Kina ka hartuar udhëzime të reja për t’i riklasifikuar qentë si kafshë shtëpiake e jo bagëti, ka thënë ministria e Agrikulturës, pjesë e një përgjigjeje ndaj shpërthimit të koronavirusit që grupi “Humane Society International” e quajti një “ndërrues të lojës” në mirëqenien e kafshëve.
Ndonëse mishi i qenit mbetet delikatesë në shumë rajone, ministria e Agrikulturës tha në një njoftim të publikuar ditën e djeshme se qentë më s’do të konsiderohen bagëti. Këtë emërtim, Kina e përdor për kafshët që mund të mbahen për ushqim, qumësht, lesh, fibra dhe mjekësi, apo që shërbejnë për nevoja sportive apo ushtarake, raporton Reuters.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për sa u përket qenve, përgjatë progresit të civilizimit njerëzor dhe brengës publike dhe dashurisë për mbrojtjen e kafshëve, qentë janë ‘specializuar’ për t’u bërë kafshë shoqëruese, dhe ndërkombëtarisht nuk konsiderohen bagëti, e as në Kinë nuk do të konsiderohen të tillë”, tha Ministria, transmeton KOHA.
Koronavirusi i ri besohet gjerësisht se ka dalë nga lakuriqët, dhe ka mundur të kalohet tek njerëzit nga speciet e ndërmjetme në shitje nëpër markete në qytetin e Wuhanit, ku u identifikua për herë të parë patogjeni.
Kina për pasojë ndaloi rritjen, tregtimin dhe konsumimin e kafshëve të egra, dhe tërhoqi të gjitha licencat. Ajo premtoi se do ta rishikonte legjislacionin për ta bërë këtë ndalesë të përhershme.
Në këtë draft-udhëzim, i cili është lënë i hapur për konsultim publik, janë listuar 18 lloje blegtorale tradicionale – përfshirë bagëtinë, derrat, shpendët dhe devetë.
Po ashtu, në listë janë shtuar edhe 13 specie “speciale” që po ashtu mund të përjashtohen nga kufizimet e tregtimit të kafshëve të egra, duke përfshirë drerët, alpakat, fazanët, strucët dhe dhelprat.
Konsumimi i qenit është bërë vazhdimisht e më jopopullor në Kinë, ndërsa qyteti jugor Shenzhen u bë i pari që e ndaloi atë muajin e kaluar.
Megjithatë, “Humane Society International”, një grup për të drejtat e kafshëve, vlerëson se rreth 10 milionë qen në vit vriten në Kinë për mish, përshirë edhe kafshë shtëpiake të vjedhura.