Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Misioni i njësiteve “arabe” të Izraelit

“Musta’ribeen” janë forca speciale izraelite të njohura për brutalitetin e tyre. Pjesëtarët e tyre paraqiten si arabë dhe veprojnë në shoqëritë palestineze. Komandot vishen si arabë, portretizojnë zakonet dhe shenjat e kulturës arabe dhe flasin rrjedhshëm arabisht në dialektin e duhur, shkruan “Al-Jazeera”

Ramallah, Bregu Perëndimor - Mjerimi dhe zemërimi ishte i dukshëm ndërsa gratë qanin, të rinjtë brohorisnin me grushtet të ngritura, dhe persona të armatosur të maskuar qëllonin në ajër gjatë varrimit të Ahmed Fahd, 24 vjeç, në kampin e refugjatëve Al-Amari.

Familja e Fahdit i tha “Al Jazeeras” se agjentët sekretë izraelitë së pari e arrestuan atë dhe më pas e qëlluan në shpinë disa herë nga një distancë e afërt rreth orës 05:30 të mëngjesit, para se ta linin të martën duke derdhur gjak deri në vdekje në një rrugë në lagjen “Um al-Shayaret” në Ramallah.

“Djali im u qëllua pa mëshirë. Ishte djalë i dashur me shumë miq dhe gjithmonë i buzëqeshur”, tha Um Fahd, ndërsa mbërthente një fotografi të djalit të saj dhe qante pa kontroll.

Fahdi, i cili ishte punonjës në komunën e El-Bireh, do të martohej brenda disa javësh.

Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Muhammad al-Avda, i tha “Al Jazeeras” se sipas mjekëve në spitalin e Ramallahut, Fahdi u qëllua disa herë nga distanca e afërt.

“Mjekët raportuan se një nga plumbat që hyri në shpinë i bëri një vrimë 2.5 centimetra, por kur doli nga stomaku vrima ishte 7 centimetra - duke provuar se ishte qëlluar nga një distancë e afërt”, tha Al-Avda.

Mjekët palestinezë në terren kanë raportuar se forcat izraelite përdorin të ashtuquajturin “plumb flutur”, i cili "shpërthen" nga goditja, duke pluhuruar indet, arteriet dhe kockat, ndërsa shkakton dëmtime të rënda të brendshme dhe plagë të mëdha në dalje.

“Ai gjithashtu kishte disa plagë plumbi në këmbë”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sabrin Abu Libdeh, mik i familjes, i tha “Al Jazeeras” se një zyrtar i inteligjencës nga agjencia e inteligjencës së brendshme të Izraelit, Shin Bet, më vonë telefonoi familjen për të kërkuar falje, duke thënë se agjentët nuk kishin për qëllim ta vrisnin Fahdin, porse ishin vënë në të vërtetë pas vëllait dhe xhaxhait të tij të cilët i akuzonin se ishin përfshirë në “aktivitete terroriste”.

“Çfarë dobie ka falja e tyre tani?"- pyeti motra e Ahmedit Roseanne, sytë e së cilës ishin fryrë nga e qara. “A do ta ringjallë?”

“Vrasja e palestinezëve”

Ndërsa izraelitët pranuan "gabimin" e tyre në këtë incident të veçantë, Shavan Jabareen, nga organizata e të drejtave të njeriut “Al-Haq” në Ramallah, tha se vrasja e vazhdueshme e palestinezëve nga forcat izraelite të sigurisë, veçanërisht njësitë e fshehta, nuk ishte e rastësishme.

"Tani jemi duke hetuar vdekjen e tij, por vrasja është pjesë e një politike të qëllimshme izraelite për të vrarë palestinezë nga një distancë e afërt nga njësitë e fshehta të njohura si ‘Musta'ribeen’ si dhe trupa të rregullta", ka theksuar Jabareen.

“Ushtarët vijnë në Ramallah pothuajse çdo natë pas orës 2 të mëngjesit për të kryer arrestime”, shton ai.

"Ka pasur një numër rastesh kur oficerët e inteligjencës së ‘Shin Betit’ telefonuan familjet e palestinezëve që i vranë pasi i pushkatuan nga një distancë e afërt dhe bllokuan ambulancat nga evakuimi i të plagosurve në gjendje kritike - të rinj të cilët i akuzuan për sulme të armatosura ndaj ushtarëve dhe kolonëve izraelitë - duke thënë se tani ishte zgjidhur llogaria’”.

"Pra, qartazi këto ishin veprime hakmarrjeje", tha ai.

Jabareen shpjegoi se organizata e tij dokumentoi raste të shumta të forcave izraelite të sigurisë që vrisnin palestinezë edhe kur nuk rrezikohej jeta e tyre.

"Ne paraqitëm statistika dhe dokumentacione për organizata të ndryshme ndërkombëtare që tregojnë se 95 për qind e vdekjeve ishin të panevojshme".

