Një i mbijetuar i Nakbës në Gazë ka rrëfyer për shpërnguljen që përjetoi pas vitit 1948 dhe sërish pas luftës së vitit 2023, si dhe lidhjen e palëkundur që vazhdon ta ketë me tokën e tij. 85-vjeçari Abdel Mahdi al-Wuheidi ka jetuar mes luftërash, humbjesh dhe zhvendosjesh të vazhdueshme, duke parë sesi jeta e tij është rrënuar dy herë nga historia. Megjithatë, përkundër shkatërrimit, urisë dhe dhimbjes së pafundme, ai refuzon të largohet nga Gaza, vendin që e konsideron shtëpinë e vet deri në frymën e fundit.
(Al – Jazeera) - Brenda shtëpisë së tij pjesërisht të shkatërruar në kampin e refugjatëve në Jabalia, në veri të Gazës, 85-vjeçari Abdel Mahdi al-Wuheidi qëndron ulur pranë një zjarri të vogël duke përgatitur kafe dhe duke vështruar atë që ka mbetur nga jeta e tij, tashmë i rrethuar nga rrënojat.
Pranë tij qëndron bashkëshortja, Aziza, gjithashtu në të tetëdhjetat, me të cilën është martuar para gjashtë dekadash. Pavarësisht përpjekjeve për shumë vjet, çifti nuk arriti kurrë të kishte fëmijë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSot ata jetojnë së bashku me pesë djemtë e vëllait të ndjerë të Abdel Mahdit. Ata ishin ende fëmijë kur humbën babanë e tyre, ndërsa Abdel Mahdi i rriti, i ndihmoi të martoheshin dhe të krijonin familjet e tyre.
I lindur në vitin 1940, Abdel Mahdi ishte vetëm një fëmijë kur ndodhi Nakba e vitit 1948 – dëbimi masiv i 750 mijë palestinezëve nga shtëpitë e tyre gjatë themelimit të shtetit të Izraelit. Megjithatë, edhe pse ka jetuar gjithë atë dhimbje dhe traumë, ai thotë se ajo që po përjetojnë palestinezët sot, si pasojë e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, është shumë më e rëndë se gjithçka që ka parë ndonjëherë.
“Ne jemi nga Bir al-Saba [Beer Sheva]… ishte vendlindja jonë”, thotë ai me një zë të lodhur. Bir al-Saba është qyteti më i madh në shkretëtirën Naqab. Ai u pushtua nga forcat izraelite në vitin 1948, duke e detyruar shumicën e popullsisë palestineze të largohej.
Nakba e parë
Kujtesa e mprehtë e Abdel Mahdit e kthen pas në fëmijërinë e tij, kur jetonte me prindërit në tokën e tyre, mes bagëtive dhe pronës që kishin një jetë normale, para se gjithçka të ndryshonte.
Ai thotë se ende i kujtohen diskutimet e zjarrta mes familjeve në Bir al-Saba kur filluan të përhapeshin lajmet se milicitë sioniste Haganah po afroheshin. Disa donin të largoheshin, ndërsa të tjerët këmbëngulnin të qëndronin.
Në fund u mor vendimi për t’u larguar drejt Gazës, në perëndim, me shpresën se do të ktheheshin pas disa javësh.
Kështu, Abdel Mahdi, së bashku me prindërit, tre vëllezërit e motrat dhe pjesën tjetër të familjes së madhe, u larguan duke marrë me vete aq bagëti, para dhe furnizime sa mundën të bartnin.
“U larguam të gjithë… Ecëm për ditë të tëra. Pushonim pak dhe pastaj vazhdonim rrugën”, thotë ai. “Morëm me vete disa nga gjërat tona. Kurrë nuk e kishim imagjinuar se ky do të bëhej një mërgim i përhershëm.”
Familja fillimisht u vendos në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës, për t’u zhvendosur më vonë në kampin e refugjatëve në Jabalia, në veri të Gazës, ku nisën vështirësitë e jetës si refugjatë.
“Jetonim në tenda. Shiu dhe era i përmbytnin ato, i ftohti ishte i padurueshëm, pastaj vinte vapa përvëluese”, kujton ai. “Kishte uri, lodhje, radhë të gjata për ushqim dhe ujë, tualete të përbashkëta, morra, mungesë higjiene… kujtime të dhimbshme”.
