Një sondazh i vitit të kaluar nga instituti japonez, Genron NPO, zbuloi se 90% e japonezëve kishin një imazh negativ për Kinën dhe 66% e kinezëve ndiheshin njëjtë ndaj Japonisë, nga 53% e një viti më parë
Mik apo armik? Apo të dyja? Në rrugët e Tokios dhe Pekinit, lidhjet midis Japonisë dhe Kinës mbeten të ndërlikuara dhe shpesh kontradiktore, 50 vjet pasi dy vendet aziatike normalizuan marrëdhëniet si pjesë e procesit që solli Kinën komuniste në rrafshin ndërkombëtar.
Mediat zyrtare kineze dhe tekstet shkollore përkujtojnë viktimat e pushtimit brutal të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe kur të rinjtë urbanë hanë ushqimin "ramen" në një restorant dykatësh, i bërë për t'u dukur si rrugicat e ngushta të Tokios.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Tokion e vërtetë, japonezët u mblodhën në një festival fundjavën e kaluar për të provuar petat kineze, edhe pse ata shqetësoheshin për aftësitë ushtarake në rritje të fqinjës së tyre shumë më të madh dhe planet e saj në ishullin vetëqeverisës të Tajvanit - i cili ndodh të jetë koloni ish-japoneze.
“Politika është politikë, nuk ka të bëjë me shkëmbimet mes njerëzve”, tha Zheng Bin, duke pjekur një byrek me presh kinez në festivalin në Parkun Yoyogi. Ai e ka kaluar gjysmën e jetës së tij në Japoni, duke ardhur si student 30 vjet më parë, dhe tani drejton gjashtë restorante kineze në zonën e Tokios.
Megjithatë, politika ndikon te njerëzit dhe pikëpamjet kritike janë në rritje, ndërsa të dyja vendet kanë shënuar të enjten 50-vjetorin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila pasoi vizitën novatore të presidentit të SHBA-së, Richard Nixon, në Kinë në vitin 1972.
Një sondazh i vitit të kaluar nga instituti japonez, Genron NPO, zbuloi se 90% e japonezëve kishin një imazh negativ për Kinën dhe 66% e kinezëve ndiheshin njëjtë ndaj Japonisë, nga 53% e një viti më parë.
“Është normale që ka probleme në 50 vjetor”, tha Li Tingjiang, drejtor i një qendre të studimeve japoneze në Universitetin Tsinghua në Pekin. Ai përmendi gjeopolitikën dhe dallimet sociale dhe ekonomike midis dy vendeve. “Por ne nuk duhet të mohojmë ndikimin e gjatë pozitiv nga mirëkuptimi i ndërsjellë dhe shkëmbimi kulturor gjatë 50 viteve të fundit”.
Marrëdhëniet toksike
Studentja japoneze, Momoe Unou, shkoi në festivalin e Tokios për të vëzhguar ushqimin, ajo dëshiron të shesë petë dhe simite kineze në një ngjarje të ardhshme me studentë shkëmbimi nga Kina.
Deri në një udhëtim në shkollë të mesme në Kinë, pikëpamja e saj për vendin bazohej vetëm në tekstet shkollore dhe lajmet televizive, dhe nuk ishte pozitive. Sapo ishte atje, ajo u godit nga padurimi i homologëve të saj kinezë për të komunikuar, duke e shtyrë atë të diplomohej në studimet aziatike.
“Unë do ta kisha menduar Kinën si një komb të frikshëm nëse lajmet televizive do të ishin burimi im i vetëm i informacionit për të”, tha ajo.
Festivali i Shkëmbimit Japoni-Kinë u rikthye fundjavën e kaluar pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë COVID-19. Organizatorët shpresojnë se do të ndihmojë në rifillimin e shkëmbimit kulturor, pavarësisht lidhjeve të tensionuara politike, ndërsa Japonia është tërhequr në një rivalitet në rritje midis SHBA-së dhe Kinës.
Këshilltari i festivalit, Yasuo Fukuda, një ish-kryeministër i cili është një ithtar aktiv i lidhjeve më të mira me Kinën, tha se pandemia ka reduktuar komunikimin midis dy kombeve.
"Mungesa e dialogut rrit rrezikun e keqkuptimit ... dhe gjërat që nuk ndodhin në rrethana normale, mund të ndodhin", tha ai në një intervistë me AP-në.
"Shpresoj që ky festival t'ju ofrojë një mundësi që të mendoni për atë ditë, 50 vjet më parë dhe të gjeni rrugën tonë për të ardhmen", tha ai në fjalën e hapjes së aktivitetit dyditor.
