Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministrja gjermane e Mbrojtjes realizon vizitë të papritur në Afganistan

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer ka realizuar vizitë të papritur në Afganistan, për të treguar përkushtimin ndaj procesit të paqes në këtë vend.

Kramp-Karrenbauer ka arritur sot në qytetin Mazar-e-Sharif në provincën Balkh, ku janë të angazhuara shumica e trupave gjermane.

Gjermania është e gatshme “të vazhdojë mbështetjen për Afganistanin gjatë procesit të paqes”, është cituar të ketë thënë Kramp-Karrenbauer përmes një deklarate.

“Afganistani ka nevojë urgjente për një marrëveshje në mes të grupeve opozitare të shoqërisë”, ka thënë Kramp-Karrenbauer, duke shtuar se qëllimi i Berlinit vazhdon të jetë tërheqja e rregullt e trupave.

Më herët gjatë kësaj jave, Qeveria gjermane ka hartuar dokumentet për qëndrim të trupave të saja në Afganistan edhe vitin e ardhshëm, nëse ka nevojë.

Kabineti i kancelares gjermane Angela Merkel ka miratuar më 24 shkurt një draft-mandat të ri, që u mundëson trupave gjermane të qëndrojnë aty deri më 31 janar.

Edhe Gjermania nis bisedimet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit Botë Gjermania nis bisedimet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Mandati aktual për Afganistanin skadon në fund të marsit, derisa administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden është duke rishikuar marrëveshjen e vitit 2020 me talibanët, që parasheh largimin e trupave të huaja deri më 1 maj.

Angazhimi i trupave gjermane jashtë shtetit kërkon miratim parlamentar që zakonisht garantohet në baza vjetore.

NATO-ja ka nën 10,000 trupa në Afganistan, që kanë detyra të trajnimit dhe këshillimit të forcave të sigurisë afgane. \ REL