E drejta e kthimit
“Më kujtohet se babai dhe gjyshi im gjithmonë thoshin se do të ktheheshim, dhe ua përsërisnin fëmijëve e nipërve që të mos hiqnin dorë kurrë nga e drejta e kthimit”, thotë Abdel Mahdi.
Por kthimi nuk ndodhi kurrë. Në vend të tij erdhën dekada mërgimi, luftërash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për të rindërtuar jetën.
Abdel Mahdi punoi për vite të tëra në Izrael në sektorin e ndërtimit, gjatë një periudhe kur punëtorëve palestinezë u lejoheshin leje pune.
Së bashku me vëllezërit e tij, ai arriti të ndërtonte shtëpi dhe të blinte tokë, vetëm që lufta aktuale t’ua shkatërronte gjithçka edhe një herë.
“Punuan, ndërtuam shtëpi dhe blemë tokë”, thotë ai. “Menduam se më në fund po kompensonim diçka pas shpërnguljes që na shkatërroi familjet dhe jetët tona. Mendonim se gjithçka kishte marrë fund”.
“Por kjo luftë shkatërroi gjithçka plotësisht”, shton ai. “Në fund të jetës sonë, na ktheu sërish në pikën zero. Nuk ka mbetur asgjë - as gurë, as pemë”.
Abdel Mahdi pranon se jeta në Gaza nuk ka qenë kurrë vërtet e qetë - me luftëra të shumta izraelite dhe vite të tëra bllokade, por thotë se shkalla e shkatërrimit në luftën e fundit është e paprecedentë.
“Një Nakba në fillim të jetës sime… dhe një tjetër Nakba në fund të saj. Çfarë mund të themi më?” murmuron ai, ndërsa vështron shkatërrimin përreth.
Lufta në Gaza
Abdel Mahdi rrëfen se si jeta e tij u përmbys gjatë luftës së fundit izraelite në Gaza, e cila filloi në tetor të vitit 2023.
Këtë herë, ai u detyrua të largohej nga shtëpia si një burrë i moshuar, duke ecur me vështirësi pranë bashkëshortes së tij të plakur dhe familjeve të nipërve.
Ai u zhvendos disa herë - një herë në zonën e portit të Gazës, në perëndim të qytetit të Gazës, dhe një herë tjetër në Deir el-Balah, në pjesën qendrore të Gazës.
Para kësaj, kishte gjetur strehim në një shkollë të administruar nga Kombet e Bashkuara në Jabalia, derisa forcat izraelite hynë me forcë aty.
Ai kujton momentet e tmerrshme kur tanket dhe ushtarët izraelitë hynë në shkollë gjatë muajve të parë të luftës, ndërsa mbretëronin kaosi, të shtënat dhe britmat, dhe altoparlantët urdhëronin të gjithë të largoheshin drejt jugut.
“Na detyruan të dilnim nga shkolla”, thotë ai. “Unë dhe gruaja ime e moshuar mbështeteshim te njëri-tjetri për të ecur. Disa njerëz nuk mundën të dilnin dhe u vranë aty”.
“Ecëm distanca të gjata derisa arritëm në perëndim të Gazës, bashkë me atë që kishte mbetur nga familja jonë, e cila ishte shpërndarë në vende të ndryshme”, shton ai.
“Ishim duke u rrëzuar nga lodhja, por bombardimet dhe frika na detyronin të vazhdonim përpara”.
Abdel Mahdi thotë se kishte menduar të qëndronte në shtëpi dhe të refuzonte largimin, sepse nuk donte të përsëriste atë që e quan “gabimi i të parëve tanë” kur u larguan në vitin 1948. Por ai thotë se rreziku në fund e detyroi të ikte.
Për këtë burrë të moshuar, vetë zhvendosja u bë një nga pjesët më mizore të luftës.
“Kur njeriu largohet nga shtëpia e tij, ai humbet dinjitetin dhe vlerën e vet”, thotë ai qetë. “Jetuam në tenda, mbi rërë, të ekspozuar ndaj gjithçkaje… Përjetuam uri dhe mungesë absolute të çdo gjëje”.
