Policia në kryeqendrën e Bjellorusisë, Minsk, ka shtënë me plumba gome për natën e dytë rresht për të shpërndarë protestuesit pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara që u mbajtën të dielën, shkruan BBC.
Zyrtarët thonë se një protestues ka vdekur kur një mjet shpërthyes i ka shpërthyer në dorë. Është rasti i parë me fatalitet i konfirmuar nga këto përleshje.
Presidenti autoritar Alexander Lukashenko ka fituar 80 për qind të votave. Rivalja Svetlana Tikhanovskaya ka refuzuar të pranojë rezultatet, duke thënë se ajo është fituesja e vërtetë.
Mungesa e vëzhgimit, pasi nuk kishte vëzhgues prezent, ka quar te akuzat për manipulim në qendrat e votimit.
Zgjedhjet janë mbajtur pas frustrimit në rritje ndaj lidershipit të Lukashenkos, ku marshet e opozitës kishin mbledhur turma të mëdha. Në ditët në vijim pati shtypje ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Lukashenko, që është në krye që nga viti 1994, ka përshkruar përkrahësit e opozitës si “dele” të kontrolluara nga jashtë dhe ka thënë se nuk do të lejojë që shteti të përçahet.
Sipas zyrtarëve të panelit zgjedhor, Lukashenko ka fituar 80.23 për qind të votave, karshi 9.9 për qind sa i ka fituar Tikhanovskaya.
Tikhanovskaya u fut në zgjedhje në vend të bashkëshortit të saj të burgosur dhe kishte udhëhequr tubime masive të opozitës.
Policia e trazirave ka shtënë me plumba gome, ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra demonstrues që ishin mbledhur në kryeqendër.
Transmetuesi me seli në Poloni, Belsat TV, ka transmetuar pamje ku është parë policia duke u sulur në drejtim të turmës.
Në raportime thuhet se disa nga demonstruesit janë kundërpërgjigjur, duke hedhur koktej molotovi. Protestuesit po ashtu u munduan të ndërtonin barrikadë.
Një numër i personave është arrestuar. Një gazetar është lënduar, kanë thënë dëshmitarët.
Më vonë të hënën, Ministria e Brendshme ka thënë se një protestues ka vdekur kur ai “tentoi të hidhte një mjet të paidentifikuar shpërthyes te forcat e rendit”.
“I shpërtheu në dorë”, u tha nga ministria në një komunikatë.
Protesta po ashtu janë mbajtur në qytete tjera të Bjellorusisë.
Interneti, që kishte “probleme të shumta” në ditën e zgjedhjeve, kryesisht nuk ka qenë në dispozicion për ditën e dytë rresht, sipas monitoruesit online “NetBlocks”.
Kandidatja opozitare ka thënë se autoritetet duhet të mendojnë se si të dorëzojnë në paqe pushtetin.
“Ne kemi parë se si autoritetet po mundohen të mbajnë me forcë pozitat e tyre. Pavarësisht se sa shumë u kemi kërkuar të mos kthehen kundër njerëzve të tyre, nuk jemi dëgjuar”, ka thënë ajo.
Kampanja e saj ka thënë se do të sfidojë “shumë falsifikime” që janë bërë në votime.
“Rezultatet e zgjedhjeve të kumtuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë totalisht në kontradiktë me mendimin praktik”, ka thënë zëdhënësja Anna Krasulina.
Por Lukashenko ka thënë se do të mbetet në kontroll.
“Përgjigja jonë do të jetë e fortë. Nuk do të lejojmë që ata të përçajnë vendin”, ka thënë Lukashenko.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar Lukashenkon për fitore, megjithë akuzat për komplot rus, që Lukashenko është munduar t’i lidhë me opozitën.
Liderët e Kinës dhe disa shteteve sovjetike po ashtu kanë dërguar mesazhe përkrahëse.
Por, SHBA-ja ka thënë se është shumë e shqetësuar nga zgjedhjet dhe i ka bërë thirrje qeverisë të “respektoj të drejtat e tubimeve paqësore dhe të frenohet nga përdorimi i forcës”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje që rezultatet e zgjedhjeve të publikohen, duke thënë se shtypjet dhe frikësimet nuk kanë vend në Evropë.
Shtetet individuale të Bashkimit Evropian po ashtu kanë shprehur përkrahje për demonstruesit.
Lukashenko 65-vjeçar së pari ka marrë postin e presidentit në vitin 1994. Në votimet e vitit 2015, ai ishte shpallur fitues me 83.5 për qind të votave.
Lukashenko është kritikuar për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ai i kishte thënë qytetarëve të pinë vodka dhe të përdorin saunat për të luftuar sëmundjen.
Bjellorusia, që ka popullatë 9.5 milionë, ka raportuar gati 70 mijë raste dhe rreth 600 të vdekur.