Nxënësi i festivalit, Masaki Makita, i cili studioi dhe punoi në Shangai për gati një dekadë, ka probleme me politikën e Kinës ndaj Tajvanit dhe goditjen e saj ndaj disidencës në Hong Kong. Ai mendon se mbulimi mediatik ka ndikuar në pikëpamjet e njerëzve në të dy vendet, ndoshta më shumë për shkak të izolimit nga pandemia.
“Mendoj se lajmet për Kinën që shohim në mediat japoneze mund të jenë disi të njëanshme, ndërsa nuk mendoj se as Kina ka të drejtë”, tha ai. “Por unë kam shumë miq kinezë dhe nuk ka të bëjë fare me politikën”.
Pushteti i butë
Një aromë yndyre dhe hudhre mirëpret vizitorët në restorantin, Yume Wo Katare, në kryeqytetin kinez. Dhe vijnë ata, duke u rreshtuar herë pas here për rreth 90 tasa me ramen të stilit Jiro që shërbehet çdo ditë në dyqan, në rreshtin e restoranteve japoneze.
Pronari Shi Xin, i cili ka jetuar në Japoni, shprehu një ndjenjë arritjeje për të rikthyer supën e përzemërt me petët e saj të trasha dhe për të fituar fansat mes kinezëve dhe japonezëve që jetojnë në Pekin.
"Megjithëse nuk është asgjë e madhe, përmes gjërave të vogla si ushqimi, shpresoj të promovoj miqësinë midis Kinës dhe Japonisë dhe të kontribuoj në shkëmbimin kulturor", tha ai përpara se të nxitonte për të përgaditur darkën në restorantin e tij 6 vjeçar.
Banorët e Pekinit shprehën një miqësi ndaj Japonisë dhe një dashuri për kulturën japoneze, megjithëse disa shtuan se e kaluara e kohës së luftës nuk mund të harrohet, veçanërisht në prag të Ditës Kombëtare të Kinës të shtunën.
“Nëse është një periudhë si Dita Kombëtare, mendoj se ka pritshmëri që brezi ynë dhe brezat e rinj të mund të kujtojnë ende historinë e luftës kundër agresionit japonez”, tha 35-vjeçarja, Su Mengtong, e cila ishte duke pritur që miqtë të bënin teste për COVID- 19, në një kabinë pranë Muzeut të Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër agresionit japonez.
“Në fund të fundit, pushtimi është një traumë e madhe për vendin tonë”, tha ai.
Dekadat e fundit kanë sjellë ushqimin japonez dhe kulturën pop, duke përfshirë filma, shfaqje televizive dhe komike "manga", tha Li, i cili aktualisht është një studiues vizitor në Tokio.
Sipas Muzeut Shin-Yokohama Ramen në Japoni, ramen, një eksport japonez që tani është i popullarizuar në shumë vende, ka rrënjë kineze, që daton nga shekulli i 19-të kur supa me petë u soll në Japoni.
Por fuqia e butë e Japonisë nuk është e imunizuar nga historia e saj e kohës së luftës. Policia kineze arrestoi një grua duke pozuar për foto me një mantil në një zonë tregtare të stilit japonez në qytetin e Suzhou në gusht, pak para përvjetorit të dorëzimit të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Incidenti ndezi një diskutim të nxehtë në internet, me disa që thanë se dashuria për kulturën japoneze nuk e bën një person jopatriotik, dhe të tjerë e akuzuan gruan për lëndimin e ndjenjave të popullit kinez afër një përvjetori të luftës.
Mediat sociale kanë qenë platforma kryesore e pakënaqësisë në lidhje me Japoninë. Dhjetëra mijëra njerëz lanë komente të pafavorshme për ish-udhëheqësin japonez, Shinzo Abe, pas vrasjes së tij në korrik, për shkak të lidhjes së tij me nacionalistët që mohojnë ose minimizojnë mizoritë e kryera nga ushtria japoneze në Kinë.
Liu Wei, i cili është në të 50-at e tij, tha se Kina duhet të qëndrojë e palëkundur në çështjet territoriale, Japonia dhe Kina kanë pretendime konkurruese ndaj ishujve në Detin e Kinës Lindore, por në përgjithësi favorizojnë të ecin përpara dhe jo prapa.
“Ajo kohë ka kaluar tashmë”, tha Liu, i cili po bënte një shëtitje pranë muzeut të luftës. “Nëse vazhdoni ta mbani atë, nuk gjeneron shumë ndikim pozitiv në të ardhmen”.
Përktheu: Forca Jashari