Nesa dhe Umme Salima ishin në mesin e rreth 200 rohingyave, anëtarë të një pakice të persekutuar myslimane, të cilët nisën udhëtimin e rrezikshëm në fund të nëntorit nga Cox's Bazar, një kamp i gjerë refugjatësh në Bangladesh i mbushur me rreth një milion njerëz që ikën nga gjenocidi i supozuar nga ushtria e Birmanisë. Nesa pa burra të uritur që hidheshin në det në kërkim të dëshpëruar për ushqim, por ata nuk u kthyen më. Dhe ishte dëshmitare e vdekjes së një foshnje pasi u ushqye me ujë të kripur nga deti
(CNN) - Hatemon Nesa qan ndërsa mbështetet pas vajzës së saj 5-vjeçare, Umme Salima, në një strehë shpëtimi në provincën Aceh të Indonezisë. Fytyrat e tyre duken të zbehta, sytë e tyre të vrenjtur, pasi kanë lëvizur për javë të tëra në det në një varkë me pak ushqim ose ujë.
“Lëkura ime po kalbej dhe kockat e mia ishin të dukshme”, tha Nesa. "Mendova se do të vdisja në atë varkë".
Nesa qan gjithashtu për vajzën e saj 7-vjeçare, Umme Habiba, të cilën ajo thotë se u detyrua ta linte pas në Bangladesh - ajo nuk mund të përballonte më shumë se 1 mijë dollarë që trafikantët kërkuan për ta transportuar atë dhe fëmijën e saj më të vogël në Malajzi. “Zemra ime po digjet për vajzën time”, tha ajo.
Nesa dhe Umme Salima ishin në mesin e rreth 200 rohingyave, anëtarë të një pakice të persekutuar myslimane, të cilët nisën udhëtimin e rrezikshëm në fund të nëntorit nga Cox's Bazar, një kamp i gjerë refugjatësh në Bangladesh i mbushur me rreth një milion njerëz që ikën nga gjenocidi i supozuar nga ushtria e Birmanisë.
Kalvar mundimesh
Por menjëherë pasi ata u larguan, motori ndërpreu së punuari, duke e kthyer atë që supozohej të ishte një udhëtim 7-ditor, në një kalvar të gjatë prej një muaji në det, të ekspozuar ndaj elementëve në varkën prej druri me majë të hapur, duke mbijetuar vetëm nga uji i shiut dhe vetëm ushqim me afat treditor.
Nesa tha se pa burra të uritur që hidheshin në det në një kërkim të dëshpëruar për ushqim, por ata nuk u kthyen më. Dhe ajo ishte dëshmitare e vdekjes së një foshnje pasi u ushqye me ujë të kripur nga deti.
Me kalimin e javëve, familjet e pasagjerëve dhe agjencitë e ndihmës iu lutën qeverive në shumë vende t'i ndihmonin - por thirrjet e tyre u shpërfillën.
Më pas, më 26 dhjetor, varka u shpëtua nga peshkatarët indonezianë dhe autoritetet lokale në Aceh, sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR). Nga rreth 200 njerëz që hipën në varkë, vetëm 174 mbijetuan - rreth 26 vdiqën në varkë, ose janë zhdukur në det, të supozuar si të vdekur.
Babar Baloch, një zëdhënës i Azisë për agjencinë, tha se pas një qetësie gjatë Covidit, numri i njerëzve që ikin janë kthyer në nivelet e para-Covidit. Rreth 2.500 hipën në varka të palundrueshme vitin e kaluar për udhëtimin dhe rreth 400 prej tyre vdiqën, duke e bërë vitin 2022 një nga vitet më vdekjeprurëse në një dekadë për Rohingyat që ikën nga Cox's Bazar.
"Këto janë literalisht kurthe vdekjeje në të cilat sapo hyni ... përfundoni duke humbur jetën tuaj", tha ai.

Varka prej druri e prishur që mbante Hatemon Nesan dhe vajzën e saj, Umme Salima, fotografuar në provincën Açeh, Indonezi
“Ne jemi të uritur. Ne po vdesim këtu”
Udhëtimi i Nesës dhe Salimës filloi më 25 nëntor nga kampet e mbipopulluara të refugjatëve në Cox's Bazar, ku ajo tha se fëmijët e saj nuk mund të shkonin në shkollë, duke e lënë atë me pak shpresë për të ardhmen e tyre.
Nesa tha se kishte marrë rreth dy kilogramë oriz për udhëtimin, por pak pasi varka u largua nga porti, motori i saj u shua dhe ata filluan të lundronin.
“Të uritur pa ushqim, pamë një varkë peshkimi aty pranë dhe u përpoqëm të afroheshim”, tha ajo, duke qarë ndërsa kujtonte tmerrin. "Ne u hodhëm në ujë për të notuar afër asaj varke, por në fund, nuk mundëm".
