Botë

Nga Damasku në Berlin: Një dekadë shpresë, sakrificë dhe integrim

Refugjat sirian ne Gjermani

Foto: Associated Press

Pasi u larguan nga Siria për shkak të luftës civile, Rahaf Alshaar dhe familja e saj ndërtuan një jetë të re në Gjermani. Tani shtetas gjermanë, ata reflektojnë mbi rrugëtimin e vështirë të integrimit, sfidat kulturore dhe krenarinë për arritjet e tyre në një shoqëri që ndryshoi bashkë me ta.

Pothuajse një dekadë pasi iku nga lufta civile në Siri, Rahaf Alshaar, duke qëndruar në divanin e saj në një lagje me gjelbërim në periferi të Berlinit, e duke pirë kafe, tregon për sfidat e kaluara.
Kur ajo, burri i saj dhe tri vajzat e tyre mbërritën në Gjermani si refugjatë, ata u përshtatën shpejt me vendin e ri: mësuan gjuhën, gjetën punë dhe shkuan në shkollë.

“Ishte shumë punë e vështirë, por jam krenare për atë që arritëm”, tha Alshaar, 44-vjeçare, në një intervistë për Associated Press.

Në fillim të këtij viti, e gjithë familja mori shtetësinë gjermane dhe bleu një shtëpi me kopsht të bukur.
“Ne jemi gjermanë”, tha 52-vjeçari Basem Wahbeh, bashkëshorti i Alshaarit.

Familja e tyre mbërriti me valën e emigrantëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të cilët kërkuan strehë në Gjermani, duke arritur kulmin me mbi 1 milionë në vitin 2015. Mbërritja e kaq shumë azilkërkuesve në një vit të vetëm vuri në presion resurset e vendit dhe solli pasoja me të cilat Gjermania po përballet edhe një dekadë më vonë, veçanërisht rritjen e partive të djathta ekstreme anti-imigracion.

Edhe pse integrimi i familjes në shoqërinë gjermane qe i suksesshëm, ai nuk erdhi pa sakrifica. Ata dhe shumë të tjerë u detyruan t’i linin pas shtëpitë, kulturën dhe gjuhën e tyre, ndonjëherë duke hequr dorë nga traditat që ishin të shenjta për ta.

Gjermania hapi dyert

Më 31 gusht 2015, ndërsa Evropa po përballej me atë që tashmë po quhej kriza e refugjatëve, kancelarja Angela Merkel hapi kufijtë e Gjermanisë për migrantët. Duke u përballur me kritika brenda dhe jashtë vendit, Merkel u premtoi me guxim qytetarëve se “ne do ta përballojmë këtë”.
Refugjatët fillimisht u pritën me duartrokitje kur mbërritën në stacionet e trenit. Familjet gjermane hapën shtëpitë e tyre për t’i strehuar për muaj të tërë, ndërsa qytetet e mbingarkuara përpiqeshin të gjenin akomodim.

Në një përpjekje masive, shkollat dhe kolegjet komunitare krijuan shpejt dhjetëra mijëra “klasa mirëseardhjeje” për fëmijët dhe klasa integrimi për të rriturit, për t’i ndihmuar të mësonin gjermanisht, të gjenin punë dhe strehë në vendin e tyre të ri.

“Shumë gjëra u zgjidhën më mirë nga sa pritej”, tha Jonas Wiedner, ekspert për migracionin nga Qendra Gjermane e Shkencave Sociale në Berlin.

Ai theksoi se statistikat e punësimit të migrantëve janë thuajse të barabarta me ato të gjermanëve. Politikanët vepruan shpejt për të ofruar ndihmë dhe fonde komuniteteve lokale që integronin të sapoardhurit, dhe “shoqëria civile ishte shumë e përfshirë që nga fillimi dhe ka arritur gjëra të mëdha”.
Gjermania u bë destinacioni kryesor i azilit në Evropë, me popullsinë totale që u rrit me 1.2% në vitin 2015 - rritja më e madhe që nga viti 1992  për shkak të migracionit, sipas Zyrës Federale të Statistikave.

Me kalimin e kohës, ndërsa më shumë azilkërkues mbërritën në kërkim të perspektivave më të mira, jo domosdoshmërish duke ikur nga rreziku, vala e imigracionit nxiti ankth ekonomik dhe zemërim ksenofobik mes disa gjermanëve.

Fillimi i një jete të re në Evropë

Para shpërthimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, familja e Wahbehut kishte një jetë të mirë. Ai punonte prej shumë vitesh në një kompani që prodhonte biskota, çokollata dhe lëngje, ndërsa gruaja e tij rriste vajzat. Por, me përshkallëzimin e luftës, u rritën edhe shqetësimet për sigurinë e familjes së tyre.

Në dhjetor të vitit 2012, një bombë goditi shkollën fillore të vajzës më të madhe, Rajaa, ndërsa ajo ishte në klasë. Ajo nuk u lëndua, por kjo ngjarje i bindi që të largoheshin.

“Jo më shkollë. Duhet të ikim”, i tha Alshaar burrit të saj.

Alshaar dhe Wahbeh thanë se fillimi i ri në Gjermani ishte i vështirë. Ata nuk njihnin gjuhën, dimrat ishin shumë më të ftohtë se në shtëpi, dhe autoritetet fillimisht nuk njohën diplomat e tyre universitare.

