Botë

Nëntë punonjës të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut në një minierë në Turqi

Një rrëshqitje e madhe dheu ka ndodhur një minierë ari në lindje të Turqisë të martën, duke ngujuar nëntokë nëntë punonjës, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Rrëshqitja në minierën e kompanisë "Anagold Madencilik" ndodhi rreth orës 14:30 të martën në afërsi të qytetit Ilic. Xhirimet, që thuhet se janë bërë nga një punonjës, shfaqin një rrëshqitje masive të dheut duke mbuluar çdo gjë në rrugën e saj.

Nëntë punonjës rezultojnë të zhdukur dhe nuk është dëgjuar asgjë për ta që nga rrëshqitja.

“Mendohet se janë ngujuar nëntokë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

Në rrëshqitje ishte përfshirë edhe një grumbull i madh i dheut që ishte nxjerrë nga miniera.

Yerlikaya ka thënë se 400 pjestarë të forcës së kërkim-shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë kryetari i provincës Erzincan, Bekir Aksun, i ka thënë transmetuesit turk “Haberturk” se mes 10 dhe 12 punonjës rezultojnë të zhdukur. Ministria e Energjisë ka thënë se janë nëntë të zhdukur.

Gjeologu Suleyman Pampal ka thënë se dheu që rrëshqiti i ishte nënshtruar përpunimit për të nxjerrë ar dhe mund të përmbajë substanca të rrezikshme si cianid.

Ai paralajmëroi për një kërcënim mjedisor ndaj lumit Eufrat që gjendet aty pranë.

“Përzierja me Eufratin do të thoshte fundi i gjithë jetës aty. Duhet të parandalohet urgjentisht arritja e dheut në Eufrat”, tha Pampal.