Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merkel: Bota duhet të shtojë përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike

Foto: Reuters

Kancelarja Angela Merkel ka thënë se përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike janë të pamjaftueshme dhe ato duhet të shtohen gjatë viteve të ardhshme, raporton Reuters.

Në një konferencë për media ajo ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të rregullojë qëllimet e përcaktuara për vitin 2030, derisa ka theksuar se dëshiron një mekanizëm të çmimit të karbonit për industrinë dhe sektorët e transportit, transmeton KOHA.

Komisioni Evropian gjatë muajit të ardhshëm do të propozojë një synim të ri për ndryshimet klimatike deri në vitin 2030, me një reduktim të emetimit të gazrave nga 50-55 për qind kundër nivele 1990, krahasuar me qëllimin aktual që është 40 për qind.

Si mbajtëse e presidencës aktuale të BE-së, Gjermania po kërkon që vendet anëtare të arrijnë një marrëveshje gjatë këtij viti. Porse, shtytja për qëllime më të vështira ka hasur në kundërshtim të disa vendeve të Evropës Lindore, që janë të shqetësuara për koston ekonomike.

Gjermania është emetuesi më i madh i gazrave serë në Evropë dhe Ministria e Mjedisit ka thënë se, derisa mund të përmbushë objektivin e saj klimatik për vitin 2020, nuk do të arrinte këtë synim nëse shkatërrimi ekonomik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk do të do të kishte shkaktuar këtë rënie të madhe të emetimit.

Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, në javën e kaluar i kishte kërkuar Merkelit “që të ishte mjaftueshëm e guximshme që të mendonte në aspektin afatgjatë”, në takimin ku do të diskutohej për krizën klimatike dhe masat që duhet të ndërmerren në luftimin e ngrohjes globale.