Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ndeshja e futbollit që u kthye në tragjedi

Sipas një raporti zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Indonezisë për të Drejtat e Njeriut, rreth 45 bombola me gaz lotsjellës u hodhën brenda stadiumit Kanjuruhan dhe 135 njerëz vdiqën nga mungesa e oksigjenit, të shkaktuar nga gazi dhe nga përplasjet mes tifozëve, teksa tentonin të largoheshin nga stadiumi

(Al Jazeera) - Sandi shikonte nga tribuna dhunën që filloi në fushën poshtë tij, në stadiumin Kanjuruhan në Malang, Java Lindore, duke menduar se ai dhe tifozët e tjerë të paktën do të ishin të sigurt. Por e kishte gabim.

Ishte 1 tetori i vitit 2022 dhe skuadra Arema, të cilën e favorizonte, sapo kishte pësuar humbje nga skuadra rivale e tyre, Persebaya Surabaya, për herë të parë në 23 vjet.

Në përpjekje për t’u mbrojtur nga dhuna e tifozëve, që shpesh përshkallëzon në futbollin indonezian, tifozët e Persebayas nuk u lejuan të merrnin pjesë në derbi, por rreth 40 mijë tifozë të Aremas kishin mbushur stadiumin dhe zemërimi i tyre shoqëroi fishkëllimën e fundit të arbitrit.

“Kishte shumë emocione që qarkullonin atë natë”, tha për Al Jazeeran, Sandi, 31 vjeç. “Ne ishim të zhgënjyer me rezultatin. Kur Arema luante, ne donim që ata të fitonin. Arema ishte krenari për të gjithë ne në qytetin e Malangas”.

Mbështetësit, fillimisht në grupe të vogla, zbritën në fushë dhe vrapuan drejt skuadrës së tyre në shenjë proteste, disa madje duke i goditur me grushte lojtarët. Punonjësit e sigurisë, me jelekë të gjelbër, u përleshën me tifozët, teksa mundoheshin të mbronin lojtarët dhe t’i dërgonin ata në dhomat e zhveshjes.

Edhe Tifozë argjentinas përleshen me policinë pas humbjes Botërori 2026 5 d. më parë Tifozë argjentinas përleshen me policinë pas humbjes

Deri në orën 21:45, gjashtë minuta pas fishkëllimës së fundit, më shumë se 100 tifozë tashmë kishin arritur të zbrisnin në fushë dhe pjesëtarët e policisë filluan t’i rrihnin, duke i drejtuar ata për te tribuna në skajin jugor të stadiumit. Shumë tifozë u rrëzuan teksa u përpoqën të kalonin barrierat metalike dhe të ktheheshin në tribunë.

Policia atë natë ishte gjithashtu e armatosur me gaz lotsjellës, në kundërshtim me rregullat e FIFA-s, që ndalon përdorimin e gazit lotsjellës në stadiume. Rreth orës 21:50, policia hodhi gaz lotsjellës dhe granata trullosëse në drejtim të tifozëve.

“Ishte thjesht kaos”, shtoi Sandi. “Pashë njerëz, fytyrat e të cilëve ishin kthyer në ngjyrë të kaltër, si shkak i mungesës së oksigjenit. Njerëzve po u binte të fikët në tribunat pranë meje”.

Sytë e Sandit po digjeshin dhe teksa frymëmarrja po i vështirësohej, ai iku në pikën më të lartë të tribunës së 10-të. Ai hoqi bluzën e tij, e lagu me ujë dhe e mbështolli rreth hundës dhe gojës. “Kam qëndruar aty për rreth gjysmë ore, vetëm duke pritur që gazi të largohet”, shpjegoi ai.

Sandi ishte me fat; gazi nuk ishte aq i dendur në tribunën e 10-të sa ishte në disa të tjera, si në atë të 13-n.

Më herët atë pasdite, 20-vjeçari Agus Rian Syah Pratama Putra i kishte dërguar një mesazh nënës së tij duke i thënë se do të shkonte të ndiqte lojën dhe i dërgoi asaj një foto më vonë atë mbrëmje, para tribunës së 13-të.

“Më bëri të qesh, sepse ai kishte pozuar aq çuditshëm, me këmbët e hapura”, tha për Al Jazeeran, nëna e tij, Rini Hanifa. Ishte mesazhi i fundit që ajo mori nga djali i saj.

