Presidenti Barack Obama e kishte hallin e Kinës. Ekipi i tij i sigurisë kombëtare e dinte se Partia Komuniste e Kinës po përgatitej për emërimin e një lideri të ri.
Por këshilltarët e tij donin që ta njihnin më mirë njeriun që do të merrte pushtetin, Xi Jinping. Dhe dukej se kjo ishte puna më e mirë për zëvendëspresidentin Joe Biden.
Xi, atëherë zëvendëspresident i Kinës, ishte homolog i Bidenit dhe ndërmjetësues i lindur. Përtej kësaj, Obama dhe këshilltarët shpresonin se sharmi i lindur dhe dekadat e tëra të Bidenit në raporte me liderët e huaj do t’ia mundësonin atij të depërtonte përtej fasadës zyrtare të Xisë.
Duke nisur nga fillimviti 2011 dhe për tetëmbëdhjetë muaj me radhë, dy burrat u takuan së paku tetë herë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë, kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë amerikanë. Ata u takuan zyrtarisht, u shëtitën, gjuajtën disa kosha në një shkollë rurale kineze dhe kaluan më shumë se 25 orë bashkë në darka private, shoqëruar me përkthyes e interpretues.
Por Bideni kishte krijuar një “lidhje të shpejtë” me liderin kinez, megjithëse ai shpesh sfidoi përkthyesit e gjuhës mandarine me shprehje të urta irlandeze, ka thënë Daniel Russel, këshilltar në kohën e takimeve të shpeshta.
“Skanimi” i qëllimeve autoritare
“Ai ishte jashtëzakonisht i mirë në krijimin e raportit të menjëhershëm personal dhe për t’ia hapur letrat Xisë”, ka deklaruar Russel.
Vlerësimet e thukëta të Bidenit – sidomos ato për qëllimet autoritare të Xisë – bënë që të informohej fije e për pe ekipi i Obamas, kanë konfirmuar shumë këshilltarë të Obamas në intervista të ndryshme.
Për votuesit e vënë në siklet nga metoda e pazakonshme e presidentit Donald Trump kundrejt botës, Bideni nuk e ka një përparësi vetëm për shkak të qasjes së tij, por edhe si rezultat i të dhënave që tregojnë për takime të kahershme me shumë liderë.
Ai shpesh edhe është konfrontuar privatisht me liderë të huaj – dhe ky konsiderohet stil i diplomacisë joformale i Bidenit. Shumëkush e sheh si përparësi në rast se kandidati demokrat ia del të fitojë garën për president kundër republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
“Kam pasur punë me secilin prej liderëve të mëdhenj të botës që janë sot në krye, dhe ata më njohin. Edhe unë i njoh”, ka deklaruar Bideni para mbështetësve në dhjetor.
Brett McGurk, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për fushatë kundër “Shtetit Islamik”, ka thënë se Bideni ka qenë diplomat i rryer dhe efikas, duke zbatuar “empatinë strategjike”.
Bideni është pragmatist i politikës së jashtme, e jo ideolog; pikëpamjet e tij kanë dominuar kaherë në rrymën qendrore të demokratëve.