Në ekrane të ndara, votuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëgjuar vizione diametralisht të ndryshme nga presidenti Donald Trump dhe rivali i tij Demokrat, Joe Biden, në garën presidenciale, në një duel të pazakontë, tri javë para zgjedhjeve.
Duke u paraqitur në kanale të ndryshme televizive nga shtete të ndryshme në SHBA, Trumpi e Bideni iu përgjigjën pyetjeve të votuesve në vend se të merrnin pjesë në debatin e dytë të paraparë të mbahej në Miami.
Por ngjarjet e pazakonta, ua mundësuan kandidatëve të shfaqin veten në një formë tjetër nga debati i rëndë që ishte muajin e shkuar.
Duke folur për “NBC News” nga Miami, presidenti Trump mbrojti mënyrën se si SHBA-ja është përballur me pandeminë e koronavirusit, që ka marrë jetën e më shumë se 215 mijë amerikanëve.
“Jemi fitues”, ka thënë ai. “Kemi bërë punë të mrekullueshme dhe do të kemi vaksinat dhe terapitë”.
Rreth 2000 kilometra larg, në Filadelfia, Bideni ka kritikuar përgjigjen e presidentit, në paraqitjen para “ABC News”.
“Ai humbi shanse të jashtëzakonshme dhe vazhdoi të fliste gjëra që s’janë të vërteta”, ka thënë Bideni.
Edhe
Bideni dhe Trumpi thumbojnë njëri-tjetrin, gara për zgjedhjet presidenciale në SHBA po nxehet
Trump ka pranuar se nuk do të hezitojë të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, çfarëdo që të jetë ai, por ka shtuar se dëshiron “zgjedhje të ndershme”.
Në anën tjetër, Bideni ka deklaruar se do të ishte mirë të mos zgjidhej një gjykatës i ri i Gjykatës së Lartë, pa përfunduar zgjedhjet.
Ai ka thënë se do të mbrojë të drejtat e komunitetit LGBTQ.