Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nga fusha e betejës te dëbimi: Fati i një veterani amerikan

Sae Joon Parku

Pas një beteje të gjatë me varësinë nga droga, Sae Joon Park mendonte se më në fund kishte ndërtuar jetë të qëndrueshme. Por vitin e kaluar ai u dëbua nga SHBA-ja dhe tani po lufton për t’u kthyer sërish në Hawaii

Jeta e Sae Joon Parkut ishte katrahurë pasi vitin e kaluar ai u përfshi në fushatën e dëbimeve nga administrata e Donald Trumpit. Megjithatë, në një të martë së fundmi, ai ishte i shqetësuar për një problem më urgjent: kishte frikë se mund të mbetej i shurdhër.

Në një klinikë pa termin në qytetin e Busanit, në Koreja e Jugut, ai i shpjegoi recepsionistes, në një koreanishte me theks të lehtë, se si daullja e veshit të majtë i ishte çarë papritur gjatë gjumit disa javë më parë. Tani edhe veshi i djathtë dukej sikur po i humbte gradualisht dëgjimin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ju lutem plotësoni këto hapësira”, i tha ajo, duke i dhënë një formular regjistrimi.

“Unë nuk di të lexoj apo të shkruaj gjuhën koreane”, u përgjigj  Park.

Kjo ishte një fjali që ai e kishte përsëritur shumë herë gjatë javëve të fundit. Arsyeja ishte e thjeshtë: ai nuk kishte jetuar në Kore që nga mosha 7-vjeçare, kur kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një veteran i ushtrisë amerikane, i plagosur në luftë dhe i dekoruar me medaljen “Purple Heart”, ai ishte urdhëruar të largohej nga Amerika në moshën 56-vjeçare për shkak të një të kaluare kriminale, për të cilën besonte se e kishte shlyer tashmë fajin.

Ai kishte treguar historinë e tij në dhjetëra intervista mediatike. Në dhjetor, ai madje u lidh me video në një seancë dëgjimore të Kongresit amerikan, ku ish-sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem premtoi se do ta shqyrtonte çështjen e tij.

Gjatë muajve të parë pas kthimit në Kore, kishte hezituar të blinte mobilie për banesën e tij, duke shpresuar se ndoshta situata mund të ndryshonte. Por muajin e kaluar ai më në fund bleu një shtrat dhe një tavolinë për apartamentin e tij të vogël. Teksa mendonte se si do të ishte jeta nëse do të mbetej edhe i shurdhër përveç të gjitha problemeve të tjera, një infermiere thirri emrin e tij.

“Tani nuk është më në dorën time”, tha ai. “Çfarë tjetër mund të shkojë keq?”

Katër dekada më parë, ushtria i kishte premtuar drejtimin jetësor.

Në zonën e Los Angelesit në vitet 1980, kujtonte Park, “pothuajse të gjithë ose ishin pjesë e një bande, ose përfundonin viktima të tyre”. Nëna e tij udhëhiqte një dyqan disqesh në Compton dhe punonte çdo ditë të vitit, 365 ditë pa pushim, ndërsa herë pas here përballej edhe me grabitje nën kërcënimin e armës.

“E dija që nuk doja një jetë të tillë”, kujtoi ai.

Sprovat e jetës

Mundësia për të marrë shtetësinë amerikane përmes shërbimit ushtarak nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend, sepse ai besonte se kartoni i gjelbër që e kishte marrë si fëmijë ishte po aq i sigurt dhe i përhershëm.

Ai u dërgua me ushtrinë në Panama në vitin 1989, kur ishte vetëm 20 vjeç, sapo kishte përfunduar stërvitjen bazë. Ishte një nga mijëra ushtarët që kishin marrë urdhër të kapnin gjeneralin Manuel Noriega, diktatorin që përballej me akuza për trafik droge në SHBA.

Pas një bastisjeje në një nga komplekset e Noriegës, Park po hante drekë kur vuri re disa ushtarë panamezë po afroheshin. Sapo u kthye për të paralajmëruar rreshterin, ai u rrëzua në tokë, pa ndjerë më këmbët. Ajo që i shpëtoi jetën ishin mbulesat ushtarake të varura pas shpine, të cilat ngadalësuan plumbin që e goditi në shtyllën kurrizore.

Pas daljes nga ushtria për arsye mjekësore, me gradën ushtar i thjeshtë, Departamenti i Veteranëve i tha se nuk kishte të drejtë për kompensim invaliditeti, sepse ai kishte rifituar aftësinë për të ecur. Megjithatë, ai filloi të vuante nga makthe të vazhdueshme dhe ankthi i fortë sa herë dëgjonte zhurma të forta.

Edhe pse çrregullimi i stresit post-traumatik, i njohur si Post-Traumatic Stress Disorder, ishte njohur zyrtarisht nga psikiatrit që në vitin 1980, vetëm rreth vitit 2008 Departamenti i Veteranëve u përpoq ta kontaktonte për trajtim dhe për t’i ofruar pagesa invaliditeti. Por deri atëherë, një varësi nga kokaina, ndër të tjera, e kishte futur tashmë në një seri problemesh ligjore gjithnjë e më të rënda.

Pasi dyqani i nënës së tij u dogj gjatë protestave të vitit 1992 në Los Angeles, ai filloi të mbante armë me vete për mbrojtje. Kjo gjë e çoi në arrestim gjatë një kontrolli rutinë të makinës disa vite më vonë. Më pas u akuzua edhe për sulm të lehtë pas një konflikti familjar me ish-gruan e tij.