Image
Rreth 45 bombola me gaz lotsjellës u hodhën brenda stadiumit dhe 135 njerëz vdiqën nga mungesa e oksigjenit, të shkaktuar nga gazi dhe nga përplasjet mes tifozëve

Dashuria për futbollin

Në një vend kaq të çmendur pas futbollit si Indonezia, Arema FC, është e njohur për fanatizmin e mbështetjes së tyre. E tillë ishte dashuria e Putras për Areman. Ai ishte përjashtuar dy herë nga shkolla, sepse ishte larguar fshehurazi nga mësimi, për të ndjekur ndeshjet.

“Ai u zhvendos në qytetin e Surabayas për të bërë lodra për fëmijë. Nuk paguhej shumë, kështu që ai shiti këpucët e tij për të blerë bileta për lojën”, tha Hanifa për Al Jazeeran. “Ai vinte në shtëpi vetëm për të parë ndeshjen. Ai kishte ndjekur ndeshjet e Aremas që nga shkolla fillore dhe i donte shumë”.

Rreth orës 23:00 të asaj nate, Hanifan e telefonoi nipi i saj nga Surabaya, duke i thënë se situata gjatë ndeshjes kishte përshkallëzuar. Deri në orën 01:00, Rini kishte dëgjuar për dhjetëra njerëz të vrarë brenda stadiumit.

Në errësirën e natës, Rini dhe i shoqi u nisën që të kërkonin djalin e tyre. Ata e gjetën trupin e tij në një spital në Malang.

“Fytyra e tij ishte e zezë dhe dukej sikur ishte djegur nga gazi”, tregoi nëna e Putras. “Pse policia nuk përdori vetëm topa uji? Pse duhej ta helmonin?”.

Sipas një raporti zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Indonezisë për të Drejtat e Njeriut (Komnas HAM), rreth 45 bombola me gaz lotsjellës u hodhën brenda stadiumit dhe 135 njerëz vdiqën nga mungesa e oksigjenit, të shkaktuar nga gazi dhe nga përplasjet mes tifozëve, teksa tentonin të largoheshin nga stadiumi.

Fëmijët, mes tyre edhe 3-vjeçar, vdiqën në krahët e prindërve të tyre derisa ata përpiqeshin t’i largonin.

Ishte fatkeqësia e dytë më vdekjeprurëse në një stadium të futbollit në mbarë botën; vetëm fatkeqësia e vitit 1964 në Estadio Nacional në Peru – ku 328 njerëz mbetën të vdekur – shënoi numër më të madh të vdekjeve.

Pas tragjedisë, autoritetet u zotuan të reformojnë futbollin indonezian, i cili - ndonëse është gjallëruar nga një kulturë e tifozëve - është dëmtuar prej kohësh nga huliganizmi, dhuna policore, stadiumet e pasigurta, keqmenaxhimi dhe korrupsioni.

Ndërkohë kanë nisur edhe proceset hetimore dhe ligjore.

Prania e atyre që vdiqën në stadiumin Kanjuruhan është kudo në Malang; në pankartat e varura nëpër qytet me fytyrat e tyre, në mbishkrimet e skalitura në anët e ndërtesave dhe në vetëdijen lokale, duke e mbuluar qytetin me pikëllim.

Shumë tifozë gjithashtu mendojnë se u është mohuar drejtësia; vetëm pesë persona u gjykuan dhe u dhanë dënime të lehta.

Edhe Një i vdekur e tetë të lënduar në rrëmujën në Jordani gjatë përcjelljes së ndeshjes së Botërorit Botërori 2026 1 muaj më parë Një i vdekur e tetë të lënduar në rrëmujën në Jordani gjatë përcjelljes së ndeshjes së Botërorit

Përvjetori shtron pyetje, për futbollin indonezian dhe më gjerë, për mënyrën se do të rimëkëmbet një klub nga një tragjedi e tillë, çfarë do të sjellë e ardhmja e Aremas; për drejtësinë për tifozët dhe familjet e viktimave.

Dhe nëse futbolli i Indonezisë është duke u reformuar në mënyrë që asgjë e tillë të mos ndodhë përsëri.

Image
Në një vend kaq të çmendur pas futbollit si Indonezia, Arema FC, është e njohur për fanatizmin e mbështetjes së tyre. E tillë ishte dashuria e Putras për Areman. Ai ishte përjashtuar dy herë nga shkolla, sepse ishte larguar fshehurazi nga mësimi, për të ndjekur ndeshjet

Betejat për drejtësi

Pas tragjedisë, tri ligat kryesore të Indonezisë u pezulluan dhe presidenti Joko “Jokowi” Widodo urdhëroi që siguria e stadiumeve në të gjithë vendin të rishikohej.

