NATO ka mohuar të dielën deklarimet e presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, se është duke dërguar përforcime ushtarake në afërsi të kufirit perëndimor, por ka thënë se është duke monituar me kujdes situatën pas zgjedhjeve të kontestuara, shkruan agjencia Reuters.
Më herët sot Lukashenko ka thënë se tanke dhe aeroplanë të NATO-s janë vendosur 15 minuta larg nga kufiri me Bjellorusinë.
“Nuk ka një përforcim ushtarak të NATO-s në rajon”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu. “Prezenca multinacionale e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës nuk është rrezik për asnjë shtet. Është thjeshtë mbrojtëse, proporcionale dhe e paraparë për të parandaluar konfliktin dhe të mbizotërojë paqja”.
Ajo ka thënë se NATO po e përcjellë me kujdes situatën në Bjellorusi, ku po vazhdojnë protestat që nga zgjedhjet e 9 gushtit. Opozita ka kontestuar zgjedhjet ku Lukashenko është thënë se ka fituar me mbi 80 për qind të votave.
Zëdhënësja e NATO-s ka bërë thirrje që të respektohen liritë themelore, përfshirë edhe e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore.
Kremlini ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka thënë Lukashenkos se Moska është e gatshme të ndihmojë ushtarakisht nëse është e nevojshme dhe se po ushtrohet presion nga jashtë.
Edhe
NATO hedh poshtë pretendimet e Lukashenkos për intervenim në Bjellorusi
Fqinjët perëndimor të Bjellorusisë, Polonia, Lituania e Letonia janë në NATO. Aleanca ka dërguar katër njësi ushtarake në këto vende dhe në Estoni për të frenuar Moskën, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.
Numri në këto grupe ushtarake, ku janë ushtarakë nga Britania, Kanadaja, Gjermania e SHBA-ja, sillet rreth 5000.
Polonia ka nënshkruar të shtunën një pakt të përbashkët të mbrojtjes me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ku SHBA-ja do të rrisë numrin e trupave në Poloni.
Rusia ka thënë se nuk ka plane të sulmojë forcat e NATO-s dhe ka akuzuar aleancën se po e destabilizon Evropën.
Pyetur nëse mund të organizohet një mbledhje e jashtëzakonshme e ambasadorëve të NATO-s në ditët në vijim për të diskutuar për situatën në Bjellorusi, ambasadori i Lituanisë në NATO ka thënë se nuk ka plane të tilla për momentin.
“Nëse situata përkeqësohet, atëherë sigurisht çdo gjë është e mundur”, ka thënë Deividas Matulionis.
Bjellorusia shton prezencën ushtarake në kufi me Ukrainën
Ushtria e Bjellorusisë ndërkohë ka paralajmëruar se do të mbajë manovra ushtarake nga 17 deri më 20 gusht në afërsi të reaktorit nuklear të vendit dhe në rajonin Grodno në kufi me Poloninë e Lituaninë, ka njoftuar agjencia ruse e lajmeve RIA.
Po ashtu nga Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë është thënë se ushtria bjelloruse do të forcojë prezencën në kufirin perëndimor si pjesë e manovrave.