Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Moska kundërshton kërkesën e BE-së për hetim mbi vdekjen e Navalnyt

Kremlini e ka mohuar një hetim ndërkombëtar të kërkuar nga Bashkimi Evropian për vdekjen e Alexei Navalnyt.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia nuk i pranon fare kërkesat e tilla.

Sipas tij, shteti e sheh këtë kërkesë si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kishte bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për vdekjen e Navalnyt.

Peskov gjithashtu hodhi poshtë si “të pabaza dhe të tmerrshme” akuzat nga e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, se Putini kishte vrarë burrin e saj.

Në një videomesazh, 47-vjeçarja Navalnaya fajësoi Putinin për vdekjen e Navalnyt në një kamp burgu në veri të Rrethit Arktik dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë luftën e të shoqit kundër sistemit të presidentit rus.

Peskov ka theksuar se as ai e as Putin nuk e kishin parë videon.

“Sinqerisht nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë. Por nëse ka pasur fjalë të tilla, atëherë po e përsëris, këto nuk janë gjë tjetër veçse akuza të pabaza, sepse nuk mbështeten apo konfirmohen nga asgjë. Dhe në këtë rast, vetëm për arsye etike nuk mund t'i vlerësoj këto fjalë ashtu siç duhet të vlerësohen”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Kremlinit mbrojti veprimin brutal të ndërmarrë nga forcat e sigurisë kundër rusëve të cilët vendosën lule dhe ndezën qirinj në shumë qytete anembanë vendit në kujtim të kundërshtarit të ndjerë të Putinit.

Sipas tij, policët e kishin kryer detyrën e tyre në përputhje me ligjin.

E nëna e Alexei Navalnyt, Lyudmilla Navalnaya, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, t'ia dorëzojë trupin e djalit.

“Vladimir Putin... më lejoni ta shoh djalin tim...Kërkoj që trupi i Alexeit të dorëzohet menjëherë që ta varros në mënyrë njerëzore”, ka thënë ajo.

Kritikut të presidentit rus, Vladimir Putin, do t’i bëhen analiza kimike, ka njoftuar një përfaqësues i familjes.

Nuk ka konfirmim se ku gjendet trupi i tij. Familja e Alexei Navalnyt raportohet se do të duhet të presë edhe të paktën dy javë për ta marrë trupin e tij, pasi u tha se atij do t’i bëhet kjo analizë.

E ndërkohë edhe vëllai i Alexei Navalnyt është vënë në listën e të kërkuarve nga Rusia, raportojnë mediat shtetërore ruse.

Një rast i ri kriminal është hapur kundër Oleg Navalnyt, duke e bërë atë person të kërkuar në Rusi. Ai ishte dënuar në mungesë, në shkurt të vitit 2022 me një vit burgim, për shkelje të dënimit me kusht.

Vendndodhja e tij nuk dihet. Ai ka udhëtuar në Qipro në vitin 2021, dhe nuk është kthyer në Rusi, sipas dokumenteve të gjykatës, të cituara nga agjencitë e lajmeve.

Artikuj të ngjashëm