200.000 të vdekur është bilanci i përgjithshëm i pandemisë në Indi. Por, shqetësim të theksueshëm përbën fakti se shifra reale mund të jetë larg më e madhe, meqenëse shumë raste nuk janë duke u evidentuar zyrtarisht. Vendi ka raportuar përditë gjatë javës së fundit nga të paktën 300.000 raste të reja të të infektuarve, teksa mbi 360.000 raste janë evidentuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Në total, ka shkuar në mbi 17.9 milionë shifra e personave të prekur nga koronavirusi
Në ditën më fatale ndonjëherë që nga nisja e pandemisë, India ka shënuar të mërkurën shifrën shkatërruese prej 200.000 vdekjeve nga koronavirusi, teksa presioni mbi shumicën e spitaleve të vendit nuk ka shfaqur shenja të zbutjes midis valës së dytë të rëndë të përhapjes së sëmundjes.
Megjithëkëtë, shqetësim të theksueshëm përbën fakti se bilanci real i fataliteteve mund të jetë larg më i madh, meqenëse shumë raste nuk janë duke u evidentuar zyrtarisht. Ndërkaq, furnizimet me oksigjen mjekësor mbesin të ulëta kudo përreth vendit, përderisa tregu i zi është shfaqur si opsioni i vetëm për shumë qytetarë në nevojë. Me një përshkrim të këtillë, agjencia britanike e lajmeve BBC e ka përthekuar artikullin për “një rrëfim tmerri” në shtetin indian.
“Krematoriumet po funksionojnë nonstop, teksa vendet e djegies së kufomave janë zhvendosur nëpër parkingje veturash”, ka shkruar BBC.
Përditë gjatë javës së fundit në këtë vend janë regjistruar nga të paktën 300.000 raste të reja të të infektuarve, teksa mbi 360.000 raste janë evidentuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Në total, ka shkuar në mbi 17.9 milionë shifra e personave të prekur nga koronavirusi.
“Situata është e tmerrshme, është absolutisht tmerr... Të gjithë janë të frikësuar, secili person i mundshëm. Njerëzit kanë frikë se nëse me dikë që flasin sot, mbase mund të mos flasin më edhe nesër, apo gjatë ditëve në vijim”, ka thënë qytetari nga Delhi, Manoj Garg.
Si rrjedhojë e gjendjes së rëndë, ndihmat ndërkombëtare kanë nisur të mbërrijnë në Indi nga Britania e Madhe dhe Singapori. Rusia, Zelanda e Re dhe Franca janë zotuar që të dërgojë pajisje emergjente shëndetësore teksa edhe rivalët rajonalë të vendit, Pakistani dhe Kina, kanë lënë mënjanë dallimet dhe kanë premtuar ndihmë.
Megjithatë, ekspertët kanë theksuar se ndihmat do të ketë një ndikim të kufizuar në vendin me popullatë prej 1.3 miliardë banorësh.
Gara për vaksinim
Me qëllim të lehtësimit të situatës, Qeveria ka hapur të mërkurën një ueb-faqe, ku indianët do të mund të regjistroheshin për programin e vaksinimit. Mirëpo faqja ka rënë nga sistemi vetëm pak minuta pas hapjes, pasi që është vërshuar nga dhjetëra-mijëra kërkesa.
Ministri kryesor në Delhi, Arvind Kejriwal, ka thënë se qytetarët tani po sëmuren shumë më rëndë dhe për periudha më të gjata, duke e rënduar presionin mbi sistemin shëndetësor.
“Vala aktuale është veçanërisht e rrezikshme”, ka thënë ai. “Është jashtëzakonisht përhapës dhe ata që po preken prej virusit tani nuk janë në gjendje të shërohen aq lehtë. Në të këtilla kushte, njësitë e përkujdesjes intensive janë buzë kolapsit”.
Ekspertët kanë bërë të ditur se shpresa e vetme e Indisë është te vaksinimi i shumicës së popullatës. Por, vendi – i cili njëherësh është edhe prodhuesi më i madh i vaksinave në botë – ende nuk ka doza të mjaftueshme të tyre.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar të mërkurën se India aktualisht numëron 38-përqindëshin e 5.7 milionë rasteve të raportuara kudo në botë gjatë javës së fundit. Të dhënat kanë treguar se varianti B.1.617 i koronavirusit, i detektuar fillimisht në Indi, është dominues në vend.
Shefi për Azinë Jugore i Federatës së Kryqit të Kuq, Udaya Regmi, ka thënë se bota ka hyrë në fazën kritike të pandemisë dhe ka nevojë që vaksinat të jenë të disponueshme për të gjithë të rriturit, sa më parë që të jetë e mundur.
“Është ky një imperativ etik dhe i shëndetit publik”, ka shtuar ai. “Variantet po vazhdojnë të përhapen, kjo pandemi është larg së përfunduari”.
Thirrja për izolim
Rreth 9 për qind e popullatës së Indisë ka marrë një dozë të vaksinës kundër COVID-19 që nga nisja e fushatës në janar, fillimisht mes punëtorëve shëndetësorë dhe të moshuarve.
Epidemiologu Bhramar Mukherjee ka thënë se India duhet ta kombinojë imunizimin me izolime të gjithmbarshme për frenimin e pandemisë.
“Në këtë pikë, jetët e njerëzve janë shumë më të rëndësishme sesa jetesa e tyre”, ka shkruar në Twitter profesori i Universitetit të Michiganit. “Ofroni asistencë të varfërve, por ju lutem izolohuni dhe vaksinohuni”, ka cituar agjencia Reuters thirrjen e Mukherjees.
Delhi është vënë në izolim deri javën e ardhshme, teksa qeveria e shtetit perëndimor të Maharashtras ka njoftuar se po e shqyrton zgjatjen e izolimit deri në mes të majit.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi, e cila kishte zbatuar një izolim të ashpër në vend kur pandemia ishte përhapur gjatë vitit të shkuar, ka kundërshtuar një masë të tillë shkaku i rrezikut për rimëkëmbjen e ekonomisë.