Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani hap Ngushticën e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit

Foto nga arkivi

Foto: Associated Press

Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, ka shkruar në platformën X të premten se kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.

Ai shtoi se kalimi nëpër ngushticë do të bëhet sipas itinerarit të koordinuar të njoftuar nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas itinerarit të koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në postim.

Pas njoftimit të Araghchit ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”, ka shkruar Trump në Truth Social.

E në një postim tjetër pak minuta më vonë ka njoftuar se bllokada amerikane do të vazhdojë derisa të arrihet marrëveshje përfundimtare me Iranin.

“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për aktivitet tregtar dhe kalim të plotë, por bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe efekt sa i përket Iranit, vetëm deri në momentin kur transaksioni ynë me Iranin të përfundojë 100%. Ky proces duhet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” ka shkruar Trump.

Ngushtica e Hormzit  transporton rreth 20% të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Nafta bie me 10% pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.

Trump sërish kritikon NATO-n: Ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme

8 min. më parë / 17 pri 2026 16:35
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një seri postimesh në Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan ka nisur përsëri kritika të ashpra ndaj NATO-s. 

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit ka përfunduar, mora një telefonatë nga NATO duke pyetur nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndronin larg, përveçse nëse duan thjesht të ngarkojnë anijet e tyre me naftë. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një tigër prej letre!”, ka shkruar Trump. 

Në postimet e tjera  ai shprehu falënderime për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, duke i vlerësuar për “guximin e madh dhe ndihmën” e dhënë në menaxhimin e situatës.

Trump u ndal edhe te çështja e sigurisë detare, duke deklaruar se Irani, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka hequr ose është në proces të heqjes së të gjitha minave detare në zonë.

Ndërkohë, Trumpi ka shkruar se hapja e ngushticës s’ka të bëjë fare me armëpushimin në Liban. 

“Sërish! Kjo marrëveshje nuk lidhet në asnjë mënyrë me Libanin, por ne do ta bëjmë Libanin të mrekullueshëm sërish!” ka shkruar ai. 

 

Bie për 10 për qind çmimi i naftës

34 min. më parë / 17 pri 2026 16:09
Ngushtica e Hormuzit

Deklarimi i Iranit për hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit ka ulur për 10 për qind çmimin e naftës, në bursa ndërkombëtare.

Kjo ngushticë shërben për transportin e 20 për qind të naftës në nivel bote.

Ajo ishte e mbyllur që nga nisja e luftës më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli sulmuan Iranin.