Qeveria e Norvegjisë ka njoftuar të shtunën se ministri i Mbrojtjes, Odd Roger Enoksen, ka dhënë dorëheqjen pasi iu zbulua një aferë seksuale me një vajzë shumë më të re.
“Është një vendim i domosdoshëm, pas asaj që është shfaqur në këtë çështje”, ka thënë kryeministri Jonas Gahr Store në konferencën për shtyp ku konfirmoi dorëheqjen e Enoksenit.
“Kam bërë disa zgjedhje dhe gjykime të gabuara dhe do të kërkoj falje pa rezervë për faktin se veprimet e mia e kanë bërë jetën më të vështirë për të tjerët”, ka thënë 67-vjeçari Enoksen.
Enoksen e filloi lidhjen në vitin 2005 kur partnerja e tij ishte ende një nxënëse e shkollës së mesme, sipas gazetës së përditshme VG.
Klasa e saj shkoi në një udhëtim shkollor në parlamentin e Norvegjisë në kryeqytetin Oslo dhe takoi politikanin e Partisë së Qendrës, i cili në atë kohë ishte 50 vjeç.
Pas udhëtimit shkollor ajo dhe Enoksen filluan atë që do të bëhej një marrëdhënie shumë e ngushtë dhe seksuale.
Edhe
Një skandal plagjiature trondit qeverinë norvegjeze
Vajza, që tani është në të 30-at, ka thënë se ndihej e goditur nga Enoksen pasi, sipas saj, ai përdorte fuqinë dhe pozicionin e tij për të marrë atë që donte.
Sipas vajzës, ata u takuan të paktën 12 herë në zyrën e tij midis fundit të viteve 2006 dhe 2007 ndërsa ai ishte ministër i Energjisë, me disa nga takimet që përfshinin “akte seksuale”.
Enoksen e ka mohuar se ka pasur kontakt fizik gjatë asaj kohe, por vetëm pasi ai doli nga Qeveria në vitin 2007.