Botë

Miliarderët po largohen nga Kina - bashkë me paratë

(The Guardian) - Miliarderët janë jashtëzakonisht të vështirë për t’u përcjellë. Nuk është për t’u habitur - sa më lehtë të gjurmohen ata dhe pasuritë e tyre, aq më lehtë tatimohen. E në një vlerësim të ri, numri i njerëzve të pasur në Kinë është në rënie. Nga 2.640 miliarderë të vlerësuar në botë, të paktën 562 mendohet të jenë në Kinë, sipas revistës prestigjioze “Forbes”, krahasuar me 607 vitin e kaluar.

Elitat e Kinës kanë kërkuar prej kohësh mënyra për t’i transferuar paratë e tyre jashtë shtetit. Zyrtarisht, individët lejohen të transferojnë vetëm 50 mijë dollarë jashtë vendit çdo vit. Por në praktikë njerëzit e pasur kanë sërë mënyrash zyrtare dhe jozyrtare për t’i zhvendosur fondet e tyre, qoftë kjo nëpërmjet shkëmbimeve të parave në Hong Kong ku kontrollet e kapitalit nuk zbatohen, ose edhe përmes kanalizimit të parave në bizneset jashtë shtetit.

Përpara pandemisë, rreth 150 miliardë dollarë transferoheshin nga Kina çdo vit përmes turistëve që bartnin fondet jashtë shtetit, sipas vlerësimeve nga banka Natixis. Megjithëse udhëtimet ndërkombëtare nuk janë rikthyer në nivelet e parapandemisë, normat e larta të interesit në SHBA dhe juani kinez i dobët janë shtytje e fortë për kinezët e pasur me para të gatshme që t’i zhvendosin paratë e tyre jashtë vendit, thonë ekonomistët.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, pati mungesë prej 19.5 miliardë dollarësh në të dhënat e bilancit të pagesave, të cilat ekonomistët i përdorin si tregues të largimit të kapitalit, megjithëse vlera e vërtetë e parave që zhvendosen jozyrtarisht mund të jetë më e lartë.

Alicia Garcia Herrero, kryeekonomistja për Azinë e Paqësorit në Natixis, thotë se “niveli i lartë i pasigurisë në lidhje me politikat e ardhshme ekonomike dhe mundësitë e biznesit në Kinë” inkurajon njerëzit që të nxjerrin kursimet e tyre jashtë vendit.

Në vitin 2021, Xi Jinping, udhëheqësi i Kinës, ringjalli thirrjen për “prosperitet të përbashkët”, e cila u interpretua gjerësisht si thirrje për manjatët për të shpërndarë pasurinë e tyre. Atë vit “Alibaba”, kompania e teknologjisë e themeluar nga Jack Ma, dikur një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të Kinës, dhuroi 100 miliardë juanë për kauzën.

Xi Jinping mendohet të jetë mosbesues ndaj elitave financiare të Kinës pasi më shumë se 600 miliardë dollarë u zhvendosën në vitin 2015, pas zhvlerësimit të papritur të juanit. Që atëherë Pekini ka kërkuar të forcojë kontrollin mbi pasurinë e Kinës – dhe njerëzit që kanë pjesën më të madhe të saj.

Slogani i “prosperitetit të përbashkët” është zbehur derisa Pekini kërkon të promovojë Kinën si një vend që është i hapur për biznes pas tre vjetësh me zero-Covid. Por presioni mbi elitat e biznesit nuk ka rënë, dhe tani që kufijtë janë hapur, shumë po marrin parasysh planet e ikjes. Muajin e kaluar Hui Ka Yan, dikur njeriu më i pasur i Azisë, u arrestua për krime të paspecifikuara. Bao Fan, investitor i njohur për marrëveshjet për teknologji, u arrestua në shkurt dhe që atëherë nuk është parë më.

Mjedisi tani është dukshëm më ndryshe nga vitet 1990 dhe fillimi i viteve 2000, kur Kina po përgatitej për hyrjen në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 dhe prezantoi mori reformash tregu që lejuan sipërmarrësit e Kinës të grumbullonin pasuri të madhe. Ajo ishte epokë në të cilën fitimi i parave vinte para çdo gjëje. Por nën udhëheqjen e Xisë, i cili ka konsoliduar pushtetin e tij personal më shumë se çdo lider që nga Mao, theksi i është rikthyer kontrollit politik dhe jo lirisë ekonomike.

Kinezët e pasur po kërkojnë gjithashtu mënyra për t’u zhvendosur bashkë me paratë e tyre jashtë Kinës. Rreth 13.500 individë me pasuri të madhe neto pritet të largohen nga Kina këtë vit, rritje nga 10.800 vitin e kaluar, sipas Henley & Partners, një konsulencë imigracioni.

David Lesperance, konsulent i pavarur që ndihmon njerëzit me pasuri të madhe neto që të zhvendosen, thotë se numri i kërkesave nga biznesmenët që duan t’i largojnë të gjitha ekipet e tyre jashtë Kinës dhe jo vetëm familjet, është në rritje. Përveç rreziqeve politike, sipërmarrësit nuk mendojnë më se Kina është vend i mundësive, thotë ai. Në vitin 2017, Kina krijonte dy miliarderë të rinj në javë. Tani, rritja ekonomike është ngadalësuar.

Përktheu: Forca Jashari