Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, ka thënë se ai do t'i bëjë një ftesë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për t'iu drejtuar Kongresit pasi anëtarët e konferencës së tij e inkurajuan atë që ta bënte këtë, në takimin e tyre të mërkurën/
“Me siguri se do ta bëjmë ftesën”, ka thënë republikani nga Lousiana të enjten në CNBC.
Johnsoni po ashtu ka thënë se ai ishte ftuar nga Netanyahu që të flasë në Knesset, Parlamentin izraelit, duke deklaruar se ky do të ishte një nder i madh për të.
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy i ishte drejtuar Knessetit në maj të vitit 2023.
Ftesa e Johnsonit për Netanyahun vjen në kohën kur SHBA-ja po mundohet që ta bindë Izraelin për armëpushim në Gaza, pas planit izraelit që të sulmojë Rafahun së shpejti.
Një zyrtar i lartë izraelit raportohet të ketë deklaruar se Izraeli do ta kryejë sulmin në Rafah edhe nëse kjo i kushton me prishje të marrëdhënieve me SHBA-në.