Zëvendëskryeministri i shtetit gjerman të Bavarisë, Hubert Aiwanger, do të vazhdojë të qëndrojë në postin e tij pas polemikave në lidhje me një pamflet antisemitik të shkruar në vitet 1980, raportoi të dielën BBC-ja.
Aiwanger ka mohuar të ketë shkruar diçka ku tallej me Holokaustin.
Udhëheqësi konservator i Bavarisë, Markus Soeder ka thënë të dielën se do të ishte i tepruar shkarkimi i zëvendësit të tij dhe partnerit të koalicionit.
"Vështirë se ndonjëri prej nesh sot është i njëjtë me atë që ishim kur ishim 16 vjeç", ka thënë ai.
Fletëpalosja fliste për një konkurs fiktiv për të gjetur se “kush është tradhtari më i madh i atdheut", me çmimin e parë "fluturim falas përmes oxhakut në Aushvic".
Kampi i shfarosjes së Aushvicit ishte në zemër të gjenocidit nazist të gjashtë milionë hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Nga 1.1 milion njerëz të vrarë në Aushvic, rreth një milion ishin hebrenj.
Edhe
Anulohet ankandi me eksponate të Holokaustit pas reagimeve të forta
"Tani ajo që thashë nga fillimi është konfirmuar: Nuk ka asnjë arsye për të më pushuar, fushata kundër meje ka dështuar," shkroi Aiwanger në X, i njohur më parë si Twitter, në përgjigje të vendimit të Soederit. "Tani duhet t'i kthehemi punës së përditshme për vendin tonë, në mënyrë që Bavaria të mund të vazhdojë të qeveriset në mënyrë të qëndrueshme që nga vjeshta”, ka shtuar ai.
Në fillim të këtij muaji, një histori për lidhjen e Aiwangerit me fletëpalosjen u shfaq në gazetën e majtë Syddeutsche Zeitung.
Vëllai i tij, Helmut Aiwanger, ka deklaruar se ishte ai që e shkroi pamfletin kur ishte i ri dhe tani është penduar për veprimet e tij, për çka edhe kërkoi falje.