Bashkimi Evropian ka derdhur 3 miliardë euro për një kërkim të teknologjisë së sigurisë pas krizës së refugjatëve më 2015-2016, kur më shumë se 1 milion njerëz – kryesisht të ikur nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – kishin ikur në Greqi dhe në vendet e tjera të BE-së
Derisa bota po fillon me udhëtimet përsëri, Evropa po u përçon emigrantëve një mesazh të fuqishëm: Rrini sa më larg!
Policia kufitare greke shkrep një varg krismash shurdhuese prej një kamioni të blinduar përgjatë kufirit me Turqinë. E montuar mbi automjetin, pajisja akustike e fuqisë së lartë apo “topi i zërit” është e madhësisë së një televizori të vogël, por mund ta ngërthejë jehonën e një motori të aeroplanit.
Është pjesë e një mori barrierave të reja digjitale fizike dhe eksperimentale që janë instaluar dhe po testohen gjatë muajve të qetë të pandemisë së koronavirusit në kufirin njëzetkilometërsh të Greqisë me Turqinë. Krejt kjo në emër të ndalimit të njerëzve që të hyjnë ilegalisht në territorin e Bashkimit Evropian.
Kamera superprecize e sensorë të shumëfishtë
Muri i ri prej çeliku, i ngjashëm me të porsandërtuarin përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Meksikën, i bllokon shtigjet më së shpeshti të përdorura për kalimet përgjatë lumit Evros që i ndan dy shtetet.
Kullat e afërta të vëzhgimit po pajisen me kamera të xhirimit në distanca të gjata, pajisje që e mundësojnë shikimin gjatë natës dhe sensorë të shumëfishtë. Të dhënat e mbledhura do të dërgohen në qendra të kontrollimit për evidentimin e lëvizjeve të dyshuara, duke e përdorur analizën e Inteligjencës Artificiale.
“Do ta kemi një pamje të qartë ‘parakufitare’ të asaj çfarë në fakt është duke ndodhur”, ka thënë majori i policisë, Dimonsthenis Kamargios, shef i autoritetit të gardës kufitare në rajon, duke folur për agjencinë Associated Press.
Bashkimi Evropian ka derdhur 3 miliardë euro për një kërkim të teknologjisë së sigurisë pas krizës së refugjatëve më 2015-2016, kur më shumë se 1 milion njerëz – kryesisht të ikur nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – kishin ikur në Greqi dhe në vendet e tjera të BE-së.
Rrjeti i automatizuar i mbikëqyrjes që po ndërtohet në kufirin greko-turk ka për synim që të detektojë emigrantët më herët dhe t’ua pamundësojë atyre kalimin e kufirit, nëpërmjet patrullave në lumë dhe tokë që përdorin projektorë dhe pajisje akustike të fuqisë së madhe.
Elemente kyç të rrjetit do të lansohen gjatë fundit të këtij viti, ka thënë Kamargiosi.
“Detyrë e jona është që t’ua pamundësojmë emigrantëve hyrjen ilegalisht në vend. Kemi nevojë për pajisje moderne dhe mjetet për ta bërë një gjë të tillë”.
Studiuesit nëpër universitetet përreth Evropës, në bashkëpunim me kompanitë private, kanë zhvilluar teknologji futuristike të vëzhgimit dhe verifikimit, dhe kanë testuar me dhjetëra projekte në kufijtë grekë.
Detektorët e gënjeshtrës dhe botët intervistues të gardës virtuale kufitare, krejt këto të përforcuara nga Inteligjenca Artificiale, janë pjesë e pilotprojektit, bashkë me përpjekjet për integrimin e të dhënave satelitore me pamjet nga dronët në tokë, ajër, det dhe nën det.
Skanuesit e gjurmëve të gishtërinjve regjistrojnë strukturën unike të venave në dorën e një personi që do të përdoret më pas si një identifikues biometrik, ndërsa prodhuesit e teknologjisë rikonstruktive të kamerave të drejtpërdrejta premtojnë që ta eliminojnë faktikisht nga pamja gjithë gjelbërimin, duke i ekspozuar kësisoj njerëzit e fshehur afër zonave të kufirit.
Testimet e krejt këtyre janë ndërmarrë në Hungari, Letoni dhe më tutje përbrenda perimetrit lindor të Bashkimit Evropian.
Masë e drejtë, apo jo?
Strategjia më e ashpër ndaj emigrantëve është avancuar nga politikëbërësit evropianë gjatë pesë vjetëve të fundit, nëpërmjet financimit të marrëveshjeve me vendet mesdhetare jashtë bllokut për të mbajtur emigrantët larg dhe për ta transformuar agjencinë e BE-së për mbrojtjen kufitare, Frontex, nga një mekanizëm i koordinuar në një forcë sigurie shumëkombëshe me kompetenca të plota.
Por marrëveshjet rajonale të mërgimit e kanë BE-në të ekspozuar karshi presionit politik prej fqinjëve.
