Botë

Miku i Kinës zgjidhet kryeministër i Ishujve Solomon

Jeremiah Manele

Jeremiah Manele (në të majtë) dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi

Ligjvënësit e Ishujve Solomon kanë zgjedhur si kryeministër të ri Jeremiah Manele, ish-ministër i Jashtëm i cili është zotuar të vazhdojë politikën pozitive me Kinën.

Kryeministri i mëparshëm, Manasseh Sogavare, u tërhoq nga gara këtë javë dhe mbështeti Manelen pasi s’arriti të siguronte shumicën në zgjedhjet e fundit.

Manele ishte ministër i Jashtëm në vitin 2019 kur qeveria e Sogavares i ktheu shpinën Tajvanit dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Pekinin.

Manele u zgjodh kryeministër me 31 vota nga ligjvënësit e Ishujve Solomon, ndërsa 18 vota pati lideri opozitar Matthew Wales.

Zgjedhjet e prillit në Ishujt Solomon nuk i dhanë shumicë asnjë partie politike.

Zgjedhja e Maneles po vëzhgohet nga afër nga Kina, SHBA-ja dhe Australia fqinje për shkak të ndikimit të mundshëm në sigurinë rajonale pasi Sogavare arriti pakt sigurie me Kinën në vitin 2022.

Parlamenti i Ishujve Solomon ka 50 vende. Duhen 26 vota për ta pasur shumicën.