Shumë banorë lokalë të Jeninit thonë se i frikësohen Autoritetit Palestinez po aq sa ndërhyrjeve të Ushtrisë së Izraelit. PA-ja vetëqeveris në mënyrë të kufizuar në territorin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Muajin e shkuar kreu një “operacion të madh sigurie” në një kamp refugjatësh në Jenin, duke thënë se cak i kishte grupet e armatosura me bazë aty, e të cilat i konsideron si sfidë për autoritetin e vet. Katër javë pas dhe operacioni ende vazhdon
Pak para Vitit të Ri, 21-vjeçarja Shatha al-Sabbagh kishte dalë jashtë për të blerë çokollatë për fëmijët në familjen e saj, në një dyqan në Jenin, në Bregun Perëndimor.
Studentja “e guximshme” e gazetarisë – që donte të hidhte dritë mbi vuajtjet e palestinezëve – ishte me nënën e saj, dy nipat e vegjël dhe një familjar tjetër.
“Ajo po qeshte dhe po thoshte se ‘do të rrimë zgjuar sonte të gjithë’”, ka kujtuar nëna e saj.
Por Shatha u godit në kokë.
Për nënën e saj, Umm al-Motassem, dhimbja është e freskët. Kur flet, mbetet pa frymë.
“Sytë e Shathas ishin krejt të hapur. Dukej sikur po më shikonte teksa shtrihej e gjaku i rridhte nga koka. Nisa të bërtisja ‘Ndaluni, mos gjuani! Vajza ime ka vdekur. Vajza ime ka vdekur’”.
Por të shtënat zgjatën për rreth 10 minuta. Shatha vdiq e zhytur në gjak.
Familja e saj i mban përgjegjëse forcat e sigurisë të Autoritetit Palestinez (PA) për vrasjen, duke thënë se ky territor është i kontrolluar nga to.
“S’mund të ketë qenë dikush tjetër pos ata... sepse kanë pasur shumë prani në zonën tonë – askush s’mund të hyjë apo të dalë”, ka thënë nëna e studentes së vrarë.
Por autoritetet palestineze fajësojnë “të jashtëligjshmit” – term që përdoret për anëtarët e Batalionit të Jeninit, që përbëhet nga luftëtarë të grupeve të armatosura përfshirë Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) dhe Hamasit.
PA-ja vetëqeveris në mënyrë të kufizuar në territorin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Muajin e shkuar kreu një “operacion të madh sigurie” në një kamp refugjatësh në Jenin, duke thënë se cak i kishte grupet e armatosura me bazë aty, e të cilat i konsideron si sfidë për autoritetin e vet. Katër javë pas dhe operacioni ende vazhdon.
Batalioni i Jeninit akuzohet se e ka hedhur në erë një veturë në kamp dhe po kryen “aktivitete të tjera ilegale”.
“Kemi konfiskuar numër të madh të armëve dhe eksplozivëve”, ka thënë gjenerali i Autoritetit Palestinez, Anwar Rajab. “Qëllimi ka qenë që të pastrojmë kampin nga pajisjet eksploduese të vendosura nëpër rrugë e rrugica. Këta të paligjshëm kanë tejkaluar të gjitha vijat e kuqe dhe kanë përhapur kaos”.
Gjenerali Rajab po ashtu e ka akuzuar Iranin për mbështetje dhe financim të grupeve të armatosura në kamp.
Batalioni i Jeninit i ka mohuar lidhjet me Iranin. Në një video të fundit të publikuar në rrjete sociale, zëdhënësi Nour al-Bitar ka thënë se Autoriteti Palestinez po përpiqet “t’i demonizojë” dhe “t’ua prishë imazhin”, duke shtuar se luftëtarët nuk duhet t’i dorëzojnë armët.
“Për PA-në dhe presidentin Mahmoud Abbas, përse ka ardhur gjendja këtu?” ka pyetur ai, duke mbajtur në duar copëza nga ajo që thotë se ishte granatë e hedhur në kamp nga forcat e sigurisë.
PA-ja, e udhëhequr nga presidenti Abbas, veçse ishte jo e pëlqyer nga palestinezët e pakënaqur për shkak të refuzimit të luftës dhe për shkak të bashkëpunimit në siguri me Izraelin.
