Dubai është shndërruar në një parajsë për rusët e pasur, në mënyrë që t’u ikin ndikimit të sanksioneve perëndimore, për shkak të luftës në Ukrainë.
Miliarderët dhe sipërmarrësit rusë kanë mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në një numër të paprecedentë, thanë të enjten për BBC-në udhëheqësit e biznesit në këtë vend.
Blerjet e pronave në Dubai nga rusët u rritën me 67% në tre muajt e parë të vitit 2022, thuhet në një raport.
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë e as nuk e kanë kritikuar pushtimin e saj në Ukrainë.
Ku shtet po lëshon gjithashtu viza për rusët e pasanksionuar, ndërkohë që shumë vende perëndimore i kanë kufizuar ato.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rusia gjatë dy muajve të fundit - megjithëse shifra të sakta nuk janë të disponueshme.
Një ekonomist rus tha se rreth 200,000 rusë ishin larguar në 10 ditët e para pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Virtuzone, e cila ndihmon kompanitë të krijojnë operacione në Dubai, ka parë një rritje të madhe të klientëve rusë.
"Ne po marrim pesë herë më shumë kërkesa nga rusët që nga fillimi i luftës”, ka thënë shefi ekzekutiv i saj, George Hojeige.
"Ata janë të shqetësuar për një rënie ekonomike që po ndodh. Kjo është arsyeja pse ata po lëvizin këtu për të siguruar pasurinë e tyre," shtoi ai.
Fluksi i shtetasve rusë ka rritur kërkesën për vila dhe apartamente luksoze në të gjithë qytetin. Agjentët e pasurive të paluajtshme po raportojnë një rritje të çmimeve të pronave, pasi rusët që mbërrijnë në Dubai po kërkojnë të blejnë shtëpi.
Agjencia e pasurive të paluajtshme me bazë në Dubai, Betterhomes zbuloi se blerjet e pronave nga rusët u rritën me dy të tretat në tre muajt e parë të vitit 2022.