Një juri në Ohio liroi të mërkurën mjek nga akuzat për vrasjen e shumë pacientëve në një spital, raportoi AP-ja.
Mjeku William Husel u akuzua se kishte urdhëruar dhënien e ilaçeve të tepërta kundër dhimbjeve për 14 pacientë në spitalin Mount Carmel në zonën e Columbusit. Ai u padit për rastet kur pacientëve u dha të paktën 500 mikrogramë të qetësuesit të fuqishëm fentanil.
Prokurorët thanë se urdhri për këto doza në një situatë jokirurgjikale tregon qëllimin për t’u dhënë fund jetëve. Husel ishte deklaruar i pafajshëm për 14 akuzat për vrasje, ndërsa avokati i tij kishte thënë se ai po u ofronte mbështetje dhe rehati pacientëve që po vdisnin dhe se nuk po përpiqej t’i vriste.
Gjatë gjyqit, prokuroria solli 53 dëshmitarë që përfshinin edhe ekspertë mjekësorë, punonjës të spitalit, hetues dhe familjarë të 14 pacientëve.
Avokatët mbrojtës thirrën vetëm një dëshmitar, një anesteziolog për të dëshmuar se pacientët e Huselit vdiqën për shkak të gjendjes së tyre mjekësore dhe jo nga veprimet e Huselit.
Gjatë argumenteve, David Zeyen, ndihmës i prokurorit Franklin County, i tha jurisë se pavarësisht sa afër vdekjes është një pacient, është e paligjshme të përshpejtohet ky proces.