Nervozizmi u shtua kur PA-ja ndërhyri ashpër ndaj grupeve të armatosura në kamp, gjë që në të kaluarën ka qenë e paprecedent për shkak të kohëzgjatjes së saj.
Izraeli i konsideron këto grupe si terroriste, por shumë banorë lokalë të Jeninit i konsiderojnë si formë rezistimi ndaj pushtimit.
“Këta ‘të paligjshëm’ të cilëve PA-ja u referohet – ata janë djem të rinj që qëndruan për ne kur Ushtria e Izraelit bastisi kampin tonë”, ka thënë Umm al-Motassem.
Të paktën 14 persona janë vrarë në operacion, përfshirë një 14-vjeçar, sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë.
I frikësohen Autoritetit Palestinez po aq sa Izraelit
Tani shumë banorë lokalë të Jeninit thonë se i frikësohen Autoritetit Palestinez po aq sa ndërhyrjeve të Ushtrisë së Izraelit. Vdekja e Shatha al-Sabbaghut vetëm e ka ripërtërirë këtë.
Para se të vritej, Shatha kishte publikuar disa postime në rrjete sociale duke treguar shkatërrimin që po linte operacioni i PA-së në Jenin – si dhe të bastisjeve që Izraeli kreu vitin e shkuar në kamp.
Postime të tjera përmbanin fotografi të burrave të rinj të armatosur që ishin vrarë gjatë luftimeve, përfshirë edhe vëllain e saj.
Vrasja e saj u dënua nga Hamasi, që e identifikoi vëllain e saj si anëtar të krahut të grupit, brigadës Izzedine al-Qassam.
Grupi e cilësoi vrasjen e saj si veprim gjakftohtësie si pjesë e një “politike shtypëse që ka për cak kampin e Jeninit, që është bërë simbol i qëndrueshmërisë dhe rezistencës”.
Mustafa Barghouti, që udhëheq partinë politike Iniciativa Kombëtare Palestineze i sheh luftimet në Jenin si pasojë e ndarjeve mes fraksioneve kryesore palestineze – Fatah, që përbën shumicën e PA-së dhe Hamasit, që qeveris me Gazën që nga viti 2007.
“Gjëja e fundit që palestinezëve u duhet është të shohin palestinezë duke shtënë në drejtim të njëri-tjetrit, ndërsa Izraeli i shtyp të gjithë”, ka thënë ai.
Brenda kampit, rezidentët thonë se jeta e përditshme është ndalur.
Furnizimi me ujë dhe rrymë është ndërprerë dhe familjet po vuajnë nga mungesa e ujit, nga moti i ftohtë dhe betejat e pandërprera të gjuajtjeve me armë.
Banorët që folën për BBC-në kërkuan t’u ndryshohet emri në artikull, duke thënë se frikësohen nga shtypja prej Autoritetit Palestinez.
“Gjërat janë të tmerrshme këtu. Nuk mund të lëvizim lirshëm në kamp”, ka thënë Mohamedi. “Të gjitha furrat, restorantet dhe dyqanet janë mbyllur. Restoranti ku unë punoj, hapet për një ditë dhe mbyllet në 10. Kur është i hapur, askush s’hyn. Kemi nevojë për qumësht për fëmijët, kemi nevojë për bukë. Disa njerëz nuk mund t’i hapin as dyert si pasojë e të shtënave të vazhdueshme”.
Agjencia humanitare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OCHA) ka bërë thirrje për hetim në atë që e ka cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut nga forcat e Autoritetit Palestinez.
Gjenerali Rajab ka thënë se disa prej “të paligjshmëve” që “plaçkitën” kampin e Jeninit janë arrestuar dhe disa të tjerë kanë lëndë për të dalë para drejtësisë.
Por Mohamedi e përshkruan operacionin e PA-së – teksa njerëzit e pafajshëm zihen në mes të luftimeve – si “dënim kolektiv”.
“Nëse duan të shkojnë pas të paligjshmëve, kjo s’do të thotë se duhet të dënojnë të gjithë kampin. Ne duam të kemi jetë normale sërish”, ka thënë Mohamedi.
Edhe dalja jashtë për të marrë bukë e ujë është rrezik, ka thënë 20-vjeçarja Sadaf.
“Kur dalim jashtë, lutemi”
“Kur dalim jashtë, lutemi. Përgatitim veten mendërisht se nuk do të kthehemi më kurrë. Është shumë ftohtë. Kemi shkulur dyert e dhomave që t’i përdorim si dru për të na mbajtur ngrohtë”, ka thënë ajo.
