Agjencia hapësinore NASA ka anuluar vizitën e Dmitry Rogozin, shefit të agjencisë hapësinore së Rusisë, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane dhe Bashkimit Evropian, pas raportimeve kritike të mediave dhe thirrjeve të ligjvënësve amerikanë që të anulohet kjo vizitë.
“NASA e ka njoftuar agjencinë hapësinore ruse, Roskosmos, se (vizita e Rogozinit), që ishte planifikuar në muajin shkurt, duhet të shtyhet”, tha zëdhënësja e NASA-s, Megan Powers përmes një deklarate.
Powers tha se data e re për vizitën e shefit të Roskosmosit në selinë qendrore të NASA-s në Hjuston “ende nuk është caktuar”. Rogozin po ashtu ishte paraparë që të mbante një fjalim në Universitetin Rice.
Zëdhënësi i Roskosmosit, Vladimir Ustimenko i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se kjo agjenci ende nuk ka marrë njoftim nga NASA se vizita e shefit të tij është shtyrë.
Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine, ish-kongresist amerikan, gjatë muajit tetor të vitit 2018, i kishte thënë agjencisë TASS se ai e ka ftuar Rogozinin që të vizitojë selinë e NASA-s dhe ai do të kërkonte që t’i hiqej ndalesa e udhëtimit ndaj Rogozinit. Kjo ftesë, në atë kohë, nuk ishte raportuar nga mediat në Shtetet e Bashkuara.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë
-
Moska dëbon edhe një diplomat britanik nën akuzat për spiunazh
-
SHBA-ja sanksionon kompanitë gjigante ruse të naftës: Moska ta pranojë armëpushimin
-
Ministri i Jashtëm italian anulon udhëtimin në SHBA pas komenteve të Trumpit për Melonin
-
Zbehen shpresat për paqe SHBA-Iran pasi Trumpi anuloi bisedimet
-
Palokaj: Kos nuk është dashur ta shtynte vizitën në Kosovë