Në ditën e parë të paraburgimit, Voronkov mohoi fajësinë e tij. Të nesërmen, me një qese në kokë, ai u dërgua të merrej në pyetje me anë të një poligrafi (test profesional për të zbuluar të vërtetën v.j.). Kjo vazhdoi me ditë, përshkroi ai komunikimin me forcat ruse. Sergei thotë se nuk është rrahur, por është kërcënuar vazhdimisht.
Me një qese në kokë, ai s'e kuptonte se çfarë po ndodhte përreth tij dhe ideja se mund të goditej e torturonte.
Në ditën e katërt, Sergei u dorëzua. Më në fund dëshmoi. Tha se frikësohej se mos rrihej dhe se do të detyrohej të gënjente për fqinjët e tij. Ai iu tha se njeh dikë në Kiev, që në atë kohë ishte zhvendosur në Gjermani dhe nëpërmjet chatbotit e kishte lidhur me trupat ukrainase.
Në fakt, ishte Tatyana ajo që kontaktoi, por Sergei s'donte fare që bashkëshortja e tij të përfshihej në këtë rast. Qesja dikur iu hoq nga koka dhe iu tha të nënshkruante dokumentet. Formularët, siç rrëfen Sergei, ishin zyrtare, me simbole ruse, por ai s'e mban mend se cila agjenci e mori në pyetje. Tha se ishte shumë i rraskapitur.
“Unë nënshkrova protokollin për hetuesin Ryabus”, ka thënë Sergei, derisa pasoi dërgimi i tij në një bodrum. Në ditën e dhjetë të ndalimit, forcat ruse shkuan në shtëpinë e Tatyanas dhe e kontrolluan. Ajo në tërë këto ditë po e kërkonte bashkëshortin. Vizitoi morgje e spitale dhe e raportoi në polici si i zhdukur. Pas zhdukjes së tij, Tatyana e njoftoi djalin e tyre që jetonte në Moskë. Ai nisi kontaktet me autoritete të ndryshme ruse, nga Komiteti Hetues deri te presidenti Vladimir Putin.
Lajmi u transmetua më 7 maj.
“Policia më kumtoi: Çfarë? nuk e merrni me mend se ku është? Ai po mbahet në bodrum. E mori FSB-ja (Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse), kundërzbulimi”, ka rrëfyer Tatyana.
Ajo rrëfeu se si gjatë kontrollit, trupat ruse ua gjetën 4.000 dollarë të fshehura në kopsht dhe një kartelë telefoni. Sergei tha se po mbahej i mbyllur, pa pasur mundësi të lahej, duke u kequshqyer dhe pa marrë përgjigje pse u ndalua.
Më 26 maj, pranë tij zbarkuan njerëz të prezantuar si oficerë të FSB-së dhe e regjistruan deklaratën e tij në video. Pavarësisht tentativave, rusët nuk arritën të gjenin asnjë dëshmi për fajësinë e tij dhe me ç’rast, Sergei u lirua.
Atë e lejuan të pastrohej, i dhanë vezë të fërguara dhe e dërguan në shtëpi, duke ia kthyer edhe kuletën pa i munguar paratë që i kishte në ditën kur u arrestua. Tatyana dhe Sergei thonë se nuk e dinë pse ai u lirua kur dëshmoi.
“Ndoshta kishin nevojë për prova dhe nuk kishin asgjë tjetër, pos dëshmisë së tij”, është shprehur ajo.
“Më vunë një virus në telefon dhe përcollën tërë bisedat e mia...Sipas meje, donin të kapnin diçka më të rëndësishme”.
Çifti tha se autoritetet ruse nuk iu ndanë, pasi vijuan përcjellje dhe kontrolle të shpeshta pranë shtëpisë së tyre në Tokmak. Ata thanë se donin të largoheshin sa më parë nga ai lokalitet.
“Në fakt, të gjithë e dinin se po na vëzhgonin. Kështu që kur thamë se duhej të largoheshim, fqinjët na ndihmuan. Na i blenë të gjithë bagëtinë...”
Sergei ka thënë se tash në shtëpinë e tyre jeton dikush tjetër.
“Fashistët jetojnë atje. Ushtria u zhvendos dy javë më parë. Ne kemi ujë në shtëpinë tonë, edhe nëse e ndërpresin në fshat. Kështu që dikush është zhvendosur aty”, ka shtuar ai.
Çifti zbuloi një formë për të ikur nga Novolubimovka. Me një makinë të blerë nga fqinjët, ata u nisën në drejtim të Berdyanskut, me argumentin se bashkëshortja e Sergeit ishte astmatike dhe ai po e dërgonte në bregdet për të pushuar. Ata thanë se udhëtimi ishte i lehtë, pasi në stinë të verës, shumë banorë të territoreve të pushtuara shkojnë në bregdet për t'u çlodhur. Pasi mbërritën në Berdyansk dhe kaluan natën atje, u nisën drejt Luhanskut me arsyetimin se po shkonin të vizitonin varrin e vëllait të Tatyana, i cili kishte vdekur në betejë. Voronkovët qëndruan në Luhansk një natë, derisa s'arritën të kalonin kufirin në tentimin e parë. Një kopje e pasaportës së humbur s'ishte e mjaftueshme si argument për të kaluar. Ata duhej të ktheheshin në Krasnodon për t'u pajisur me një certifikatë nga Zyra e Pasaportave ku thuhej se Voronkov kishte marrë një dokument të ri. Me këtë dokument, ata mund të kalonin kufirin dhe të shkonin në rajonin e Moskës.