“Musta’ribeen” janë forca speciale izraelite të njohura për brutalitetin e tyre. Pjesëtarët e tyre paraqiten si arabë dhe veprojnë në shoqëritë palestineze. Komandot vishen si arabë, portretizojnë zakonet dhe shenjat e kulturës arabe dhe flasin rrjedhshëm arabisht në dialektin e duhur.

Nxitja e situatës

Gary Spedding, konsulent për Lindjen e Mesme, tha se aktivitetet e “Musta’ribeen” ia “lejojnë ushtrisë izraelite dhe policisë kufitare t’i identifikojnë protestuesit që ata dëshirojnë t’i arrestojnë dhe t’i ndalojnë”.

Eksperti i çështjeve izraelite, Antoine Shalhat, shpjegoi se misionet kryesore të “Musta’ribeen” përfshijnë “mbledhjen e inteligjencës dhe operacionet antiterroriste”.

Këto njësi sekrete ishin të përfshira edhe në fushatën e gjerë të arrestimit të palestinezëve që po kryhen aktualisht në Izraelin verior, pas protestave të atjeshme kundër vdekjeve në Gaza dhe dhunës në Jerusalemin Lindor të okupuar mbi palestinezët që u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Komiteti Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI) tha se mori “akuza për oficerë të fshehtë që paraqiten si protestues dhe nxisin situatën, duke sulmuar civilë me shumë dhunë dhe duke bërë kërcënime të ashpra, veçanërisht kundër të miturve”.

"Ka pasur raste kur oficerë të fshehtë tërhoqën njerëz, duke përfshirë të mitur, nga rruga pa identifikuar veten, gjë që bëri që arrestimet të dukeshin si rrëmbime", tha njoftoi PCATI.

Pas krijimit të fundit të një njësie të re sekrete, posaçërisht për të vepruar në zonat arabe, Adalah, Qendra Ligjore për të Drejtat e Pakicave Arabe në Izrael, u dërgoi një letër zyrtarëve të lartë të policisë izraelite dhe politikanëve duke thënë se asnjë demokraci në botë nuk do të aprovonte krijimin e një njësi policie drejtuar një grupi specifik etnik.

Image

“Rregullat e lejuara të angazhimit”

Megjithatë, vrasja e palestinezëve pothuajse përditë vazhdon pa ndërprerë me të paktën 28 p​alestinezë të vrarë vetëm në Bregun Perëndimor në maj, kur u zhvilluan edhe përleshjet me forcat izraelite të sigurisë ose gjatë arrestimeve.

Dhe në këto rrethana mundësohet mosndëshkimi i forcave izraelite të sigurisë.

“Ashtu si në shumicën dërrmuese të rasteve në të cilat forcat e sigurisë dëmtuan palestinezët, askush nga ata që janë përgjegjës nuk janë përballur me akuza”, thuhet në një raport të grupit izraelit të të drejtave të njeriut, “B'Tselem”.

Duke cituar disa shembuj nga gjatë Intifadës së dytë nga viti 2000 deri më 2015, “B’Tselem” kërkoi hetimin e 739 rasteve në të cilat ushtarët vranë, plagosën ose rrahën palestinezë, i përdorën si mburoja njerëzore ose dëmtuan pronën palestineze.

Grupi i të drejtave të njeriut, i referohet “Al-Jazeera”, njoftonte se shifrat nga mesi i vitit 2016 tregojnë në një të katërtën e çështjeve, asnjë hetim nuk ishte nisur kurrë, në gati gjysmën e rasteve, hetimet u mbyllën pa asnjë veprim tjetër dhe vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla u ngritën akuza kundër ushtarëve të akuzuar.

“B’Tselem” tha se nuk do të bashkëpunonte më me rastet e hetimeve ushtarake pasi nuk rezultuan me dhënie përgjegjësie.

Ndërkohë, grupi izraelit i të drejtave të njeriut “Yesh Din” i bëri presion ushtrisë izraelite për të hetuar vdekjet e palestinezëve në Gaza gjatë Marshit të Madh të Kthimit, kur te rrethoja izraelite, palestinezët protestuan kundër rrethimit.

“Kombinimi i rregullave të lejuara të angazhimit në lidhje me shtënien kundër protestuesve të paarmatosur dhe një sistem të zbatimit të ligjit që parandalon hetimin e mirëfilltë dhe efektiv të vdekjeve të protestuesve, është vdekjeprurës”, vlerësoi “Yesh Din” në një nga raportet e fundit.

“Rezultati është humbja fatkeqe, e panevojshme e shumë jetëve, mungesa e përgjegjësisë për lëndimin e të pafajshmëve dhe braktisja e banorëve të Gazës, të cilët mbesin të pambrojtur kundër spektrit të humbjes së jetës së tyre”.

Përktheu: Rexhep Maloku

Artikuj të ngjashëm