Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ngërçi politik malazias e rrezikon procesin e integrimit evropian

Paralajmërimi se kriza politike dhe kushtetuese në Mal të Zi do të diskutohet në seancat e janarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas të Këshillit Evropian, do të thotë se është kuptuar serioziteti i situatës, kanë thënë analistët për Radion Evropa e Lirë një ditë pasi Mali i Zi do të mbajë zgjedhje presidenciale më 19 mars.

Malaziasit do të votojnë për presidentin në zgjedhjet ku do të sfidohet presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, i cili ka mbajtur postet më të larta shtetërore në vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor prej vitit 1991.

Vendimi për rundin e parë është marrë nga kryetarja e parlamentit, Danijela Gjuroviq, e cila ka shpjeguar se ngërçi kushtetues ishte shkak për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi është e bllokuar që nga shtatori, kur ka mbetur me vetëm tre gjyqtarë nga shtatë sa duhet t’i ketë. Për shkak të mungesës së kuorumit, nuk mund të marrë vendime për ankesat kushtetuese, të cilat lidhen edhe me proceset zgjedhore. Pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të formohet asnjë qeveri e re pas zgjedhjeve.

Qeveria e kryeministrit shqiptar, Dritan Abazoviq, dështoi të siguronte mocionin e mosbesimit në parlament në muajin gusht.

Në shtator, presidenti Gjukanoviq refuzoi një kandidaturë për kryeministër dhe në vend të kësaj sugjeroi shpërndarjen e parlamentit, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Partnerët perëndimorë dhe BE-ja, tash e sa muaj, u kërkojnë subjekteve politike në Mal të Zi të arrijnë marrëveshje për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që vendi të ketë stabilitet institucional dhe politik.

Abazoviqi, megjithatë, u shpreh skeptik ndaj paralajmërimit të ministres së Jashtme sllovene, Tanja Fajon, se në Bruksel do të diskutohet për masa që përfshijnë ndërprerjen e negociatave me Malin e Zi.

Artikuj të ngjashëm