BBC-ja ka dëgjuar rrëfime të ngjashme edhe nga katër banues të tjerë në kamp.
Gjatë kohës sa aty qëndronte ekipi i BBC-së intervistat ndërpriteshin nga zhurma e të shtënave. Është e paqartë nëse dihet nga kush ose kush po gjuan.
“Të shtëna paralajmëruese ndoshta”, ka sugjeruar ajo, duke shtuar se kjo ndodh nganjëherë kur forcat e PA-së kryejnë ndërrimin.
Sadaf ka vazhduar duke e përshkruar kampin duke shfaqur “bërllokun që mbush rrugët dhe çdo hyrje para shtëpive”. Të shtënat ndërkohë nuk ndalen.
Nëna e Sadafit hyn në bisedë. “Dëgjojini të shtënat... A mund të flejë dikush me këtë zhurmë?”
“Tani po flemë me ndërrime. Jemi aq të frikësuar që do të na bastisin shtëpitë. Jemi aq të frikësuar për këtë operacion sa kur ishim kur hynë ushtarët e Izraelit”, ka thënë ajo.
Ata kanë thënë se forcat e sigurisë kanë goditur rrjetin elektrik dhe gjeneratorët, duke e lënë kampin në terr të plotë.
PA-ja fajëson “të paligjshmit” – dhe insiston që i ka sjellë punëtorët për të rregulluar rrjetin.
Grupet e armatosura duan “të përdorin vuajtjet e njerëzve për t’i bërë presion PA-së të ndalë operacionin”, ka thënë gjenerali Rajab. Ai ka thënë se operacioni i sigurisë do të vazhdojë derisa të mbërrihen objektivat.
Rajabi ka thënë se qëllimi i PA-së është të vendosë kontroll mbi kampin e Jeninit dhe të sigurojë paqe e siguri.
Ai beson se heqja e kontrollit prej grupeve të armatosura do t’i largonte edhe arsyetimet e Izraelit për të sulmuar kampin.
Në fund të gushtit Ushtria e Izraelit kreu një “operacion antiterrori” nëntëditor në qytetin e Jeninit dhe në kamp. Operacioni rezultoi në shkatërrim të dukshëm.
Të paktën 36 palestinezë ishin vrarë – 21 prej tyre të provincës së Jeninit – sipas të dhënave të Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë.
“Drejtësia do të vijë në vend kur të di kush ma vrau vajzën”
Analistët tonë se PA-ja po përpiqet të risigurojë autoritetin e saj në Bregun Perëndimor dhe t’ia dëshmojë SHBA-së se është e gatshme të udhëheqë Gazën në të ardhmen.
“Cili do të ishte dëmi në këtë rast?”, ka thënë Rajabi. “Gaza është pjesë e shtetit palestinez. Gaza dhe Bregu Perëndimor nuk janë entitete të ndara. Nuk ka shtet palestinez pa Gazën. Presidenti (Mahmoud Abbas) e ka thënë këtë dhe kjo është strategjia jonë”.
Por Barghouti ka thënë se ky është “iluzion”. “Gjithçka që ju duhet është të dëgjoni atë që thotë Benjamin Netanyahu”, ka thënë ai.
Nën vizionin e kryeministrit izraelit për Gazën e pasluftës, Izraeli do të kishte kontroll të plotë pafund dhe palestinezët “pa asnjë lidhje me grupet armiqësore ndaj Izraelit” – kështu që asnjë nga partitë kryesore palestineze s’do ta udhëhiqte territorin.
Por SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit, dëshiron që PA-ja të udhëheqë Gazën pas luftës. Netanyahu në të kaluarën ka hedhur poshtë mundësinë që PA-ja të ketë rol pas luftës.
Por për njerëzit në kampin e Jeninit, kjo nuk shuan kujtimet për të vrarët dhe dhunën e përjetuar.
“PA-ja thotë se është këtu për sigurinë tonë. Ku ishte siguria kur u vra vajza ime? Ku është siguria kur ka të shtëna pareshtur”, ka thënë Umm al-Motassem. “Ata mund t’i ndjekin ‘të paligjshmit’, por përse u desh të vdiste vajza ime? Drejtësia do të vijë në vend kur ta di se kush ma vrau vajzën”.