-të të kryeqytetit francez, të shtunën rreth orës 22:00.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin konfirmoi se "kalimtarët" u sulmuan në zonën e Quai de Grenelle. Ai tha se i dyshuari për këtë sulm është arrestuar dhe personi i plagosur po trajtohet nga shërbimet emergjente.

"Policia sapo ka arrestuar një sulmues që sulmonte kalimtarët në Paris, rreth Quai de Grenelle. Një person ka mbetur i vdekur dhe një i plagosur. Ju lutemi shmangni zonën”, ka njoftuar Darmanin në platformën X.

Sipas mediave lokale, sulmuesi është një shtetas francez dhe aktualisht ndodhet në paraburgim dhe përballet me një akuzë të mundshme për vrasje.

Personi që vdiq ishte gjithashtu një turist me shtetësi të dyfishtë gjermane dhe filipinase dhe vdiq nga plagët me thikë të marra në shpinë dhe shpatull.

Turisti britanik thuhet se pësoi një dëmtim në kokë në Avenue du President Kennedy pasi u sulmua me një çekiç. Ai besohet se ka qenë duke ecur me gruan dhe fëmijën e tij kur sulmuesi doli nga pas dhe e goditi.

Një kordon sigurie është vendosur aktualisht nga incidentet ndërsa policia po kryen hetimet. Autoritetet kanë njoftuar se nuk ka ende të dhëna për motivin e goditjes me thikë.