Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mbi gjysma e banorëve të “vatrës” së koronavirusit në Itali kanë anti-trupa

Foto: Reuters

Më shumë se gjysma e banorëve në provincën veriore italiane të Bergamos kanë antitrupat për COVID-19, midis një debati të zëshëm rreth asaj se çfarë mbrojtjeje prej virusit ofrojnë ato.

Qyteti është goditur rëndë prej pandemisë, e detektuar fillimisht në shkurt, duke nxitur mbyllje që dërrmoi ekonominë.

Vetëm gjatë javës së kaluar, Italia ka hyrë në fazën e fundit të zbutjes së kufizimeve, pas gati 34.000 të vdekurve nga koronavirusi, me rreth 235.000 raste të konfirmuara.

Testet e gjakut për 9.965 banorë për periudhën midis 23 prillit dhe 3 qershorit kanë treguar se 57 për qind e tyre kanë anti-trupat, gjë që tregon se ata kanë pasur kontakt me koronavirusit.

Autoritetet shëndetësore në Bergamo ka thënë se rezultatet bazoheshin në një mostër “standarde” që ishte mjaftueshëm e gjerë për të qenë tregues i besueshëm rreth asaj se sa persona kishin qenë të infektuar në këtë provincë, që u bë epiqendër e koronavirusit në Itali, raportojnë mediat britanike.

Përmes një deklarate të veçantë, të lëshuar më vonë, agjencia shëndetësore në Bergamo ka thënë se pjesa më e madhe e të përfshirëve në mostër ishin banorë të zonave më të goditura. Shumica ishin vënë në karantinë, është bërë e ditur.