Urdhri në thelb ndryshon një politikë të administratës Trump të vitit 2017, që i pengoi parqet kombëtare t’i ndalonin shitjet e shisheve plastike të ujit. Vetëm një pjesë e më shumë se 400 parqeve kombëtare e kishin zbatuar një ndalim të tillë, njëri nga ta ishte parku i njohur “Grand Canyon”. Grupet mjedisore e përshëndetën njoftimin e administratës Biden, të cilin avokatët e disa ligjvënës demokratë e kanë kërkuar prej vitesh
Departamenti i Brendshëm të mërkurën ka bërë të ditur se do t’i heqë gradualisht shitjet e shisheve plastike të ujit dhe produkteve të tjera njëpërdorimshme në parqe kombëtare dhe në toka të tjera publike, gjatë dekadës së ardhshme, duke synuar një burim të madh të ndotjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Urdhri i lëshuar nga sekretarja e Brendshme, Deb Haaland, kërkon që departamenti ta reduktojë blerjen, shitjen dhe shpërndarjen e produkteve dhe paketimeve plastike njëpërdorimshme në 480 milionë hektarë toka të administruara nga Federata, me synimin që të hiqen gradualisht produktet deri në vitin 2032. Urdhri e udhëzon Departamentin të identifikojë alternativa ndaj plastikës njëpërdorimshme, si materiale të kompostueshme ose të biodegradueshme ose materiale 100% të riciklueshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë vendosur për veprime konkrete
“Si kujdestar i tokave publike të vendit, duke përfshirë parqet kombëtare dhe strehimoret kombëtare të kafshëve të egra, dhe si agjenci përgjegjëse për ruajtjen dhe menaxhimin e peshqve, kafshëve të egra, bimëve dhe habitateve të tyre, Departamenti i Brendshëm është i vendosur në mënyrë unike të veprojë në të mirën e Tokës sonë”, është shprehur Haaland në një deklaratë.
Urdhri në thelb ndryshon një politikë të administratës Trump të vitit 2017 që i pengoi parqet kombëtare t’i ndalonin shitjet e shisheve plastike të ujit. Vetëm një pjesë e më shumë se 400 parqeve kombëtare e kishin zbatuar një ndalim të tillë, njëri nga ta ishte parku i njohur “Grand Canyon”.
Grupet mjedisore e përshëndetën njoftimin e administratës Biden, të cilin avokatët e disa ligjvënës demokratë e kanë kërkuar prej vitesh.
“Parqet tona kombëtare, sipas definicionit, janë zona të mbrojtura – ato që amerikanët i kanë dashur për bukurinë dhe historinë e tyre natyrore për më shumë se një shekull – e megjithatë nuk kemi arritur t’i mbrojmë ato nga plastika për një kohë të gjatë”, ka theksuar Christy Leavitt, drejtoreshë e fushatës për plastikën në grupin “Oceana”.
“Zhgënjyes dhe kundërproduktiv”
Urdhri i Haalandit “do të frenojë miliona materiale plastikë të panevojshme që gjenden në parqet tona kombëtare dhe në toka të tjera publike, ku mund të përfundojë duke i ndotur këto zona të veçanta”, ka bërë të ditur Leavitt. Grupi i kërkoi Shërbimit të Parkut Kombëtar dhe agjencive të tjera që të lëvizin me shpejtësi për të kryer ndryshime në reduktimin e plastikës njëpërdorimshme përpara vitit 2032.
Republikani Mike Quigley, përfaqësues demokrat nga Illinioisi, i cili bashkë-sponsorizoi projektligjin në Dhomë, përshëndeti njoftimin e brendshëm si “hap i madh përpara në përpjekjen për ta mbrojtur mjedisin dhe krijesat në të nga dëmet që shkakton plastika”.
Quigley, i cili po planifikon një vizitë në Parkun Kombëtar Yosemite, ka thënë se mezi pret të dëgjojë se si parku do ta zbatojë rregullin e ri.
Matt Seaholm, president dhe themelues i Shoqatës së Industrisë së Plastikës, e quajti njoftimin e Departamentit “zhgënjyes” dhe kundërproduktiv.
“Në shumicën e aplikacioneve, produktet plastike janë opsioni më pak i dëmshëm për mjedisin, për sa kohë që asgjësohen siç duhet”, ka thënë Seaholm, grupi i të cilit përfaqëson të gjithë zinxhirin e furnizimit të industrisë së plastikës. Ai ka kërkuar përmirësimin e infrastrukturës së riciklimit në parqe si “qasje më e mirë ndaj qëndrueshmërisë”.
“Oceana” ka njoftuar se sondazhi kombëtar i kryer nga Ipsos në nëntor të vitit 2021 ka zbuluar se 80% e votuesve amerikanë do ta mbështesin vendimin e Shërbimit të Parkut Kombëtar për ta ndaluar shitjen dhe shpërndarjen e plastikës njëpërdorimshme në parqet kombëtare.
Ndikimi shkatërrimtar në mjedis
Haalandi ka theksuar se urdhri për plastikë ishte i rëndësishëm, ngaqë më pak se 10% e plastikës së prodhuar ndonjëherë është ricikluar dhe normat e riciklimit në SHBA po bien pasi Kina e vendet e tjera e kanë ndaluar pranimin e mbeturinave amerikane.
Tokat në administrim nga Departamenti i Brendshëm kanë gjeneruar afro 80 mijë tonë mbeturina të ngurta komunale në vitin fiskal 2020, shumica prej tyre plastike, ka njoftuar Departamenti.
Nga më shumë se 300 milionë tonë plastikë të prodhuar çdo vit për përdorim në një shumëllojshmëri të gjerë aplikimesh, të paktën 14 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqean çdo vit dhe plastika përbën 80% të të gjitha mbeturinave detare të gjetura nga ujërat sipërfaqësore.
Shumë specie detare i gllabërojnë ose ngatërrohen nga mbeturinat plastike, duke u shkaktuar shpesh lëndime të rënda ose ngordhjen. Ndotja plastike kërcënon edhe cilësinë e ushqimit, shëndetin e njerëzve, turizmin bregdetar e madje kontribuon edhe në ndryshimet klimatike, vuri në dukje departamenti.
Përktheu: Blerta Haxhiu