Të vendosur për të arritur sukses, ata u regjistruan në kurse të gjuhës gjermane dhe fillimisht morën pjesë në praktika pune për të hyrë në tregun e punës. Alshaar, e cila është inxhiniere civile me profesion, gjeti një punë të qëndrueshme në Ministrinë e Transportit dhe i regjistroi tri vajzat në një shkollë të mirë të mesme.

“Jam shumë krenare dhe pata fat që kisha njerëz të mirë rreth meje”, tha Alshaar, duke iu referuar gjermanëve që i ndihmuan si refugjate dhe që janë bërë miq të mirë të familjes. Por ajo gjithashtu përjetoi armiqësi si e huaj, veçanërisht për shkak të mbajtjes së hixhabit.

 Rritja e polarizimit

Hidhërimi për shkak të migracionit ka nxitur rritjen e partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila, sipas sondazheve, do të ishte partia e dytë më e madhe në Gjermani, nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot. Në vende të tjera të Evropës, votuesit gjithnjë e më shumë i kanë dhënë fuqinë partive nacionaliste të djathta ekstreme që premtojnë ta kufizojnë migracionin.
“Është një çështje shumë kontroverse politike dhe ka dhënë vazhdimisht armë për ekstremistët e djathtë”, tha Wiedner.

Në një sondazh të fundit, ku u pyet sa mirë “Gjermania përballoi valën e afro 1.5 milionë refugjatëve ndërmjet viteve 2015 dhe 2020”,  vetëm 21% u përgjigjën “mirë,” 41% thanë “më pak mirë” dhe 37% thanë “fare keq.” Të dhënat u mblodhën nga Instituti Forsa për llogari të RTL Germany nga 22 deri më 25 gusht. U intervistuan 1.006 persona dhe gabimi statistik ishte plus/minus 3 për qind.

Gjatë fushatës zgjedhore të Gjermanisë në fillim të këtij viti, kandidatja për kancelare e AfD-së, Alice Weidel, kërkoi mbylljen e kufijve për migracionin pa dokumente dhe deportime masive të azilkërkuesve, duke bërë të qartë se nuk ka problem me termin politikisht të ngarkuar “rimigracion”.
Edhe pse shumë gjermanë kanë shprehur zemërimin e tyre me protesta kundër qëndrimit anti-migracion të AfD-së, kancelari Friedrich Merz nga Demokracia Kristiane e qendrës së djathtë gjithashtu kandidoi me premtimin për të ndalur “migracionin e pakontrolluar.” Pasi qeveria e re erdhi në pushtet, ajo shpejtoi kontrollet në kufij për ta frenuar migracionin drejt Gjermanisë dhe filloi të përshpejtojë deportimet e atyre që u ishte refuzuar kërkesa për azil dhe atyre me dosje penale.
Alshaar tha se ka ndjekur me shqetësim rritjen e së djathtës ekstreme, por njëkohësisht nuk dëshiron të trembet, sepse ndihet krenare për atë që familja e saj ka bërë, edhe pse integrimi në shoqërinë gjermane nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.

Përshtatja në një shtëpi të re

Gjermanët e pyetën disa herë nëse ishte detyruar të mbante hixhabin. Në një takim në një vend ndërtimi jashtë Berlinit, Alshaarit iu tregua gishti i mesit.

Duke parë një foto të mbërritjes së saj në Gjermani — pas një odiseade nga Damasku për në Liban, Egjipt dhe më në fund Berlin — duke mbajtur një shami të bardhë që i mbulonte fort fytyrën, Alshaar ndaloi, kaloi dorën nëpër flokët e saj të gjatë, kafe të çelët, dhe tha se i duhej shumë vite luftë e brendshme para se të vendoste ta hiqte hixhabin dy vjet më parë.

“Ishte e vështirë... sepse kisha mbajtur shaminë për më shumë se 30 vjet”, tha ajo.

Tri vajzat e saj nuk duan të mbajnë hixhab. Përkundrazi, ato duken gjermane, ndihen gjermane dhe flasin gjermanisht pa asnjë theks.

Rajaa, 20 vjeçe, ka përfunduar shkollën e mesme dhe po aplikon në shkolla arti, Razan, 17 vjeçe, do të nisë vitin e fundit pas pushimeve të verës, dhe Raneen, 13 vjeçe, e cila u zgjodh përfaqësuese klase vitin e kaluar, së shpejti do të jetë në klasën e tetë.

“Shumë nga shokët e mi as nuk e dinin që jam nga Siria dhe u habitën kur ua tregova”, tha Rajaa.
Prindërit janë mirënjohës ndaj Gjermanisë që u dha një vend ku ta rindërtojnë jetën dhe janë të qetë që vajzat e tyre janë integruar kaq mirë, megjithatë Alshaar tha se për të është e rëndësishme që familja e saj të flasë ende arabisht në shtëpi, të shikojë seriale siriane dhe të festojë festat myslimane.
Pavarësisht rrëzimit të regjimit të Bashar Assadit vitin e kaluar, ata nuk kanë plane të kthehen në vendin e tyre. Por Alshaar tha me nostalgji se ajo dhe burri i saj gjithmonë do të kenë mall për Sirinë.
“Nuk dua që vajzat e mia të rriten me këtë ndjenjë të mallit për shtëpinë, sepse kjo gjithmonë do t’i bëjë të ndihen se nuk janë të plota”, tha ajo.