Në fillim të këtij muaji, disa mijëra emigrantë kaluan nga Maroku në enklavën spanjolle të Cuetas brenda një dite të vetme, duke e nxitur Spanjën që ta angazhojë ushtrinë. Një krizë e ngjashme ishte shpalosur edhe përgjatë kufirit greko-turk dhe kishte zgjatur për tri javë vitin e shkuar.
Greqia po ushtron presion mbi bllokun evropian për t’i lejuar patrullat e Frontexit jashtë ujërave të saj territoriale me qëllim për t’i parandaluar emigrantët që të depërtojnë në Lesbos dhe ishujt e tjerë grekë, shtigjet këto më të rëndomta në Evropë për kalimet ilegale gjatë viteve të fundit.
Të armatosur me pajisjet e reja teknologjike, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit po zgjaten më tej kufijve të jashtëm.
Jo të gjitha programet e vëzhgimit që aktualisht po testohen do të përfshihen në sistemin e ri të detektimit, por grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se teknologjia e re do ta bëjë edhe më të vështirë ikjen e refugjatëve nga luftërat dhe vështirësi të jashtëzakonshme drejt gjetjes së sigurisë.
Patrick Breyer, një ligjvënës evropian nga Gjermania, ka nxjerrë para drejtësisë autoritetin e kërkimeve në BE, duke kërkuat që hollësitë e programit të Inteligjencës Artificiale për detektimin e gënjeshtrave të bëhen publike.
“Çfarë po shohim nëpër kufijtë dhe në mënyrën e trajtimit të shtetasve të huaj në përgjithësi është se po bëhen përherë e më shpesh fusha testimi për teknologjitë që më vonë përdoren edhe tek evropianët, po ashtu. Dhe kjo është arsyeja pse çdokush duhet të brengoset, në emër të vetë interesave të tyre”, ka thënë për AP-në Breteri nga radhët e Partisë Pirate gjermane.
Ai ka nxitur autoritetet që ta lejojnë rishikimin e gjerë të metodave të vëzhgimit për trajtimin e shqetësimeve etike dhe shmangien e shitjes së teknologjisë nëpërmjet partnerëve piratë te regjimet autoritare jashtë BE-së.
Ella Jakubowska nga grupi i të drejtave digjitale EDRi ka argumentuar se zyrtarët e BE-së janë duke e adaptuar “tekno-zgjidhjen” për t’i anashkaluar elementet morale të përballjes me çështjen e ndërlikuar të emigracionit.
“Është tejet shqetësuese se, përherë e më shpesh, fondet e BE-së po derdhen në teknologji të kushtueshme që përdoren në mënyrat që i kriminalizojnë, eksperimentojnë dhe çnjerëzojnë njerëzit në lëvizje”, ka theksuar ajo.
“Privacy International”, një grup ky me seli në Londër, ka argumentuar se politikat më të serta kufitare do të ofrojnë një shpërblim politik për liderët evropianë që kanë adaptuar qëndrime të ashpra ndaj emigracionit.
“Nëse njerëzit që migrojnë shihen vetëm si një problem sigurie që duhet penguar dhe sfiduar, rezultati i pashmangshëm është që qeveritë të përdorin teknologjinë për kontrollimin e tyre”, ka thënë Edin Osmanoviq, drejtori i një grupi për të drejta. “Nuk është zor të kuptohet pse: përreth Evropës ne kemi autokratë që janë në kërkim të pushtetit, nëpërmjet vënies në shënjestër të të huajve, ndryshe prej liderëve progresivë që kanë dështuar të dalin me ndonjë alternativë tjetër pos kopjimit të agjendave të tyre dhe industrisë së shfrenuar të armëve që ka qasje të gjerë në vendimmarrje”.
Fluksi i emigrantëve është ngadalësuar në shumë pjesë të Evropës gjatë pandemisë, duke e ndalur rritjen e shënuar përgjatë vitesh. Në Greqi, për shembull, numri i të ardhurve ka rënë nga afro 75.000 më 2019 në 15.700 më 2020, një rënie kjo prej 78 për qind.
Por presioni s’do mend se do të kthehet. Midis viteve 2000 dhe 2020, popullata emigruese e botës është rritur për më shumë se 80 për qind, për të arritur në 272 milionë, kanë treguar të dhënat e Kombeve të Bashkuara.
Në fshatin kufitar grek të Porosit, muhabetet gjatë kafjallit në një kafene shtjelloheshin rreth krizës më të fundit në kufirin Spanjë-Marok.
Shumica e shtëpive në rajon janë të boshatisura dhe në gjendjen graduale të rrënimit, ndërsa jeta po i përshtatet këtij realiteti.
Lopët e përdorin murin prej metali si pengesë ndaj erës dhe si vend pushimi në afërsi.
Panagiotis Kyrgiannis, një banor i Porosit, thotë se muri dhe masat e tjera parandaluese e kanë siguruar fundin e kalimit të emigrantëve.
“Jemi mësuar t’i shohim si kalojnë sipër dhe futen në fshat, në grup prej 80 apo 100 personash”, ka thënë ai. “Nuk kishim frikë... Ata nuk duan që të vendosen këtu. Krejt këto gjëra që po ndodhin përreth nesh nuk kanë fare të bëjnë me ne”.
Përktheu: Nita Lleshi