Botë

Kim Jong Un besohet se i ka mbushur 40 vjet

Lideri verikorean Kim Jong Un ka mbushur 40 vjet, së paku ashtu besohet, raporton “BBC”.

Kim Jon Un kurrë nuk ka zbuluar ditëlindjen e tij, duke lënë të spekulohet se kur ka lindur ai.

Besohet se Kim Jon Ung ka mbushur 40 vjet të hënën, ditën e njëjtën që u publikuan foto zyrtare të tij dhe vajzës së tij duke vizituar një fermë të pulave.

Kjo është në kontrast me paraardhësit e tij.

Në fakt, ditëlindjet e babait të tij Kim Jong Il dhe gjyshit Kim Il Sung – ishin festa të madhe shtetërore – dhe ende shënohen si të tilla.

Pse saktësisht mendohet se 8 janari është ditëlindja e Kim Jong Unit, mbetet sekret.

Mendohet se zyrtarët e Koresë së Veriut e falënderuan presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, për urimet për ditëlindje gjatë janarit të vitit 2020.

Dëshmi tjera për datën dolën gjashtë vjet më herët, kur basketbollisti ikonik Dennis Rodman ia këndoi këngën për ditëlindje Kim Jong Unit në prani të mijëra pjesëmarrësve.

Gilsup Kwak, kreu i Qendrës “One Korea”, një uebfaqe e specializuar për çështje të Koresë së Veriut, thotë se ka një numër të arsyeve për heshtjen e disa gjërave, e veçanërisht për nënën Ko Yong Hui dhe faktin se raportohet se ajo është lindur në Japoni.

“’Thembra e Akilit’ e Kim Jong Unit është e vërteta e lindjes së tij”, thotë Kwak.

Mirëpo, disa thonë se Kim Jong Un do që ta promovojë veten si “lider modest”. Të tjerët thonë se mosha është problem, pasi elita tjetër udhëheqëse e Koresë së Veriut vlerëson se ai është tepër i ri.