Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Myslimanët e Ukrainës luten për fitore dhe liri në një nga xhamitë e pakta që ka mbetur

Në kohën kur Rusia nisi pushtimin, myftiu 43-vjeçar Said Ismahilov – një nga liderët shpirtërorë të myslimanëve në Ukrainë – veçse kishte vendosur se do të hiqte dorë nga detyrat e tij fetare për të luftuar për vendin e tij.

Në fund të vitit të kaluar, teksa paralajmërimet për sulm u rritën, Ismahilov filloi të stërvitej me batalionin e mbrojtjes territoriale. Deri atëherë, ai kishte shërbyer si myfti për 13 vjet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur dhe i rritur në rajonin lindor të Donetskut, Ismahilov kishte ikur nga Rusia një herë, më 2014, kur separatistët e mbështetur nga Moska pushtuan qytetin e tij. Ai lëvizi në periferi jashtë Kievit, në Bucha – për ta gjetur veten, tetë vjet më pas, në zemër të sulmit të Moskës ndaj Kievit, dhe në vendin e mizorive që tronditën botën. Dukej sikur kërcënimi nga pushtimi rus nuk do të përfundonte kurrë.

“Këtë herë e kam marrë vendimin se nuk do të iki, por do të luftoj”, tha ai në një intervistë për Associated Press.

Ismahilov filloi të punonte si shofer ushtarak për ndihmësit e parë që evakuonin të lënduarit nga vijat e para të frontit në qytetet e pushtuara. Në detyrë si shofer nën kushte rreziku të lartë, por edhe mbështetës emocional për të lënduarit, Ismahilov tha se e sheh punën e tij të re si “vazhdim të detyrës shpirtërore para Zotit”.

“Nëse nuk je i frikësuar dhe mund ta bësh këtë, atëherë është shumë e rëndësishme. Profeti ishte vetë luftëtar”, tha ai. “Kështu që unë ndjeka shembullin e tij dhe nuk do të iki, ose të fshihem. Nuk do t’ua kthej shpinën të tjerëve”.

Ismahilov ishte një nga dhjetëra myslimanët ukrainas që u mblodhën në xhami në Kostiantynivka të shtunën për të festuar Kurban Bajramin. Xhamia është tani e vetmja xhami funksionale e mbetur në territorin e kontrolluar nga ukrainasit.

Javën e kaluar, Rusia pushtoi qytetin Lysychansk, në provincën e Luhanskut. Guvernatori i Luhanskut tha se forcat ruse tani po shtynin drejt Donetskut.

Myslimanët përbëjnë pothuajse 1 për qind të popullatës në Ukrainë, e cila është e dominuar nga të krishterët ortodoksë. Është një popullatë e madhe myslimane në Krime – shtëpia e tatarëve të Krimesë së aneksuar ilegalisht nga Rusia më 2014. Numri atje arrin në 12 për qind. Është edhe një komunitet i madh i myslimanëve në lindje të Ukrainës, rezultat i valëve të migrimit ndërsa rajoni u industrializua dhe shumë myslimanë migruan në rajonin Donbas për të punuar në miniera.

Konflikti i 2014-s detyroi myslimanët nga Krimea dhe Donbasi që të shkonin në pjesë të tjera të vendit ku iu bashkuan komuniteteve tatare ose ndërtuan qendra të reja islami krahas turqve, arabëve dhe ukrainasve të konvertuar.

Por, pushtimi ka detyruar shumë që të ikin sërish. Xhamia në Kostiantynivka dikur shërbente për një popullsi lokale myslimane prej qindra njerëzish. Të shtunën, pak banorë ishin prezentë, pasi kishin ikur me familjet e tyre drejt Perëndimit. Në vend të tyre, lutjet u bënë nga ushtarët dhe mjekët nga bashkësi të ndryshme: tatarë të Krimesë dhe ukrainas të konvertuar nga Kharkivi, Kievi dhe Ukraina perëndimore.

Në predikimin e tij gjatë lutjeve tradicionale të Kurban Bajramit, Ismahilov u tha besimtarëve se festimi i Bajramit këtë vit ka një simbolikë të veçantë në mes të luftës, dhe u kërkoi që të kujtonin myslimanët që jetojnë në territoret e okupuara ku shumë kanë humbur shtëpitë e tyre dhe dhjetëra xhami janë shkatërruar nga bombardimet. Duke iu referuar një serie të arrestimeve të tatarëve të Krimesë pas aneksimit të 2014-s, Ismahilov tha se myslimanët në territoret e okupuara nuk ndjehen të sigurt.

“Ka shumë frikë... lufta vazhdon dhe nuk kemi ide se çfarë po ndodh në territoret e okupuara dhe në çfarë situata ndodhen myslimanët atje”, tha ai.

Ismahilov i tha AP-së se konsideron se myslimanët rusë që pushtojnë Ukrainën, përfshirë batalionin famëkeq çeçen të Ramzan Kadyrovit, janë “kriminelë”.

“Ata po kryejnë krime dhe... ata kanë ardhur si vrasës dhe okupues, në një territor që është shtëpi e ukrainasve dhe myslimanëve ukrainas, pa asnjë justifikim. Allahu nuk ua ka dhënë atyre këtë të drejtë”, tha Ismahilov. “Ata do të përgjigjen për të gjithë këtë para Zotit”.

Ismahilov ka thënë se ata janë lutur për fitore dhe liri të territoreve të okupuara.

“Lutemi që patriotët tanë myslimanë të jenë të sigurt, që familjet tona të ribashkohen, që myslimanët e vrarë të shkojnë në parajsë, dhe që të gjithë ushtarët myslimanë që po mbrojnë vendin e tyre të pranohen si dëshmorë nga Allahu”./AP