Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një luaneshë në rrugët e Berlinit, thirrje gjermanëve të qëndrojnë brenda

Një “kafshë që është e lirë dhe e rrezikshme”, e dyshuar të jetë një luaneshë, thuhet se u pa në një rajon të Potsdamit në periferi të kryeqytetit gjerman, Berlin, të enjten, ka thënë policia, shkruan Bild.

Autoritetet po përdorin helikopterë për të gjurmuar atë që ata besojnë se është një luaneshë dhe u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda.

Policia ka thënë se në operacionin për gjetjen e kafshës po marrin pjesë edhe specialistë veterinar dhe gjuetarë.

Banorët thuhet se kanë marrë mesazhe përmes aplikacioneve paralajmëruese. Ndër të tjera, atyre u është kërkuar që të mos dalin në shëtitje në pyll dhe të kërkojnë strehim në shtëpitë apo veturat e tyre nëse e shohin kafshën.

Policia ka thënë se kishte marrë informacion për praninë e luaneshës nga dëshmitarët që e kishin filmuar atë duke sulmuar dhe vrarë një derr të egër.