“E kam dëshiruar vdekjen me gjithë zemër”, pranon tetëdhjetëvjeçari, ndërsa sytë i mbushen me lot. “Gjithçka që doja ishte një mur betoni ku të mbështesja shpinën time të lodhur, por nuk kishte asgjë. Ishte e padurueshme si për të rinjtë, ashtu edhe për të moshuarit”.
Një shije e kthimit
Një ndjenjë e vogël shprese u rikthye kur banorëve iu lejua të ktheheshin në veri të Gazës pas shpalljes së armëpushimit në tetor të vitit 2025.
Abdel Mahdi thotë se e kishte humbur shpresën se do ta shihte ndonjëherë sërish shtëpinë e tij, por ai arriti të kthehej, edhe pse ajo ishte dëmtuar rëndë.
“Një dhimbje e thellë më pushtoi kur pashë Jabalian, ku kisha jetuar për dekada të tëra, të shndërruar në rrënoja pa fund dhe rrugë të shkatërruara”, thotë ai.
“Tani eci me shumë vështirësi, duke u përpjekur të kaloj nëpër rrugët e shkatërruara me shkopin tim,” shton ai, duke kujtuar se ka rënë dy herë ndërsa përpiqej të ecte mes rrënojave të lëna pas nga sulmet izraelite.
Abdel Mahdi këmbëngul se ajo që palestinezët po përjetojnë sot nuk i ngjan asnjë periudhe tjetër të jetës së tij.
Ai ka përjetuar Nakbën, luftën e vitit 1956, luftën e vitit 1967, intifadat palestineze dhe luftërat e mëparshme në Gaza, por thotë se asnjëra prej tyre nuk mund të krahasohet me shkatërrimin aktual.
“Atëherë, izraelitët u tërhoqën nga tokat tona”, thotë ai. “Sot, më shumë se gjysma e territorit të Gazës është pushtuar… çdo ditë dëgjojmë të shtëna armësh dhe automjete ushtarake izraelite”.
“Edhe fundi i luftës për të cilin folën ishte një gënjeshtër”, shton ai. “Ne kemi tre vjet që jetojmë në një katastrofë të vazhdueshme”.
Duke parë zhvillimin e ngjarjeve, Abdel Mahdi, shpreh zhgënjim të thellë ndaj reagimit arab dhe ndërkombëtar ndaj Gazës, duke thënë se palestinezët prej kohësh janë lënë vetëm, përballë luftës, urisë dhe rrethimit.
“Historia po përsëritet”, thotë ai. “Ne u braktisëm në çdo etapë dhe u lamë vetëm përballë një makinerie ushtarake të pamëshirshme. Kemi duruar më shumë sesa mund të përballojë një qenie njerëzore”.
Ky realitet, sipas tij, është edhe arsyeja pse ai nuk arrin të ndiejë shpresë se gjendja në Gaza do të përmirësohet së shpejti.
“Dëgjojmë premtime të pafundme për hapjen e kalimeve kufitare dhe përmirësimin e kushteve të jetesës”, thotë ai. “Por të gjitha janë gënjeshtra… premtime që na vodhën vite nga jeta dhe nga shpirti ynë”.
Megjithatë, pavarësisht zhvendosjeve të përsëritura, humbjeve dhe luftërave, Abdel Mahdi vazhdon të mbahet fort pas së vetmes gjë për të cilën thotë se lufta nuk mundi t’ia marrë: lidhjes me tokën e tij.
“Edhe sikur të më ofronin një pallat në Nju Jork në këmbim të kësaj shtëpie të shkatërruar, unë do të refuzoja”, thotë ai me vendosmëri.
Ajo që po jeton tani, sado e dhimbshme të jetë, nuk e ka shtyrë të mendojë për largimin. Përkundrazi, ai thotë se kjo vetëm sa e ka forcuar vendosmërinë e tij për të qëndruar.
“Ata që u larguan dikur nuk u kthyen më kurrë”, thotë ai. “Njeriu nuk duhet ta braktisë kurrë atdheun e tij. Këtu do të vdes dhe këtu do të varrosem”.