Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në përplasje të re, Macron akuzon Turqinë për ndërhyrje në zgjedhje

Në një intervistë dhënë për televizionin “France 5”, Macron ka akuzuar Turqinë dhe mediat shtetërore turke për angazhim në një “politikë të gënjeshtrave” dhe në portretizimin e Francës si shtet që “ka probleme me islamin”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ashpërsuar të mërkurën sërish retorikën kundër Turqisë, pas një periudhe të marrëdhënieve relativisht më të qeta midis Parisit dhe Ankarasë, duke e paralajmëruar vendin kundër çdo lloj përpjekjeje për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë.

Kundër këtij pretendimi ka dalë menjëherë Turqia, duke i hedhur kategorikisht poshtë akuzat.

Në një intervistë dhënë për televizionin “France 5”, Macron ka akuzuar Turqinë dhe mediat shtetërore turke për angazhim në një “politikë të gënjeshtrave” dhe në portretizimin e Francës si shtet që “ka probleme me islamin”.

“Qartazi, nëpërmjet manipulimit të opinionit publik... do të ketë tentime për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Macron. Zgjedhjet presidenciale në Francë janë caktuar që të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.

Deklarata e Macronit është dhënë me gjithë përpjekjet nga Turqia dhe Franca për t’i zbutur tensionet që kanë shpënë marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët ndonjëherë. Kjo pasi që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e kishte akuzuar Francën për islamofobi dhe kishte thënë se Macroni do të duhej t’i nënshtrohej një kontrollimi për shëndetin mendor.

Edhe Franca i kërkon Turqisë të mos polemizojë për karikaturat Botë Franca i kërkon Turqisë të mos polemizojë për karikaturat

Dy vendet kanë pasur mospajtime më herët edhe për një mori çështjesh të tjera, përfshirë përplasjet rreth të drejtave për energji në lindje të Mesdheut, si dhe për intervenimin ushtarak të Turqisë në Libi.

Në intervistën e së mërkurës Macroni ka cekur gjithashtu të ketë vërejtur se presidenti turk synon përmirësimin e marrëdhënieve, të cilat janë përkeqësuar edhe për mospajtimet rreth Sirisë dhe Nagorno-Karabakhut. Por derisa ka insistuar se Evropa kurrë nuk duhet t’ia kthejë shpinën Turqisë, Macron ka theksuar se përmirësimi i marrëdhënieve do të jetë i vështirë për aq kohë sa sjellja e Ankarasë nuk ndryshon.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, ka reaguar menjëherë ndaj akuzave, duke i quajtur pretendimet e Macronit si “të rrezikshme”. Ai ka thënë gjithashtu se interesimi i vetëm i Turqisë në politikat e brendshme franceze ka të bëjë me mirëqenien e turqve që jetojnë në Francë.

“I konsiderojmë pretendimet e Macronit... si skajshmërisht armiqësore karshi komuniteteve të huaja në vend dhe kësisoj të rrezikshme në këtë aspekt”, ka thënë Aksoy. “Turqia nuk ka ndonjë agjendë për sa u përket politikave të brendshme të Francës, veçmas mirëqenies, paqes dhe harmonisë së komunitetit prej më se 800.000 turqve që jetojnë në këtë vend”.

Aksoy është shprehur gjithashtu i dëshpëruar për faktin se komentet e Macronit janë bërë në kohën kur Franca dhe Turqia kanë hedhur hapa drejt garantimit që “tensionet t’u hapin rrugë qetësisë dhe miqësisë”.

Edhe Erdogan: Macroni dëshiron “të lajë hesape” me myslimanët Botë Erdogan: Macroni dëshiron “të lajë hesape” me myslimanët

“Do të donim që t’ia rikujtojmë Francës se Turqia do të përgjigjet me reciprocitet karshi çdo qëndrimi pozitiv apo negativ ose deklaratave, duke vepruar në të njëjtën mënyrë”, ka thënë ai.

Macron ka thënë se Franca kurrë nuk do të gjunjëzohet karshi “shantazheve”, por ka bërë të ditur se Evropa duhet të bashkëpunojë me Ankaranë rreth politikave të emigracionit, pasi që shteti strehon me miliona refugjatë sirianë. Ai ka përsëritur bindjen e tij se “duhet qartësuar” sjellja e Turqisë përbrenda NATO-s dhe veçmas veprimet e vendit në kuadër të konfliktit në Libi. “Turqia nuk e ka mbajtur fjalën, dërgon luftëtarë të huaj, dërgon ushtrinë e saj (në Libi). Jam duke ushtruar goxha presion ashtu që ta sigurojmë tërheqjen e tyre”, ka thënë ai.