Gjatë dhjetorit, ndërsa anija u godit pa qëllim në Gjirin e Bengalit, UNHCR-ja tha se ajo u pa pranë Indisë dhe Sri-Lankës. Por agjencia tha se ato vende "injoruan vazhdimisht" lutjet e saj për ndërhyrje.
CNN-i ka kontaktuar marinën indiane dhe të Sri-Lankës për koment, por nuk ka marrë një përgjigje. Muajin e kaluar, Marina e Sri-Lankës tha në një deklaratë se ekuipazhet e saj kishin bërë një "përpjekje të fuqishme" për të shpëtuar një varkë tjetër që mbante 104 rohingya, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë, të cilët ishin larguar nga Bangladeshi.
Më 18 dhjetor, vëllai i Nesës, Mohammed Rezuwan Khan, i cili ndodhet në Cox's Bazar, ndau me CNN-in një videoklip të një telefonate shqetësuese që mori nga një prej refugjatëve në barkën e Nesas.
"Ne po vdesim këtu", tha burri përmes telefonit satelitor, sipas regjistrimit. “Ne nuk kemi ngrënë asgjë për tetë deri në 10 ditë. Ne jemi të uritur”.
Nesa tha se shoferi i varkës dhe një anëtar tjetër i ekuipazhit u hodhën në oqean për të gjetur ushqim, por ata nuk u kthyen më. "Unë mendoj se ata u bën ushqim për peshqit në det", tha ajo.
Dymbëdhjetë burra të tjerë hynë në ujë, ndërsa mbaheshin pas një litari të gjatë të lidhur me varkën në përpjekje për të kapur diçka për të ngrënë, por ndërsa të tjerët në varkë u përpoqën t'i tërhiqnin përsëri, litari u këput, tha Nesa. "Ata nuk mund të ktheheshin në varkë".

Hatemon Nesa dhe vajza e saj 5-vjeçare, Umme Salima, në një strehimore në provincën Açeh në Indonezi
E ardhme e pasigurt
Ndërsa të gjitha vendet janë të detyruara nga e drejta ndërkombëtare për të shpëtuar njerëzit në rrezik në det, veprime të shpejta nuk janë gjithmonë të afërta – veçanërisht kur bëhet fjalë për refugjatët Rohingya, sipas Baloch, nga UNHCR-ja.
"Unë mendoj se të gjithë do të pajtohen si qenie njerëzore që ne kemi përgjegjësinë që ju dëshironi të shpëtoni një jetë në rrezik, e lëre më qindra njerëz që vdesin", tha Baloch. “(Shtetet e afërta) duhet të veprojnë për të shpëtuar këta njerëz të dëshpëruar. Duhet të jetë një veprim i cili është në koordinim i bërë kolektivisht nga të gjitha shtetet në rajon”.
Nesa dhe Umme Salima ishin në mesin e 174 të mbijetuarve të dobësuar të shfaqur në video duke shkelur në tokë për herë të parë pas javësh në fund të dhjetorit, disa duke u rrëzuar menjëherë në rërën e një plazhi Açeh, shumë të dobët për të qëndruar.
Ata janë ndër më fatlumët – UNHCR-ja beson se 180 të tjerë supozohen të kenë vdekur, të kenë humbur në det në një varkë tjetër që nga fillimi i dhjetorit, kur pasagjerët ndaluan së komunikuari me familjet e tyre.
Të mbijetuarit nga anija e Nesës tani po marrin kujdes mjekësor në Açeh, megjithatë mbetet e paqartë se çfarë mund të ndodhë me ta në javët dhe muajt e ardhshëm.
Indonezia nuk është palë e Konventës së OKB-së për Refugjatët dhe i mungon një strukturë kombëtare për mbrojtjen e refugjatëve, sipas UNHCR-së.
Për ata që janë refugjatë, UNHCR-ja do të fillojë të kërkojë një sërë zgjidhjesh, duke përfshirë zhvendosjen në një vend të tretë ose riatdhesimin vullnetar, nëse një person është në gjendje të "kthehet në siguri dhe dinjitet".
Ky shënon fillimin e një kapitulli të ri për grupin e pasagjerëve, të cilët kanë jetuar për vite në kampet e mbipopulluara, johigjienike dhe të pasigurta të refugjatëve në Bangladesh, pasi kanë ikur me dekada të tëra diskriminimi sistematik, brutaliteti të përhapur dhe dhune seksuale në vendin e tyre, Birmaninë.
“Pa shtetësi, të persekutuar, këta refugjatë Rohingya kanë njohur pak paqe”, tha Baloch i UNHCR-së.
Shumë më tepër duhet bërë nga komuniteti ndërkombëtar për grupin e persekutuar, i cili vuan në një shkallë që shumica nuk mund ta imagjinojë, shtoi ai.
Për Nesën, shpresa mbetet që një ditë të ribashkohet me vajzën tjetër.
“Isha gati të vdisja (në Bangladesh)”, tha ajo. “Allahu më dha një jetë të re… Fëmijët e mi duhet të arsimohen siç duhet. Kjo është gjithçka që doja”.
Përktheu: Forca Jashari