Në mes të tetorit, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, udhëtoi për në Jakarta për t’u takuar me Jokowin dhe u zotua se FIFA do të mbështeste autoritetet e vendit në rishikimin gjithëpërfshirës, mbarëkombëtar, të masave të sigurisë së stadiumeve.

“Ky është një vend futbolli, një vend ku futbolli është një pasion për mbi 150 milionë njerëz. Ne u detyrohemi atyre që kur ndjekin një ndeshje të jenë të sigurt”, deklaroi Infantino pas takimit.

“FIFA është këtu për popullin indonezian, FIFA do të qëndrojë dhe do të punojë këtu për të transformuar futbollin indonezian”.

Infantino dhe Federata e Futbollit e Indonezisë (PSSI) u kritikuan shumë pas vizitës.

Ndërkohë, shefi i policisë së Malangas, Ferli Hidayat, u shkarkua nga detyra, së bashku me nëntë oficerë të tjerë policie pas tragjedisë. 18 oficerë të tjerë u vunë nën hetim.

Në ditët që pasuan fatkeqësinë, policia, Federata e Futbollit e Indonezisë (PSSI) dhe Arema FC u përpoqën të fajësonin njëri-tjetrin.

Në një konferencë shtypi më 10 tetor, Dedi Prasetyo, zëdhënës i forcës kombëtare të policisë, deklaroi gjithashtu se gazi lotsjellës i përdorur në stadiumin Kanjuruhan kishte skaduar, duke pretenduar, me pak prova, se rrjedhimisht efektet e tij ishin të pakta dhe se përdorimi i gazit lotsjellës nuk kishte kontribuar drejtpërdrejt në vdekjen e tifozëve.

Ai tha gjithashtu se menaxhimi i daljes së tifozëve nga stadiumi ishte përgjegjësi e organizatorëve të ndeshjes, jo e policisë.

Ndërkohë, Erwin Tobing, kryetari i komisionit disiplinor të PSSI-së, pranoi se disa nga daljet ishin mbyllur kur policia filloi të hidhte gaz lotsjellës, por pretendoi se punëtorët nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’i hapur ato, pavarësisht se loja kishte përfunduar rreth 11 minuta më parë.

Megjithatë, në raportin e saj të ashpër, të lëshuar në nëntor të vitit të kaluar, Komnas HAM zbuloi se gazi lotsjellës i policisë kishte qenë shkaku kryesor i tragjedisë.

Në raport bëhej e ditur gjithashtu se organizatorët e ndeshjes kishin favorizuar interesat komerciale mbi sigurinë e tifozëve, pavarësisht paralajmërimeve nga policia lokale, e cila ishte përpjekur të kufizonte numrin e tifozëve që merrnin pjesë në 38 mijë - në vend të 42 mijë biletave të shitura - dhe kishte kërkuar që loja të zhvendosej për në pasdite dhe jo për në mbrëmje.

Si pjesë e raportit të tij, Komnas HAM ofroi gjithashtu rekomandime për PSSI-në, duke përfshirë rivlerësimin e të gjitha rregullave ekzistuese të sigurisë së ndeshjeve të futbollit dhe prioritizimin e sigurisë në ndeshjet e futbollit përmes statuteve, rregulloreve të sigurisë, kodeve disiplinore dhe marrëveshjeve të ndryshme bashkëpunimi midis palëve.

Si pjesë e listës së rekomandimeve, Komnas HAM i kërkoi gjithashtu presidentit Jokowi të formojë një ekip të pavarur për të audituar të gjitha stadiumet, në të gjithë vendin, për të siguruar respektimin e rregulloreve të FIFA-s.

Stadiumi Kanjuruhan u mbyll dhe Arema FC u zhvendos përkohësisht në ishullin Bali, ku tani zhvillon ndeshjet e tij në stadiumin Kapten I Wayan Dipta.

Autoritetet vendosën ta rrënojnë stadiumin Kanjuruhan dhe ta rindërtojnë atë në përputhje me standardet e FIFA-s, gjë që parashikohet të zgjasë më shumë se një vit, duke ngritur pikëpyetje nëse Arema FC ka ende një derë të hapur në Malang.

Ligat rifilluan më 5 dhjetor, me PSSI-në që njoftoi se të gjitha ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, deri në përfundimin e gjysmës së parë të sezonit.

Edhe Pos në Çeki, derbi i zjarrtë u ndërpre edhe në Slloveni Futboll 2 muaj më parë Pos në Çeki, derbi i zjarrtë u ndërpre edhe në Slloveni

Tifozët e disa klubeve u kthyen për të ndjekur ndeshjet në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ndërsa mbështetësit e Aremas nuk u lejuan.

Përktheu: Forca Jashari