Botë

Meksika bëhet vendi i tretë në botë për nga numri i të vdekurve nga COVID-19

Meksika është bërë vendi i tretë në botë për nga numri i të vdekurve nga COVID-19. Në Meksikë si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 46.688 persona, ndërsa janë infektuar në total 424.637, shkruan BBC.

Vetëm SHBA-ja e Brazili kanë më tepër të vdekur nga koronavirusi i ri. Në të kaluarën Britania e Madhe ishte në vend të tretë me 46.204 të vdekur, deri të premten.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se efektet e pandemisë do të ndjehen edhe në dekadat në vijim.

Në Meksikë, autoritetet lokale më herët kanë thënë se numri i të infektuarve është dukshëm më i lartë se ai që po raportohet.

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është i vendosur për të rifilluar ekonominë e vendit. Qeveria e tij ka paralajmëruar në maj një plan me disa faza për të hequr kufizimet.

Në kryeqendër Mexico City, qindramijëra punonjës të fabrikave janë kthyer në punën e tyre në mesin e qershorit. Disa nga bizneset jo-esenciale janë lejuar të rihapen në fillim të korrikut në qytet, që është epiqendra e koronavirusit në Meksikë.

Por kritikët thonë se Obrador ka qenë tepër i ngadalshëm për të mbyllur vendin. Të premten dhjetë guvernatorë të shteteve kanë kritikuar mënyrën se si Qeveria ka menaxhuar pandeminë dhe kanë bërë thirrje për shkarkimin e ndihmës-sekretarit të Shëndetësisë, Hugo Lopez-Gatell.