Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një sulm vetëvrasës në Afganistan vret 57 persona, plagos mbi 100 të tjerë

Një person ka kryer një shpërthim vetëvrasës jashtë një qendre të regjistrimit të votuesve në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, duke lënë të vdekur së paku 57 persona dhe lënduar mbi 100 të tjerë, në sulmin më serioz të bërë gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e tetorit, raporton Reuters.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Shteti Islamik, transmeton Koha.net. Presidenti Ashraf Ghani është duke kaluar në një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për të siguruar që zgjedhjet e vonuara parlamentare të mbahen këtë vit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Najib Danesh ka konfirmuar se një bombardues iu ofrua qendrës ku zyrtarët po lëshonin karta identiteti si pjesë e procesit të regjistrimit për rreth 10 milionë votues në Afganistan, regjistrim ky që ka filluar këtë muaj.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetit Publik ka thënë se së paku 57 persona kanë vdekur me këtë rast, përfshirë tetë fëmijë, dhe 119 tjerë janë lënduar, shifra këto që mund të rriten.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara më shumë se 750 veta janë vrarë në sulmet vetëvrasëse gjatë tre muajve të fundit.