Botë

Bideni e quan presidentin kinez “diktator”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur presidentin kinez Xi Jinping diktator në një mbledhje fondesh në Kaliforni, shkruan BBC.

Komentet e Bidenit vijnë një ditë pasi sekretari i Shtetit, Antony Blinken, u takua me Xi për bisedime në Pekin, të cilat kishin për qëllim lehtësimin e tensioneve midis dy superfuqive.

Xi pati thënë se ishte bërë njëfarë progresi në Pekin, ndërsa Blinkeni tregoi se të dyja palët ishin të hapura për më shumë bisedime.

Kina ende nuk i është përgjigjur komenteve të Bidenit.

Bideni ka thënë gjithashtu se Xi ishte i turpëruar për tensionet e fundit rreth një tullumbace spiune kineze që ishte hedhur nga rruga mbi SHBA-në.

“Arsyeja pse Xi Jinping u mërzit shumë kur e qëllova atë balonë me pajisje spiunazhi në të, ishte se ai nuk e dinte se ishte aty. Ky është një siklet i madh për diktatorët. Kur ata nuk e dinin se çfarë ndodhi”, ka thënë Biden.

Vizita e Blinken në Pekin ishte e para nga një diplomat i lartë amerikan në pothuajse pesë vjet. Vendet rifilluan komunikimin e nivelit të lartë. Bideni dhe Xi e përshëndetën atë si zhvillim të mirëpritur. Mirëpo, Blinkeni e bëri të qartë se ka dallime të mëdha mes të dyja vendeve.

Uashingtoni dhe Pekini kanë bllokuar prej kohësh një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e njeriut dhe Tajvanin.

Por marrëdhëniet janë përkeqësuar veçanërisht gjatë vitit të kaluar. Me zgjedhjet në SHBA që po afrohen dhe tensionet me Kinën po shfaqen si çështje politike, disa senatorë republikanë kanë sulmuar administratën e Bidenit për butësi ndaj Kinës.