Trajtimi i mercenarëve shënon kontrastin e trajtimit të politikanëve opozitarë dhe aktivistëve, shumë prej tyre janë mbyllur në burgje vetëm se u shprehën kundër luftës në Ukrainë. Për shembull aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza është duke vuajtur dënimin me 25 vjet burgim nën akuzat për tradhti. Ndërkaq shefi i “Wagnerit”, Prigozhin, dhe burrat e armatosur që morën pjesë në kryengritje janë lënë në liri.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se anëtarët e grupit mercenar “Wagner” ishin plotësisht të financuar nga shtetit rus. Putini ka thënë se mercenarëve famëkeq nga maji i vitit 2022 deri në majin e vitit 2023 u janë dhënë 86.262 miliardë rubla ose 1 miliard dollarë. Kjo shumë është shpenzuar për paga dhe mëditje dhe është realizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe buxhetit shtetëror të Rusisë.\
Kryengritja e ushtrisë private ka tronditur Rusinë të shtunën. Lideri i kësaj ushtrie, Yevgeny Prigozhin ka arritur në Bjellorusi të martën pasi është marrë vesh për të ikur nga Rusia. Shkuarja e tij është konfirmuar nga lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Të martën një aeroplan privat i Prigozhinit ka aterruar në Minsk, kryeqytetin bjellorus.
Të shtunën, mercenarët famëkeq të prirë nga shefi i tyre Prigozhin morën kontrollin e qytetit jugor Rostov në Don dhe nisën marshimin drejt Moskës. Gjatë rrugës ata kanë rrëzuar disa helikopterë dhe një aeroplan luftarak të Rusisë.
Kryengritja e tyre është ndalur të shtunën në mbrëmje pas marrëveshjes së arritur nga Lukashenko. Autoritetet ruse kanë thënë se “Wagneri” do të çarmatoset, por anëtarët nuk do të persekutohen për kryengritjen e tyre jetëshkurtër.
“Këta luftëtarë dhe komandantët e këtij grupi gjithmonë i kemi trajtuar me respekt të madh, sepse njëmend kanë treguar guxim dhe heroizëm”, ka thënë Putini të martën. Ai ka thënë se autoritetet do të hetojnë se si janë paguar mercenarët dhe sa para janë shpenzuar nga lideri i tyre.
Ndërkaq Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se është duke u përgatitur që grupi të dorëzojë armatimin e rëndë dhe pajisjet e tjera tek ushtria ruse.
Nuk do të ketë akuza penale ndaj atyre që morën pjesë në kryengritje, ka njoftuar shërbimi rus i sigurisë FSB.
Anëtarët e grupit “Wagner” do të përballeshin me akuza për kryengritje të armatosur, por rasti ndaj tyre është mbyllur për shkak se e ndalën kryengritjen pak para se të bënin krim, ka sqaruar FSB-ja.
Putini ka thënë të hënën se mercenarët duhet t’i bashkohen ushtrisë së rregullt ose të shkojnë në shtëpi apo në Bjellorusi, duke shtuar se luftëtarët të cilët ishin “patriotë” janë mashtruar drejt aventurës kriminale.
Lukashenko ka thënë se Bjellorusia nuk ka nisur me ndërtimin e kampeve për anëtarët e grupit, por do t’i akomodojë nëse dëshirojnë ata.
Putini i ka thënë ushtrisë ruse në Moskë se veprimet e saj gjatë kryengritjes kanë parandaluar “luftën civile” dhe ka mbajtur një minutë heshtje për të rënët.
Ai ka insistuar se forcat e “Wagnerit” kurrë nuk e kishin përkrahjen e ushtrisë apo popullit, ani pse turma të mëdha njerëzish i duartrokitën kur ata u larguan nga qytetin Rostov në Don.
Trajtimi i mercenarëve shënon kontrastin e trajtimit të politikanëve opozitarë dhe aktivistëve, shumë prej tyre janë mbyllur në burgje vetëm se u shprehën kundër luftës në Ukrainë. Për shembull aktivisti opozitar, Vladimir Kara-Murza, është duke vuajtur dënimin me 25 vjet burgim nën akuzat për tradhti. Ndërkaq shefi i “Wagnerit”, Prigozhin, dhe burrat e armatosur që morën pjesë në kryengritje janë lënë në liri.