Botë

Motra kryespiune

Spekulimet dhe thashethemet për shëndetin e Kim Jong-unit mund të mos kenë kurrfarë vlere, por dilemat se kush mund ta pasojë atë në një të ardhme të afërt ose të largët gjithnjë do ta shoqërojnë sundimin e tij. BBC-ja ka folur me analistë se kush mund të jenë kandidatët dhe nëse historia është në anën e tyre.

Një anëtar mashkull i familjes Kim ka qenë në krye të Koresë Veriore prej themelimit të saj nga Kim Il-sungu më 1948 – dhe mitologjia e kësaj familjeje vazhdon të përcjellë shoqërinë gjatë historisë së saj të re.

Propaganda për madhështinë e saj nis për qytetarët para se ata të mund të lexojnë: fëmijët në parashkollorë këndojnë një këngë që ngërthen edhe këtë varg: “Dua ta shoh liderin tonë Kim Jong-un”, shkruan KOHA.

Andaj si mund të merrni me mend një Kore Veriore pa këtë figurë simbolike dhe politike në krye të saj? Si do të mund të organizonin veten elitat politike, si dhe shoqëria në tërësi?

Përgjigjja më e lehtë është kjo: Nuk e dimë. Por më interesante është se edhe ata vetë nuk e dinë. Madje kurrë nuk u është dashur ta dinin këtë punë.

Gjithnjë ka një Kim

Në kohën kur Kim Jong-uni po përgatitej për t’u ngjitur në majën e pushtetit, ata madje nisën ta përdornin termin “Linja e gjakut Paektu” për të ndihmuar legjitimimin e sundimit të tij. Paektu është një mal i shenjtë dhe i mitologjizuar, ku Kim Il-sung thuhet se kishte nisur luftën e tij kryengritëse dhe ku Kim Jong-il raportohet se ishte lindur.

Kim Jong-uni ende shkon atje kur dëshiron të bashkëndjejë para se të marrë vendime të rëndësishme politike.

Gjithnjë ka pasur një Kim në zemrën ideologjike të vendit.

Çfarë do të ishte Koreja Veriore pa një pinjoll të Kimëve?

Kim Jong-uni, 36 vjeç, besohet se ka fëmijë – por ata janë shumë të rinj. Mendohet se i ka tre fëmijë, më i madhi dhjetë vjeç dhe më i vogli tri. Edhe vetë Kim Jong-uni ishte konsideruar i ri kur e mori pushtetin – ishte vetëm 27 vjeç.