Në një fjalim të rrallë drejtuar publikut izraelit në prag të Shabbatit, kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli “kurrë nuk do t'i harrojë ose falë aktet e tmerrshme të armikut” dhe premtoi se sulmet e vazhdueshme ajrore në Rripin e Gazës, të cilat deri më tani kanë marrë jetën e më shumë se 1700 palestinezëve, është vetëm fillimi.
“Sot, të gjithë e dinë se ne po luftojmë për atdheun dhe se po luftojmë si luanë. Të gjithë jemi të bashkuar”, ka thënë Netanyahu në një deklaratë të shkurtër që vlerësohet se ishte për të rritur moralin.
Netanyahu nuk i është drejtuar popullit më parë në prag të Shabbait, dita e pushimit hebre, dhe pritej të kishte diçka dramatike për të ofruar.
“Do të flitet shumë më tepër për heroizmin e popullit tonë në ditët e errëta të dhimbjes së thellë në Shabbat, histori që do të skaliten në identitetin izraelit”, ka thënë kryeministri i Izraelit.
“Ne nuk do t'i harrojmë kurrë krimet e kryera nga armiqtë tanë dhe nuk do t'i falim kurrë. Dhe ne kurrë nuk do ta lejojmë botën, apo askënd, të harrojë këto mizori, të cilat nuk janë kryer kundër popullit hebre për shumë dekada”, ka thënë Netanyahu.
Ai ka deklaruar se po i sulmojnë armiqtë me forcë të paparë, por se ky është vetëm fillimi.
Edhe
Netanyahu: Kushdo që kërcënon Izraelin, do të paguajë çmim të lartë
“Armiqtë tanë sapo kanë filluar të paguajnë çmimin. Nuk do të jap detaje se çfarë do të ndodhë më pas. Por po ju them se është vetëm fillimi. Ne po sigurojmë vazhdimin e luftës, me më shumë municione dhe armë që vijnë në Izrael. Ne do ta shkatërrojmë Hamasin dhe do të fitojmë. Do të duhet kohë, por ne do ta përfundojmë këtë luftë më të fortë se kurrë”, ka thënë Netanyahu.
Kreu i opozitës në Izrael, Lapid, e kritikoi fjalimin e Benjamin Netanyahut, duke thënë se e ka futur vendin në panik.