Gautam Adani veçse ishte njeriu më i pasur në Azi. Por, tani ai është gjithashtu personi i tretë më i pasur në botë, duke kapërcyer kryetarin e LVMH (LVMHF) Bernard Arnault dhe duke u bërë personi i parë aziatik që zë këtë vend, sipas Bloomberg dhe Indeksit të Miliarderëve.
Adani, i cili drejton një nga konglomeratet më të mëdha të Indisë, tani besohet se ka pasuri rreth 137 miliardë dollarë.
Kjo rritje e pasurisë së tij e vendosi atë pas CEO-s së Teslas, Elon Musk dhe themeluesit të Amazonit, Jeff Bezos, pasuria e të cilëve vlerësohet në 251 miliardë dhe 153 miliardë dollarë, shkruan CNN-i të martën.
Ashtu si miliarderët e tjerë në mbarë botën, Adani ka pasur rritje të pasurisë gjatë pandemisë.
Themeluesi i grupit me të njëjtin emër, Adani Group, kontrollon kompani që variojnë nga portet dhe hapësirën ajrore deri te energjia diellore dhe qymyri.
Pasuria e tij është rritur në mënyrë eksponenciale që nga fillimi i krizës globale shëndetësore. Adani ka përfituar gjithashtu nga një rritje e përdorimit të qymyrit, që ka katapultuar ngjitjen e tij në muajt e fundit, shkruan Bloomberg të martën.
Brenda Indisë, Adani e ka ngritur profilin e tij edhe në mënyra të tjera.
Javën e kaluar, ai bëri bujë duke shpallur një ofertë armiqësore për të marrë nën kontroll një transmetues me ndikim, New Delhi Television (NDTV). Marrëveshja po ndiqet nga AMG Media Networks, një njësi e konglomeratit të Adanit.
Megjithatë, sulmi mediatik i grupit vjen në një kohë kur zgjerimi i shpejtë i tij, i nxitur nga borxhi është bërë një çështje shqetësuese për analistët. Ky veprim ka krijuar gjithashtu shqetësim për lirinë editoriale në NDTV, një nga rrjetet më të respektuara të lajmeve në vend.