Zyrtarët zgjedhorë në Afrikën e Jugut kanë nisur vizitat nëpër burgje në të gjithë vendin si pjesë e një projekti për të regjistruar të paktën 100 mijë të burgosur për të votuar në zgjedhjet kombëtare të këtij viti.
Kushtetuta e Afrikës së Jugut i garanton çdo qytetari të rritur të drejtën e votës teksa nuk ka kufizime as për të burgosurit që të marrin pjesë në zgjedhje, për dallim nga shumica e shteteve tjera afrikane, shkruan AP.
Dita e zgjedhjeve nuk është caktuar ende por pritet që ato të mbahen mes majit dhe gushtit. Komisioni Zgjedhor i Afrikës së Jugut pret që të regjistrojë një numër rekord të të burgosurve në 240 institucionet korrektuese. Rreth 15,000 të burgosur votuan në zgjedhjet e fundit kombëtare në vitin 2019.
Sipas autoriteteve, Afrika e Jugut ka rreth 157,000 të burgosur.
Me një popullsi prej 62 milionë banorësh, Afrika e Jugut ka më shumë se 27 milionë votues të regjistruar deri më tani për zgjedhjet kombëtare të këtij viti.