Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NATO: Zgjidhja më e lehtë për t'i dhënë fund luftës është tërheqja e Putinit

Mënyra më e lehtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është që presidenti rus, Vladimir Putin, të tërheqë të gjithë trupat, t’i japë fund luftës dhe të përfshihet në një përpjekje serioze diplomatike për të gjetur zgjidhje, ka thënë të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një konferencë të mbajtur për media pas takimit të enjten, me ministrat e Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka thënë se ajo që shihet tani është se nuk ka shenja që Putini ka ndryshuar qëllimin e tij të përgjithshëm që të kontrollojë Ukrainën, pasi që lëvizja e fundit që ka bërë Rusia është ripozicionimi i forcave ruse duke u larguar nga veriu i Ukrainës për t’i zhvendosur në Donbas, raportoi CNN-i.

Kjo është edhe arsyeja që sipas tij janë mbledhur të enjten aleatët për të theksuar urgjencën për më shumë mbështetje ndaj Ukrainës.

“Kjo është arsyeja pse edhe aleatët po i imponojnë kosto të rënda presidentit Putin dhe Rusisë. Por në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur për luftë në një afat të gjatë. Kjo luftë mund të zgjasë me javë, por edhe me muaj, e ndoshta edhe me vite. Dhe për këtë arsye ne duhet të përgatitemi për shumë më tepër”, ka shtuar ai.

Stoltenbergu ka paralajmëruar se përderisa lufta do të vazhdojë, ekziston rreziku i përshkallëzimit të saj.

“Nëse lufta do të vazhdojë, atëherë rreziku është para së gjithash për popullin e Ukrainës, i cili do të vuajë më shumë, do të shohim më shumë dëme, më shumë vdekje dhe më shumë dëmtime. Por, për sa kohë që lufta të vazhdojë, do të ketë rrezik për përshkallëzim përtej Ukrainës. Dhe pikërisht kjo është ajo ku NATO është e fokusuar, për të parandaluar atë përshkallëzim”, ka përfunduar ai.

Artikuj të ngjashëm