Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një deklaratë për media të shtunën në mbrëmje, është zotuar se Izraeli do të hakmerret për sulmin e Hamasit.
“Izraeli do të hakmerret për këtë ditë të zezë”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, Netanyahu ka thënë se ajo që ka ndodhur sot në Izrael “s’është parë kurrë më parë”.
“Do të arrijmë në çdo vend ku fshihet Hamasi”, ka thënë ai teksa u ka bërë thirrje qytetarëve të Gazas të largohen nga ato vende.
“Izraeli do të hakmerret ndaj kujtdo që i prek të kapurit tanë”, ka shtuar ai.
Të paktën 200 izraelitë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Hamasit në mëngjesin e së shtunës, kanë konfirmuar ekipet e shpëtimeve në Izrael, raporton CNN. Në anën tjetër, nga kundërsulmet izraelite janë vrarë 232 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1700 të tjerë, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë në Gaza.