Pasaporta false
Sergei kishte probleme me rimarrjen e pasaportës në Podolsk, që gjendet pranë Moskës.
Në shtatorin e 2024-tës, çifti bëri tentimin e parë të largohej nga Rusia nëpërmjet Bjellorusisë, duke udhëtuar drejt Smolenskut pa asnjë dokument.
“U kapëm dhe u dorëzuam nga forcat e rendit”, kujton Tatyana.
“Iu thamë se jemi pelegrinë dhe po udhëtojmë për vizitë nëpër kisha të ndryshme, e tani po shkojmë në Bjellorusi”, thotë ajo duke qeshur. Autoritetet bjelloruse panë regjistrat dhe kuptuan se Sergei dikur ishte ndaluar në rajonin e Zaporizhzhias, derisa njoftuan FSB-në. Pas kontrolleve, sipas Tatyanas, autoritetet ruse s'donin të zgjasnin procedura dhe i liruan e i urdhëruan të shkonin në Moskë për të aplikuar për pasaportë të re, duke i paralajmëruar se “atje do t’ju marrin në pyetje sërish”.
Tatyana tha se e kuptoi që ishin përcjellë të gjitha mesazhet e saj në telefon, derisa u paralajmërua që “të mendonte me kujdes se kujt po i shkruante”.
Drejt Lituanisë
Voronkovët s'pritën takime të tjera me anëtarë të FSB-së në Moskë. Sergei bëri një pasaportë false dhe me të, së bashku me Tatyanan, u nisën drejt Bjellorusisë, prej ku kaluan ilegalisht kufirin me Lituaninë.
Për shkak të pasaportës së falsifikuar, çifti kishte një tjetër problem. Forcat lituane e akuzuan Sergein për kalim të paligjshëm të kufirit, por edhe për përdorim të një dokumenti fals. Kjo është vepër penale në Lituani. Sergei e kaloi muajin e parë të jetës së tij të re në qendrën e paraburgimit në Kaunas (qytet në Lituani v.j), e cila, megjithatë, i pëlqeu më tepër se bodrumi në Zaporizhzhia.
“Pas asaj që ndodhi, ky këtu ishte konvikt i mbyllur. Një dush dhe një banjë dy herë në javë. Ata i ndërrojnë çarçafët vazhdimisht. Më zgjojnë nga gjumi kur më sjellin mëngjesin. Luajnë letra, më japin karta telefoni për të telefonuar, të paktën 20 minuta në ditë. Mund të luash tenis, të kesh frigorifer, mikrovalë, palestër. Mund të shkosh për shëtitje çdo ditë. Ka edhe kompjuter”, ka rrëfyer ai për kushtet ku u mbajt në Lituani.
Gjykata lituane e shpalli Sergein fajtor për përdorim të një pasaporte false dhe e dënoi me 26 ditë burgim, të cilat ai i kishte kaluar në paraburgim. Por, tashmë një proces i ri gjyqësor po zhvillohet dhe nëse përfundon me sukses, Sergei do të fitojë kompensim për vuajtjen e dënimit.
Sergei dhe Tatyana shpresojnë të marrin azil në Lituani sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, djali i tyre që ka mbetur në Moskë, pasi mësoi historinë e prindërve, nuk komunikon më me ta.
E, agjenti i Ushtrisë ukrainase që kishte përfituar nga informatat e çiftit mbi lëvizjet e Ushtrisë ruse, s’i harron ata.
Në mënyrë që autoritetet lituane t'ua besonin rrëfimet të arratisurve nga Rusia, me kërkesë të tyre, Regjimenti i 28-të i Gardës Kombëtare të Ukrainës u dërgoi Sergeit e Tatyanas letër falënderimi.
“Për mbështetjen e gjithanshme të njësisë ushtarake dhe ndihmën e ofruar. Përkushtimi, mirësia dhe gatishmëria juaj për të ardhur në ndihmë në momentet më të vështira janë të rëndësishme. Falë ndihmës suaj, ne mund t'i përmbushim me sukses detyrat tona dhe t'i forcojmë aftësitë mbrojtëse të shtetit”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga nënkoloneli ukrainas, Yevhen Zhar.
Ambasada ukrainase në Vilnius gjithashtu konfirmoi se familja Voronkov “banonte në Ukrainë me një lejeqëndrim të përhershëm”.
Kur u pyet nëse do të donin të ktheheshin në të ardhmen në Ukrainë, Sergei tha se “nëse do të kisha mundësi, nesër do të kthehesha”. Bashkëshortja e tij ka një qasje më ndryshe.
“Çështja është që të shkosh aty ku e ke pronën. Nëse shkon vetëm në Ukrainë, qoftë atje apo këtu, do të duhet të fillosh gjithçka nga e para”.
Kur u pyetën nëse donin të ktheheshin në Rusi, ata thanë njëzëri “jo”.
“Sikur të mos shfaqej fytyra e saj njerëzore. Dhe tani, atje asgjë s'është njerëzore”, ka thënë Sergei.
Nëna e tij, 87-vjeçare, jeton në Rusi dhe ajo s'e di se çka i ka ndodhur djalit të saj gjatë kësaj kohe. Sergei rrëfeu se nëna e tij ka pikëpamje të tjera dhe se është zemëruar.
Por, butësisht i flet Tatyana, që në një bisedë telefonike me vjehrrën u shpreh se “duhet të kujdesemi t'i ruajmë raportet disi”.
I pyetur nëse i mungon nëna, Sergei u shpreh pa hezitim: “Jo nuk më mungon”.
Pjesa e parë: