Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Moderna” thotë se vaksina e saj ka rezultuar efikase edhe te fëmijët

Foto: Reuters

Kompania e njohur farmaceutike “Moderna” ka njoftuar të martën se vaksina e saj anti-COVID ka dalë efikase në mbrojtjen e fëmijëve duke bërë hap të madh që botës t’i shtohet opsioni i dytë i vaksinës për të mbrojtur fëmijët.

Me dozat e vaksinave që s’janë të mjaftueshme, bota po përballet me probleme në vaksinimin e të rriturve. Por më herët gjatë muajit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja miratuan një tjetër vaksinë – atë të “Pfizerit” dhe “BioNTechut” – që të përdoret te fëmijët nga mosha 12-vjeçare.

“Moderna” synon të jetë e radhës. Ajo ka thënë se synon t’i dorëzojë të dhënat për adoleshentët në Administratën për Ilaçe në SHBA dhe rregullatorët tjerë globalë në fillim të muajit të ardhshëm.

Kompania ka thënë se i ka përcjellë të dhënat e më shumë se 3700 fëmijëve nga mosha 12 deri në 17-vjeç.

Gjetjet e para kanë zbuluar se vaksina ka nxitur shenjat e mbrojtjes së imunitetit te fëmijët sikur te të rriturit dhe ka shfaqur edhe efektet anësore sikur te të rriturit – dhimbje krahësh, dhimbje koke dhe lodhje.

Asnjë rast me diagnozë të COVID-19 nuk është regjistruar te fëmijët që kanë marrë dy doza të vaksinës.

Edhe “Pfizer” thotë se tri vaksina anti-COVID mbrojnë fëmijët nën 5 vjeç Lifestyle “Pfizer” thotë se tri vaksina anti-COVID mbrojnë fëmijët nën 5 vjeç

Sipas një komunikate për media, vaksina ka dalë efektive 93 për qind vetëm dy javë pasi fëmijët kanë marrë dozën e parë.

Sikur “Pfizer” edhe “Moderna” kanë nisur testimin e fëmijëve nga mosha 11 deri në gjashtë muajsh.