Botë

Moment i rrallë, aksidentalisht me mikrofonin ndezur: Putin, Xi Jinping dhe Kim Jong Un flasin për pavdekësinë

Takimi ne Kine

Shënimi i 80-vjetorit të dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, duket se nuk u përcoll vetëm me prezantimin e armatimit të ri të Kinës.

Në një moment tejet të rrallë, kur mikrofoni ishte i ndezur dhe teksa po ecnin në tepihun e kuq, të tre liderët presidenti i Kinës Xi Jinping, presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Koresë së Veriut Kim Jong Un, u dëgjuan duke biseduar për mënyrën se si përparimet në shkencë mund të zgjasin jetën.

Kjo bisedë e shkurtër u kap nga një transmetim live i agjencive të lajmeve ndërkombëtare.

I pari që foli ishte Xi Jinping. Nuk u dëgjua qartë çdo fjalë, por përkthyesi rus u dëgjua duke thënë: “Dikur ishte shumë e rrallë të arrije moshën 70 vjeç, por tani thuhet se në atë moshë je ende fëmijë”.
Kim Jong Un, që ishte në anën tjetër të Xi, u kthye për të dëgjuar, duke buzëqeshur herë pas here.
E fjalët e presidentit rus Putin nuk ishin dhe aq të dëgjueshme.

“Në disa dekada, ndërsa bioteknologjia vazhdon të zhvillohet, organet njerëzore do të vazhdojnë të transplantohem, dhe njerëzit do të bëhen më të rinj — ndoshta edhe do të arrijnë pavdekësinë”, është dëgjuar përkthyesi i Putinit në gjuhën kineze.

Audio u ndërpre shkurtimisht, por kur u rikthye, u dëgjua një zë i ulët që tha: “… mund të jetojmë deri në 150 vjeç.”

Megjithatë më vonë gjatë ditës, Putin, në një konferencë për media, konfirmoi se Xi kishte hapur temën e jetëgjatësisë gjatë ecjes së tyre për në platformë.

“Kryetari e përmendi këtë. Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi kishte qenë një promovues i kësaj teme në të kaluarën”, deklaroi në konferencën për media presidenti Putin.

Këtij organizimi të Kinës iu bashkuan 26 krerë shtetesh, përfshirë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe liderin e Koresë së Veriut. Por kjo është hera e parë që ata takohen së bashku.