Botë

Misteri i katër studentëve amerikanë të vrarë në shtrat: Pa të dyshuar, pa armë, pa motiv

Në shtetin amerikan të Idahos katër javë më parë u vranë katër studentë të Universitetit të Idahos. Rrethanat në të cilat ndodhi vrasja janë mjaft misterioze, shkruan Sky News.

Kaylee Goncalves, Maddie Mogen, Xana Kernodle dhe i dashuri i saj Ethan Chapin u vranë brutalisht në një shtëpi në orët e para të mëngjesit. Ata u goditën për vdekje me një thikë të madhe, gjë që bëri që dhomat të spërkatën me gjak. Në momentin e vrasjes ata flinin në të njëjtin shtrat. Dy miq të tjerë që shpëtuan po flinin në bodrumin e shtëpisë dhe pretendojnë se nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Një muaj pas sulmit, askush nuk doli për të dëshmuar, nuk ka asnjë të dyshuar, nuk u gjet asnjë armë dhe nuk dihet motivi i vrasjes. Një numër i vogël policësh lokalë, të cilët prej shtatë vjetësh nuk janë përballur me një vrasje, janë në kërkim të vrasësit apo vrasësve.

Tashmë ka indikacione se prindërit e viktimave janë të frustruar për atë që ata mendojnë se nuk ka përparim në hetim. Pakënaqësia ekziston pavarësisht përfshirjes së FBI-së dhe Policisë së Shtetit të Idahos në hetim. Zëdhënësja e policisë së qytetit Robbie Johnson ka thënë se ata nuk duan vetëm ta arrestojnë dikë, por duan të nxjerrin dikë para drejtësisë.

"Ne duhet të sigurohemi që të kalojmë nëpër të gjitha provat dhe ka shumë prova. Ne marrim foto, email, telefonata. Nuk mund të lejojmë të bëjmë një gabim dhe të nxjerrim informacione që mund të rrezikojnë hetimin", shtoi Johnson. .

Policia është e bindur se shtëpia ku ndodhi krimi dhe se të vrarët nuk kanë qenë objektiva të rastësishëm, por nuk kanë shpjeguar pse e besojnë këtë. Ish-i dashuri i Kayleen, me të cilin ajo ishte e lidhur edhe pas ndarjes zyrtare, nuk po trajtohet si i dyshuar.

Shtëpia ku ndodhi krimi

Një nga aspektet më të çuditshme të këtij rasti janë dy miqtë që shpëtuan, Dylan Mortensen dhe Bethany Funke. Në momentin e krimit ata ishin në dhomat e gjumit që ndodheshin në bodrumin e shtëpisë. Siç pretendojnë ata, kanë fjetur gjatë sulmit. Një nga miqtë e tyre ka marrë vesh se çfarë ka ndodhur pak para mesditës dhe ka lajmëruar policinë. Mortensen dhe Funke gjithashtu nuk konsiderohen të dyshuar.

Eksperti i krimit, Troy Lambert, djali i birësuar i të cilit jeton 100 metra larg shtëpisë ku ndodhi krimi, i duket e çuditshme që askush nuk dëgjoi se çfarë po ndodhte, duke qenë se është një zonë me popullsi të dendur.

Ku ishin para vrasjes

Hetuesit nuk po përpiqen vetëm të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur në vendin e krimit, por edhe se ku ndodheshin viktimat orët para se të vriteshin. Kaylee dhe Maddie kaluan natën në barin Corner Club, i cili ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore të qytetit. Ato u larguan nga lokali një orë pas mesnate për të shkuar te një automjet aty pranë që shiste ushqime.

Kaylee i regjistroi ato momente dhe i transmetoi drejtpërdrejt në internet. Nga regjistrimi i transmetimit mund të konstatohet se ka pasur një mosmarrëveshje me një burrë që kishte kapuç në kokë. Në një moment, Maddie iu drejtua burrit dhe i tha: "F*ck you, zotëri". Pas kësaj, videoja përfundon. Personi i përmendur nuk po trajtohet as si i dyshuar.

Një periudhë prej pesë orësh për të cilën nuk dihet asgjë

Është raportuar më parë se prindërit e Kayleen besojnë se vajza e tyre ishte objektivi kryesor duke pasur parasysh shkallën e lëndimeve të saj në krahasim me viktimat e tjera. Megjithatë, ata nuk mendojnë kështu tani. Familja e Kayleen punësoi avokaten Shannon Grey, e cila i dha policisë një listë me pesë pyetje, por nuk dihet se cilat ishin ato pyetje.

Ku ishin dy viktimat e mbetura Xana Kernodle dhe Ethan Chapin një natë para vrasjes është gjithashtu një mister. Mësohet se mes orës 20 dhe 21 kanë qenë në një festë të organizuar në shtëpinë e studentëve. Kjo shtëpi është pesë minuta më këmbë nga shtëpia ku u vranë. Ata erdhën në shtëpinë ku ndodhi krimi dy orë pas mesnate. Policia po përpiqet të përcaktojë se ku kanë qenë në periudhën nga ora 21:00 deri në orën 02:00.

Qyteti, i cili ka 25 mijë banorë, prej të cilëve 11 mijë studentë, jeton në frikë. Të gjithë presin të marrin përgjigje për pyetjet kryesore - kush është vrasësi apo kush janë vrasësit dhe cili është motivi i sulmit.