Në vitin 2007, arrestimi për posedim droge në New York e çoi në burg për dy vjet. Pas lirimit, ndërkohë që duhej të dëshmonte se po ndiqte programin e rehabilitimit nga droga, ai mungoi në një seancë gjyqësore dhe kështu mori edhe një akuzë tjetër për shmangie nga drejtësia. Pas arratisjes në Hawaii, ai më në fund u dorëzua tek zyrtarët federalë amerikanë. Dy vjetët e tjerë që i kaloi në burg, sipas tij, e ndihmuan të linte përfundimisht drogën. Por një vit para se të lirohej, në vitin 2011, një gjykatës vendosi që ai të dëbohej nga Shtetet e Bashkuara.

Në fund, atij iu lejua të qëndronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kusht që të mos përfshihej më në probleme ligjore dhe të paraqitej rregullisht për kontroll tek autoritetet e emigracionit.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, ai thotë se pikërisht kështu kishte vepruar në Hawaii: punonte si shitës makinash, kujdesej për nënën e tij, e cila kishte demencë dhe shihte me krenari fëmijët e tij të rriteshin e të ndërtonin karriera të suksesshme.

“Por gjithçka mu mor papritur, brenda një momenti”, tha ai.

Rutinat e reja

Muajin e kaluar, Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, refuzoi të komentonte nëse Kristi Noem e kishte shqyrtuar rastin e Parkut. “Nëse vini në vendin tonë dhe shkelni ligjet tona, ne do t’ju gjejmë, do t’ju arrestojmë dhe do t’ju dëbojmë”, tha ajo.

Kjo gjë u bë plotësisht e qartë gjatë paraqitjes së fundit të Parkut tek autoritetet lokale të emigracionit në majin e kaluar. Ai tregoi se, në vend të agjentit të zakonshëm që e kishte trajtuar gjithmonë me mirëkuptim, këtë herë u përball me një oficer të ri. Ky i fundit i tha se gjërat do të funksiononin ndryshe “nën regjimin e ri”, ndërsa e njoftoi se do të deportohej. Megjithatë, për shkak të shërbimit të tij ushtarak, atij iu dha mundësia të organizonte vetë largimin nga vendi, në vend që të dëbohej me forcë.

Sipas Danicole Ramosit, avokat për emigracion në kuadër të Universitetit të Havait, i cili përfaqëson Parkun, ai ka të ngjarë të ketë vetëm një mundësi për të sfiduar urdhrin e deportimit. Hapi më i rëndësishëm do të jetë anulimi ose zbutja e akuzës për shmangie nga drejtësia, shkelje që ligji i emigracionit e konsideron pothuajse të pafalshme. Edhe pse Parku ka kërkuar si ulje të dënimit nga zyra e prokurorit të distriktit të Queensit, ashtu edhe falje nga guvernatorja e New York, Kathy Hochul, një vendim mund të marrë vite të tëra.

Edhe pse shërbimi ushtarak në vetvete nuk garanton automatikisht shtetësinë amerikane, Ramos, i cili vetë shërben në Gardën Kombëtare Ajrore tha se beson se Parku do të kishte pasur rast shumë të fortë nëse ushtria do ta kishte ndihmuar të aplikonte për shtetësi përpara se jeta e tij të merrte rënien. Sipas Ramosit, shumë veteranë shpesh janë të paqartë dhe të hutuar për statusin e tyre të shtetësisë.

Për momentin, Parku po përpiqet të përshtatet me rutinat e reja të jetës së tij.

Jeta e tij dikur aktive shoqërore tani është reduktuar në shikimin e finales së Super Bowlit, i vetëm në apartamentin e tij. Njohuritë e kufizuara të gjuhës koreane nuk i lejojnë të gjejë një punë, kështu që ai e kalon kohën duke shëtitur nëpër rrugicat përreth, ku në restorante dhe bare plot gjallëri mblidhen të rinj të lumtur.

“Ndihem sikur nuk i përkas këtij vendi”, tha ai.

Në shtëpi, ndërkohë, shëndeti i nënës së tij 86-vjeçare po përkeqësohet gjithnjë e më shumë dhe ai shpesh pyet veten nëse do të arrijë ta shohë edhe një herë para se ajo të vdesë. Në një moment, Departamenti i Veteranëve, me shumë gjasë do ta thërrasë për një kontroll mjekësor, në të cilin ai nuk mund të paraqitet. Ai druhet se kjo mund të ndikojë edhe në pagesat e tij të invaliditetit, të cilat për momentin janë burimi i vetëm i të ardhurave për të. Park nuk ka më mundësi të ndjekë terapinë për çrregullimin post-traumatik.

“Trauma të zë në befasi”, tha ai. “Ndonjëherë zgjohem duke qarë. Edhe tani më ndodhin herë pas here makthe”.

Në klinikë, testet treguan se daullja e çarë e veshit të Parkut ishte shëruar dhe nuk kishte pësuar dëmtime të përhershme.

“Dëgjimi do t’ju rikthehet plotësisht, por do të duhet pak kohë”, i tha mjeku.

Duke menduar se në jetë ka pasur më shumë fat sesa i takonte, Parku kishte filluar ta pranonte edhe mundësinë e rezultatit më të keq.

“Ndihem sikur jam duke luajtur në kohën shtesë të jetës”, tha ai. Por ndoshta, shpresonte ai, ka ende pak fat të mbetur.